Për kryeministrin italian Xhuzepe Konte, bisedimet maratonë për buxhetin e ardhshëm të Bashkimit Europian ishin një triumf i madh, pasi ai njoftoi se Italia do të ishte përfituesi më i madh i fondit të rimëkëmbjes nga koronavirusi, i cili arriti një total prej 750 miliardë eurosh.
Por fitorja e tij, e festuar me një grusht triumfues në orët e para të mëngjesit të së martës, mund të jetë jetëshkurtër pasi kompromisi i arritur në Bruksel është pritur me kritika të ashpra në shtëpi.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel, vendet duhet të ndjekin një plan kombëtar rimëkëmbjeje, duke realizuar një sërë reformash ekonomike, në mënyrë që të marrin grantet e paketës së shpëtimit të krijuar për të zbutur rezultatin ekonomik të pandemisë.
Marrëveshja gjithashtu i jep çdo qeverie të BE-së fuqinë për të vonuar dhënien e ndihmës ekonomike, nëse një vend mendon se një vend tjetër nuk po i përmbushë premtimet e tij për reformat.
Në Itali, kushtet e bashkangjitura për marrjen e granteve kamë rikthyer kujtimet e së ashtuquajturës Troika dhe masave shtrënguese që u imponuan në Greqi në vazhdën e të krizës së vitit 2015.

Kritikët e djathtë thonë se marrëveshja dobëson sovranitetin e vendit fqinj dhe paralajmërojnë se kjo mund të çojë përpara kërkesat e BE-së për të hedhur poshtë reformat mbi pensionet dhe mirëqenien.
“Koronavirusi është një “kal i ri Trojan” që ka lejuar Europën të marrë kontrollin e Italisë”, thotë Roberto Fiore, i cili kryeson partinë e djathtë Forza Nuova. “Trojka ka fituar,” tha ai. “Ne marrim grante prej 68 miliardë eurosh me një çmim shumë të lartë i cili do të përlajë atë që kishte mbetur nga sovraniteti ynë.”
Matteo Salvini, drejtuesi i Lega Nord, gjithashtu sulmoi marrëveshjen, duke thënë se kushtet e bashkangjitura në fondin e rimëkëmbjes ishin “një dorëzim pa kushte” nga Italia.
“Italia do të detyrohet të ndërmarrë reforma të drejtuara nga Evropa kur bëhet fjalë për pensionet, punën, drejtësinë, shëndetësinë dhe arsimin”, tha Salvini. Ai akuzoi krerët e vendeve të veriut, duke përfshirë kryeministrin holandez Mark Rutte se donin të shkatërronin reformën e tij të pensioneve, e cila e uli moshën e pensionit në 62 vjeç.
“Rutte mund të vijë gjatë pranverës së ardhshme dhe thotë:” Unë nuk do t’i jap paratë Italisë nëse nuk shkurtojmë pensionet”, tha ai ne një konference për shtyp në Romë të martën.
Rutte arriti të vendoste disa kushte për marrjen e fondeve për rimëkëmbjen, përfshirë edhe një kontroll më të ashpër për shpenzimin e tyre, më anë të së cilës shtetet individuale mund të vonojnë fondet deri në tre muaj, duke kërkuar rishikimin e tyre nga drejtuesit e BE-së dhe nën mbikëqyrjen e Komisioni Europian.
Komisioni gjithashtu ka qenë i qartë duke u shprehur se shumë nga vendet anëtare do të duhet të marrin politika shtrënguese në përgjigje të ndihmave ekonomike, pasi kanë pësuar dëme të mëdha ekonomike nga pandemia. Reformat për secilin vend do të përcaktohen nga rekomandimet specifike të vendit të bëra nga Komisioni, jo vendet anëtare.
Për Salvinin, reformat e vendosura nga BE do të dëmtojnë Italinë dhe do ta bëjnë atë më pak konkurruese në tregun ndërkombëtar. Ai paralajmëroi gjithashtu se mekanizmat për shpërndarjen e fondeve të rimëkëmbjes së BE-së mund të kenë ndikim të jashtëzakonshëm politik edhë në mosmarrëveshjet për çështje të tjera të tilla si emigracioni.

“Kur Lega Nord të kthehet në qeveri dhe të bllokojë portet, në varkën e parë të bllokuar, Brukseli do të drejtojë gishtin dhe do të thotë se duhet të tërhiqemi,” tha ai.
Giorgia Meloni, drejtuese e partisë së ekstremit të djathtë Vëllezërit e Italisë, ishte gjithashtu kritike ndaj marrëveshjes, e cila la Italinë me më pak akses në grante nga sa u propozua fillimisht.
Politikanët euroskeptik nuk ishin të vetmit që kritikuan marrëveshjen; madje disa edhe disa zëra pro-europian ngritën dyshime për paktin e rimëkëmbjes pas pandemisë. Stefano Fassina, kreu i partisë së majtë të Liri dhe të Barabartë, i quajti kushtet për marrjen e granteve “shumë të rrezikshme”.
Carlo Calenda, një eurodeputet italian dhe udhëheqës i partisë Azione, e cila u mori pjesë në zgjedhjet evropiane vitin e kaluar nën moton, “Ne jemi evropianë” kritikoi “tonet triumfuese” të qeverisë Conte. Ai theksoi se marrja e granteve nuk është një sukses aq i madh se sa duket, duke pasur parasysh se Italia është një nga kontribueset kryesore në buxhetin e BE-së. Ai gjithashtu solli në vëmendje faktin se fuqitë e mëdha ekonomike si Gjermania siguruan zbritje të madhe për pagesat e tyre në buxhetin e shtatë-vjeçar të BE-së.
Sipas ekspertit Raffaele Marchetti, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Luiss në Romë, gjithçka do të varet nga mënyra sesi Konte e paraqet marrveshjen.
“Nëse mund ta portretizojë rezultatin e samitit si fitore, kjo mund të ndihmojë bashkimin e qeverisë përpara vendimi të vështirë për të aplikuar për fondet e mëtejshme të BE për kujdesin shëndetësor. Koalicioni aktualisht është ende i ndarë në pranimin e parave nga Mekanizmi Europian i Stabilitetit, i cili u përdor për të vendosur masa shtrënguese ndaj Greqisë”, thotë ai. Vendosja e reformave si kusht nga BE gjithashtu mund të ketë një efekt pozitiv pasi Brukseli ka qenë i dobishëm në zbatimin e reformave në të kaluarën.”
Por për italianët, përgjigjja e vonuar e BE-së ndaj krizës së koronavirusit, ishte një braktisje në momentin që kishin më shumë nevojë.
“Por nuk duhet të harrojmë se pa para, Italia do të jetë në probleme serioze,” thotë Marchetti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




