Nga Mendrit Shehu- Fillimi i vërtetë i sportit, kryesisht futbollit në Tiranë, daton në 1920-ën. Para këtij viti gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore, ushtarët e huaj kishin themeluar një skuadër futbolli, ku qytetarët e thjeshtë nuk lejoheshin të merrnin pjesë, por vetëm të ndiqnin ndeshjet. Madje nuk ishte vetëm kjo skuadër, por disa grupime të tjerë të huajsh, të cilët zhvillonin ndeshje midis tyre.
Vetëm pas zhvillimit të Kongresit Historik te Lushnjës, u bë e mundur të flitej për organizimin e sportit në Shqipëri. Në Lushnje, gjatë ditëve të Kongresit, merrnin pjesë edhe disa të rinj të ardhur nga vise të ndryshme të Shqipërisë, të cilët formuan një komision të veçantë për hartimin e një statuti sportiv, që merrte përsipër të themelonte degët e sportit, por duke i dhënë përparësi kryesisht futbollit. Nëpër të gjitha lagjet e Tiranës, pa thënë edhe nëpër rrugica të veçanta lindën shoqëritë e para sportive me emra tejet domethënës: “Djelmënia”, “Agimi”, “Shpresa”, “Pashko Vasa”, “Naim Frashëri”, “Moisi Golemi” etj. Veçmas futbollit dhe lojërave me dorë djemtë tiranas në ato vite kishin pasion të veçantë shëtitjet turistike, njohjen dhe zbulimin e bukurive të natyrës, që treva e Tiranës i kishte aq të shumta.
Agimi
Më 15 gusht 1920, kur një grup intelektualësh tiranas, me në krye: Bahri e Said Toptani, Stefan Shundi, Anastas Koja, Anastas Shundi, Irfan Gjinali, Reshat Tafalla, Jonuz Tafaj etj., u mblodhën në kafe “Kursal”, vendndodhja e së cilës ka qenë në qendër të Tiranës gati ballë për ballë me godinën e Bankës, formuan shoqërinë paraardhëse të Sportklub Tiranës, e quajtur Agimi, skuadra e parë e futbollit e qytetit të Tiranës. Hapi tjetër është ai i institucionalizimit zyrtar të shoqërisë. Interesant është fakti se iniciator ishte Palok Nikaj nga Shkodra, organizatori i sporteve, dhe i ndeshjes së parë të futbollit në historinë e Shqipërisë, asaj të 1913-tës.
Klubi i drejtohet Ministrit të Brendshëm, Ahmet Zogut, i cili menjëherë nxjerr vendimin për një ndihmë prej 1000 frangash ari. Ky është dhe momenti kur skuadra merr formë dhe fillon të stërvitet në fushën e Shallvareve, ku shumë shpejt do të bëhej arena e SK Tiranës së ardhshme, por edhe vetë sportit shqiptar. Ndërkohë, të vëmendshëm ndaj këtyre veprimtarive të djemve tiranas, që tërhiqnin aq shumë shikues në fushën e Shallvareve u treguan disa familje të njohura tiranase që merreshin me tregti. Nën kujdesin e tyre u organizuan disa veprimtari midis shoqërive sportive, që Tirana i kishte të shumta jo vetëm nëpër lagje, por edhe në rrugica. Kështu orëndreqësit e njohur Tufina, organizonin herë pas here kupën “Tufina”. Fituesit, veç kupës së trofeut, fitonin edhe nga një orë dore të markës “Longines”. Të njëjtën gjë bënte shpesh edhe familja Gjinali. Bashkë me kupën, futbollistët fitues fitonin edhe nga një kostum stofi të cilësisë së lartë “Marzzotto” nga më të mirat e asaj kohe. Dalloheshin shumë në këto veprimtari shoqëritë “Agimi”, “Moisi Golemi”, “Kont Urani”, etj.
Pikërisht në këtë kohë nis puna për rimëkëmbjen e Shallvareve, për ndërtimin e zyrave të shoqërisë. Për fat të keq, gjithçka mbetet e papërfunduar. Kryengritja dhe anarkia e vitit 1922, shkaktoi humbjen e të gjithë materialit sportiv, duke e dëmtuar së tepërmi ekipin. Kjo ngjarje dekurajoi pjesëtaret e klubit, aq sa u larguan prej aktivitetit sportiv. Shoqëria “Agimi“, e cili tashme kishte mbi dy vjet ekzistencë, kalon periudhën më të vështirë. Nuk ka me ndeshje, nuk ka organizime apo takime. Shoqëria rrezikon te shuhet dhe shenjë e ekzistencës së saj mbetet vetëm shfaqja e herëpashershme e disa lojtarëve të cilët dalin në stërvitje. Diçka duhej bërë, duhej një ndryshim.
‘’Gjurmësia Shqiptare’’
Është viti 1924 kur lind e ideja e një organizimi të ri. Shoqëria e quajtur e ''Gjurmësia Shqiptare'', merr drejtimin e skuadrës se futbollit. ‘’Gjurmësia Shqiptare’’, në të vërtetë ishte një ent i krijuar nga shteti, e cila organizonte rininë shkollore me udhëtime nëpër Shqipëri, për të njohur mirë vendin, për të rritur ndjenjën e atdhedashurisë dhe krenarisë kombëtare.
‘’Gjurmësia Shqiptare’’ e riorganizon krejtësisht skuadrën, e cila tashmë përbëhet nga djem të rinj, thuajse të gjithë shkollarë. Për shkak se udhëtojnë anë e mbanë vendit, ata kudo qe shkojnë, organizojnë ndeshje futbolli. Në këtë mënyrë skuadra merr gradualisht një rëndësi mbarëkombëtare. Më 1925 , skuadra emërtohet ''Gjurmuesit Republikanë''. Fillon të organizohet, zhvillon stërvitje javore, realizon disa ndeshje miqësorë. Një nga ndeshjet kryesore është ajo që zhvillon në Shkodër, përballë studentëve shkodranë, ndeshje në nder të kryetarit të Republikës Ahmet Zogut. Ekipi nuk ndalet këtu, por zhvillojnë ndeshje në të gjithë vendin. Luajnë në Pogradec, Korçë, Kolonjë, Gjirokastër, duke e përhapur lojën e futbollit kudo.
Edhe pse mbetet ende një skuadër e nxënësve, por tashmë edhe me futbolliste jo-nxënës, madje edhe nga ata të cilët kishin formuar fillimisht Agimin, duke pare rritjen, fuqizimin dhe popullaritetin e saj, regjistrohen në të. Një rikthim me vlera të mëdha dhe meqenëse askush ende nuk guxonte te organizonte një kampionat kombëtar të futbollit, këto ndeshje marrin rëndësi të dorës së parë.
Vitet 1926-27 janë të arta për ‘’Gjurmësinë Shqiptare’’, e cila arrin rekordin e ndeshjeve nëpër Shqipëri. Udhëtojnë në Peqin, Fier, Berat dhe triumfojnë, duke u bërë shembull për futbollin e kohës. Duke parë suksesin dhe formën e treguar, guxohet dhe vendosin të zhvillojnë një miqësorë me një skuadër të huaj. Ftohet skuadra ‘’Crnagorac’’ e Cetinës së Malit të Zi, dhe kjo padyshim duhet të jetë ndeshja e parë ndërkombëtare që luhet në Tiranë. Malazezet me më shumë eksperiencë fitojnë 3-1. Është kjo periudhë kur shfaqet për herë të parë figura madhore e Selman Stërmasit, si kapiten ekipi.
Gjatë kësaj periudhe shfaqen shoqëri të tjera, sidomos ato verore, të përbërë nga studentë shqiptarë që studionin jashtë, por pa mundur të kenë jetë të gjatë. Ndërkohë që shoqëria e ''Gjurmuesve'' kishte zyrën e vet, qendrën e vet. Për shkak se mungonte një organizim i mirëfilltë shtetëror për sportet, shoqëritë sportive filluan të kishin konflikte, ku përjashtim nuk bën as Tirana.
Sportklub Tirana
Në 1926 nis të përmendet Sportklub Tirana, një ekip ende i pa zyrtarizuar: ‘’Kapiteni i skuadrës s’onë Selman Stërmasi tue u këshiliue me studentat e jashtëm fiiloi të formojë shoqninë me tituilin Sport Klub Tirana.”- shkruhet në një nga dokumentet e kohës.
16 gushti 1927 përfaqëson mbledhjen më të madhe, themeluese të Shoqërisë, sepse që prej asaj dite ekipi ka vetëm një emër SPORTKLUB TlRANA. Kjo është dita kur nis historia e madhe Sport Klub Tiranës.
- KRYETAR: TEKI SELENICA
- ARKËTAR: STAS KOJA
- SEKRETAR: ANASTAS SHUNDI
- KOMISAR TEKNIK I ATLETIKËS: AVNI ZAJMI
Sportklub Tirana do të hyjë në historinë e Shqipërisë si Shoqëria Sportive e cila fiton dy kampionatet e parë kombëtarë të një sporti në Shqipëri, atë të Atletikës më 1929 dhe atë të Futbollit më 1930.
Ekipi gjen konfirmimin e madh në pritjen zyrtare që jep për nder të tij me rastin e fitimit të Kampionatit të parë Kombëtar të Shqipërisë në futboll, Mbreti Zog. Pritja e rangut mbretëror bëhet në Durrës. “E ardhmja e kombit asht sigurue, e pra dhe e ardhmja juej asht e sigurte"- do të shprehej Zogu.
Vitet 30
Vitet '30 përfaqësojnë për Sportklub Tiranën, ndërtimin e themeleve të fuqishme të saj, për gjithë dekadat që do të vinë. Më 1931 në një mbledhje që u organizua në kinema "Ideal", zgjidhet një kryesi e re e Shoqërisë.
- KRYETAR: TEKI SELENICA
- N/KRYETAR: ZOI XOXA
- ARKËTAR: AVNI ZAJMI
- ANËTAR: TAHIR GJINALI
- ANËTAR: RAMAZAN JARANI
- ANËTAR: NJAZI TIRANA
- ANËTAR: XHEMAL KUSI
SK Tirana e viteve '30 shënon suksese të shumta. Është periudha kur Federata ''Djelmnia Shqiptare'' vendos ti ndihmojë sportklubet e vendit, pa ua cënuar pavarësinë, financimin e pavarur, duke ndihmuar edhe ajo financiarisht, një lloj sponsorizimi shtetëror. Në këtë periudhë klubi, me kryetar Stefan Shundin vendos të emërojë një trajner të huaj, hungarezin nga Greqia, Samo Singer, i cili ndikon në organizimin e futbollit në Shqipëri, duke formuar skuadrën e parë Kombëtare të Shqipërisë më 1936.
Në 1934, Federata Sportive Shqiptare, cakton teknik të jashtëzakonshëm të SK Tiranës, Selman Stërmasin. Ai drejton riorganizimin e Sportklubit të pas vitit 1934, kur Mbretëria me formimin e Federatës Vllaznija Shqiptare, një lloj Ministrie e Kulturës, themelon shoqëritë jashtëshkollore të të gjithë lëvizjes sportive të vendit. SK Tirana forcohet çdo ditë e më shumë. Futboll, atletikë, çiklizëm, madje dhe turizëm, janë degët kryesore të Sportklubit duke u shndërruar në një nga klubet e parë shumë-sportëshe në Shqipëri.
Selman Stërmasi është gjithmonë aty, në krye të skuadrës së futbollit, trajner, organizator, president financier, zëdhënës shtypi, inovator i një futbolli të përparuar, formues lojtarësh të mëdhenj, ai që zbuloi dy kampionë si Riza Lushta dhe Naim Kryeziu, duke e bërë Tiranën të vetmin ekip që i ka dhuruar Juventusit dhe Romës dy kampionë të rangut evropian.
Vitet e mëvonta
Më pas, e harruar në emrin e vjetër për mbi 45 vjet, duke ndërruar disa herë emërtimin si ''17 Nëntori'' apo ''Puna e Tiranës'', rikthimi te ngjyrat e saj themeluese në vitet '90, ka qenë ringjallja historike e Sportklub Tiranës. Me dominimin absolut në vitet e paraçlirimit, gjashtë tituj në shtatë kampionatet e para, Tirana do të rigjejë veten dhe trofetë nga mesi i viteve 60-të, saktësisht më 1965, atëherë kur në përbërje do të kishte një grup lojtarësh me talent të paimagjinueshëm që evidentuan “shkollën tipike” tiranase, e cila arriti të konsolidonte në dekadat e më pasme “pushtet” më të plotë në fitimin e trofeve.
Rekordet e titujve të saj Tirana i ka thelluar vit pas viti. Janë ndeshur me klube elite të futbollit europian. Në vitin 1965 kundër Kilmarnok të Skocisë (0-0 dhe 0-1), më 1969 me Standard të Liezhit (3-0 dhe 1-1), në shtatorin e 1970- ës ndaj Ajaks të Amsterdamit (2-2 dhe 0-2) dhe më 1989 me Bajern Munih (3-0 dhe 3-1). Pa harruar edhe ndeshjen miqësorë ndaj Milanit, e fituar me rezultatin 2-1. SK Tirana është i vetmi klub futbolli në Shqipëri, përfaqësues të së cilës, të arratisur dhe me fanellat e Kombëtares me shqiponjën e flamurit, të zhvillojnë ndeshje miqësorë me Lazion.
Është meritë e shumë personazheve nga themelimi i kësaj skuadre e deri më sot, që Tirana është një nga ekipet më të suksesshme dhe më të titulluar, ku titulli i 25-të përkoi me 100 vjetorin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.