Politike

Marrëveshja e detit, Greqia: Meta nuk i jep autorizimin qeverisë për rinisjen e negociatave

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, pas ndarjes së detit me Egjiptin, Greqia ka nxjerrë nga sirtari dosjen shqiptare. Ministri i Jashtëm grek, Niko Dendias, deklaroi se tanimë radhën e ka arritja e marrëveshjes së detit me Shqipërinë, edhe pse sipas tij, rruga për ndarjen e zonave ekskluzive ekonomike mes dy vendeve është e gjatë dhe e ndërlikuar.

Duke folur në një intervistë për Skai TV, ai tha Greqia do të fokusohet sërish në arritjen e një marrëveshjeje për kufirin detar, në raport me Shqipërinë, pas dështimit të tentativave që u bënë në 2017/2018.

Por ajo që ka zbuluar kreu i diplomacisë greke është se “problemi” në nisjen bisedimeve e një marrëveshjeje mes Greqisë dhe Shqipërisë për kufirin detar, qëndron tek Presidenca shqiptare. Dendias iu referua momentit kur Presidenti i jep autorizim Ministrit të Jashtëm për fillimin e bisedimeve, duke e quajtur këtë një çështje të brendshme të Shqipërisë.

Duke e cilësuar si çështje e brendshme gjatë intervistës, Ministri i Jashtëm i Greqisë vazhdoi duke thënë se diplomacia greke do të merret me këtë çështje, duke kujtuar në të njëjtin paragraf integrimin e Shqipërisë në BE.

“Gjërat janë disi më të komplikuara, sepse Shqipëria fillimisht ra dakort, pastaj e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Janë disa çështje ligjore të brendshme, çështjet e tyre: Dhënia e autorizimit nga ana e Presidentit për qeverinë, që ai mund të mos jetë i gatshëm ta japë. Por kjo është një çështje që politika e jashtme e Greqisë do të merret. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Shqipëria është një vend mik, një vend me të cilin Greqia do që të ketë marrëdhënie miqësore, për të zgjidhur çdo problem që mund të ketë. Ky është një nga problemet që kemi”, deklaroi Dendias.

Më pas ai u ndal edhe tek kërkesa e vazhdueshme e Greqisë për respektimin e të drejtave të minoritetit grek, të cilin Athina duket se po e përdor si “as nën mëngë” për të përfituar përparësi në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dy-palëshe.

“Sigurisht që ka edhe çështje të tjera: ajo për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek, që do të zgjidhet me ecurinë e negociatave të Shqipërisë, sepse kjo është pjesë e “aquis”. Këtë nuk po e themi si Greqi. Po e themi si një vend europian, dhe kjo është një këshillë për të gjitha vendet që nisin këtë udhëtim të gjatë për t’iu bashkuar familjes sonë, Bashkimit Europian. Çështja e të drejtave të njeriut është një çështje sovraniteti dhe në këtë sens, Shqipëria duhet ta shohë minoritetin grek si një faktor për zhvillimin e vendit, një urë miqësie mes Shqipërisë dhe Greqisë”, deklaroi ai.

Cakaj dhe Niko Dendias, Gazeta Si, 2019

Dendias foli edhe për pretendimet e opozitës greke, sipas së cilës, objektivi kryesor në marrëveshjen me Shqipërinë është të zgjerohen ujërat territorialë nga 6 në 12 milje.

“Kam gjetur një punë përgatitore në Ministri. Siç kam thënë, unë i kam të gjitha minutat e mbledhjeve të mëparshme. Ju e dini, askush nuk e nis nga zero. Nuk ka partenogjenezë. Shteti është një vazhdimesi. Dhe duhet ta respektosh trashëgiminë që ke pasur” ka thënë Dendias.

Ende nuk ka pasur një reagim në lidhje me deklaratën e Nikos Dendias, si nga Presidenca, ashtu edhe nga Ministria e Jashtme, por një mesazh ka ardhur nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, një organizatë e njohur për marrëdhënien e mirë me presidencën. Reagimi i kësaj organizate merr shkas pikërisht nga deklarata e Ministrit të Jashtëm grek dhe kërkon të dijë nga qeveria shqiptare, nëse ka pasur komunikim të mëtejshëm me Greqinë.

“Të jemi të përgatitur me kohë, me alternativa të përditësuara konkrete dhe bindëse, të bashkërenduara me të gjitha institucionet më të larta dhe instancat e tjera përkatëse.

Për këtë qëllim, nevojitet të fillojnë sa më shpejt në formatet e duhura konsultimet, shkëmbimi i ideve dhe mendimeve profesionale mbi alternativat paraprake me grupet e ekspertëve, pa paragjykime partiake, politike apo të tjera, në fushat juridike, ekonomike, ushtarake, teknike, të sigurisë, etj.

Mbi atë bazë, mund të bëhet mbi kritere më objektive përzgjedhja dhe krijimi i një ekipi të ri negociator gjithëpërshirës, kompetent dhe i specializuar për këto çështje”, thuhet mes të tjerave në deklaratën e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

Mediat greke shkruajnë prej kohësh se Demokracia e Re kërkon që llogaritja e 12 miljeve detare duhet të fillojë nga disa shkëmbinj të pabanuar që gjenden pranë Korfuzit, dhe jo nga vetë ishulli, një skenar që do të sillte kufirin grek shumë më pranë ujërave detare shqiptare. Edhe pse nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet në Athinë ose Tiranë, toni i përdorur nga Mitsotaqis është një sinjal se negociatat me të do të jenë më të vështira sesa negociatat me qeverinë “Tsipras”.

Minoriteti duket se i ofron atij mundësi të mbajë nën presion qeverinë shqiptare, për të vendosur kushtet e tij për atë që është në të vërtetë molla e sherrit mes Greqisë dhe Shqipërisë: kufiri detar. Dhe ndryshe nga qeveria e mëparshme dhe ish-ministri Niko Kotzias, Mistotaqis dëshiron ta rinegociojë marrëveshjen e re të detit me kushtet e tij.

Kjo vijë e kufirit të detit, ku Shqipëria dhe Greqia ushtrojnë sovranitet të plotë, do të përbente edhe kufirin shtetëror Shqipëri-Greqi në pjesën veriore të Detit Jon. Edhe pse draft marrëveshja e arritur nga Bushati dhe Kotzias ishte gjithnjë e rrethuar nga misteri, gjatë dorëzimit të postit, ish-ministri grek shkaktoi jo pak kaos në Tiranë duke deklaruar se Greqia do të zgjeronte me 12 milje sovranitetin e saj detar. Edhe pse Athina zyrtare u tërhoq nga kjo deklaratë, Tirana zyrtare ka heshtur, duke mos pranuar as të mohonte dhe as të konfirmonte këto raporte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë