Analize

SHBA, BE, Kina dhe Rusia “kokë më kokë” për paqen Kosovë-Serbi

Negociatat e paqes mes Kosovës dhe Serbisë ka futur në garë jo Bashkimin Europian dhe SHBA, por edhe Rusinë dhe Kinën. Lajmi i mirë është të katërta superfuqitë duan arritjen e një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës. Lajmi i keq është se duan të ndjekin rrugë të ndryshme për të arritur në destinacionin përfundimtar:Paqen.

 Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë angazhuar prej më shumë se një viti në një beteje për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, Serbia duket se po fton në dhomën e ndjenjës jo vetëm Rusinë, por edhe Kinën.

Pa u numëruar ende kutitë e votimit nga zgjedhjet parlamentare të Serbisë, i dërguari i Posacëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, shkoi në Beograd me një mesazh të prerë për të dyja palët: përpara se të shkoni në Uashington, do të ndaloni një Bruksel. Ai e ftoi Vuçiçin dhe Prishtinën zyrtare në një samit të organizuar nga BE-ja për rinisjen e dialogut më 25 qershor, vetëm dy ditë përpara samitit që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë.

Që nga viti 2018, kur u bllokuan bisedimet dy-palëshe, kjo ishte lëvizja më agresive e BE për t’i treguar SHBA-së se frenat e dialogut i tërheq ajo.

Lajçak duket se i “nxori dhëmbët”  Prishtinës të martën, e cila ka qënë në bisedime të vazhdueshme me Ambasadën Amerikane për t’u përgatitur për dialogun, duke deklaruar se përparimi i Kosovës në rrugën evropiane është i mundur vetëm përmes BE.

“Serbia është po ashtu një pjesë e Europës, problemet tuaja janë problemet tona,” tha Lajçak.

Duke mos e fshehur rivalitetin me SHBA-në, ai deklaroi se rifillimi i procesit të dialogut do të ndodhte më 25 korrik, duke ftuar Kryeministrin e Kosovës Abdullah Hoti për të vizituar Brukselin.

Miroslav  Lajcak dhe Vuçiç, Gazeta Si, 2020

Megjithatë, dialogu Kosovë-Serbi duket se nuk është një tango SHBA-BE, por edhe nga një “çift” tjetër Rusi-Kinë.

Një ditë pas fitores në zgjedhje, presidenti serb Aleksandër Vuçiç është nisur drejt Moskës për t’u konsultuar me presidentin Vladimir Putin përpara bisedimeve në Bruksel dhe Uashington. Ai raportohet se është po ashtu në bisedime të vazhdueshme edhe me Pekinin zyrtar, me të cilin ka forcuar ndjeshëm marrëdhëniet gjatë pandemisë së koronavirusit.

Të dyja këto vende duket se janë të gatshmë të ndërhyjnë në këtë proces, për t’u bërë faktor në skenën ndërkombëtare.

Dialog me dy drejtime

Kosova përballet me dy formate të ndryshme për bisedimet e paqes, atë të ofruara nga Shtetet e Bashkuara që bazohet tek një zgjidhje ekonomike dhe atë të Bashkimit Europian që bazohet tek një zgjidhje politike.

Ekspertët thonë se udhëheqësit institucionalë të Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm në hapat e tyre të ardhshëm, në mënyrë që të mos dëmtojnë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara ose Europën.

Jeta Krasniqi, një analiste në Institutin Demokratik në Kosovë, thotë se për momentin SHBA është partneri më i besueshëm.

“Më duket se Bashkimi Europian, në këtë rast Lajçak, nuk e përmend njohjen e ndërsjellë, pasi ne e dimë që janë pesë vende të BE-së që nuk e njohin shtetin e Kosovës. Kjo e vështirëson rolin e tij, pasi nuk mund të flasë kaq hapur. Nga ana tjetër kemi Grenellin, i cili përfaqëson Shtetet e Bashkuara dhe e ka mbështetur Kosovën që nga viti 1999 deri në pavarësinë e saj, duke e bërë të qartë se duhet të ketë njohje reciproke. Pala kosovare duhet të shohë se si mund të përfitojë sa më shumë nga dy proceset në vazhdim “, thotë Krasniqi.

Gëzim Visopka, profesor në Universitin e Dublinut  thorë se një format bisedimesh vetëm me BE-në rrezikon ta ekspozojë Kosovën ndaj dobësive të ndryshme strategjike për shkak të mungesës së një qëndrimi të unifikuar të unionit për pavarësinë e Kosovës.

“Një format i vetëm me SHBA mund të duket i premtues, por mund të jetë po aq i rrezikshëm për shkak të paparashikueshmërisë së administratës Trump dhe kërkesës së përfshirjes eventuale të fuqive të tjera të mëdha, si Rusia dhe Kina” shtoi ai.

Vuçiç dhe Putin, Gazeta Si, 2020

Rusia në “dhomën e ndenjës

Vuçiç tashmë ka marrë një ftesë në Rusi për t’u takuar me Presidentin Vladimir Putin dhe të vëzhgojë një paradë të Ditës së Fitores për të shënuar fundin e Luftës së Dytë Botërore që u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Rusia e ka bërë të qartë se do të duhet të aprovojë çdo zgjidhje të arritur në bisedimet e paqes mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington të shtunën. Paralajmërimi erdhi një javë më parë nga Sergei Lavrov në një vizitë në Beograd.

Lavrov theksoi se Bashkimi Europian dhe jo SHBA, ka mandatin të ndërmjetësojë në mosmarrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë, por se çdo marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ku Rusia ka fuqi të vetos (Kina po ashtu).

“Ne nuk do të lejojmë përpjekjet për të rishkruar historinë e Luftës së Dytë Botërore ose ngjarjet që ndodhën në Ballkan 25 vjet më parë,” tha Lavrov gjatë një konference të përbashkët shtypi me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

“Dhe ne do të kundërshtojmë në çdo mënyrë qasjet që cenojnë interesat e Serbisë, e cila luan një rol të rëndësishëm dhe pozitiv në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon në këtë fazë”, tha ai. Komentet e Lavrovit sqarojnë se Moska gjithashtu dëshiron të thotë “fjalën e fundit” në atë që ndodh në Ballkan. Vizita e tij në Beograd ishte udhëtimi i tij i parë i huaj që nga fillimi i krizës së koronavirusit.

“Tani jemi padyshim në një garë të madhe pushteti. Për Shtetet e Bashkuara, Europa Juglindore është një hapësirë ​​unike strategjike,” thotë Jelena Milić, drejtore e Qendrës për Studime Euro-Atlantike (CEAS).

Vuçiç nga ana e tij, këmbënguli se çdo vendim për Kosovën do të kishte nevojë për pëlqimin e Rusisë. “Sot, ne u pajtuam të bisedojmë pothuajse çdo ditë me Moskën, të konsultohemi, të shkëmbejmë përvoja dhe njohuri”, tha Vuçiç.

Por Rusia duket se nuk është aleati i vetëm me të cili Serbia është në kontakt të vazhdueshëm.

Vucic dhe Presidenti Xi Jinping, Gazeta Si, 2020

Kina në “dhomën” tjetër

Vuçiç ka shënuar gjatë fundjavës një fitore absolute në zgjedhjet parlamentare, pas një fushate nacionaliste gjatë të cilës u shfaqën shumë flamur. Por nuk ishin flamuj që shihen zakonisht në Ballkanin që pret integrimin europian. Përkundrazi, serbët u panë me flamuj rus dhe për herë të parë me flamurin e kuq të Kinës komuniste.

Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së Covid-19 Vuçiç dhe aleatët e tij të qeverisë kanë inkurajuar 7 milion qytetarët e Serbisë që ta shohin Kinën si jetike për fatin e kombit të tyre. Përpjekjet zyrtare për të përforcuar nocionin e “vëllazërimit” me Kinën, të cilat kanë çuar madje edhe në shtimin e pranisë ruse në Beograd, vijnë ndërkohë që Serbia po përgatitet për të rifilluar negociatat e paqes me Kosovën.

“Unë mendoj Vuçiç po luan kartën kineze kryesisht për të pasur më shumë peshë në arenën ndërkombëtare” thotë Tena Prelec, një studiuese në Oksford.

Kina nuk ka një qëndrim aq të ashpër sa Rusia kundër Kosovës, por ka më shumë ndikim se Moska në arenën ndërkombëtare dhe mund të bllokojë hyrjen e Prishtinës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Nëse nuk jep pëlqimin e saj për marrëveshjen, Kina mund ta bllokojë marrëveshjen në OKB, edhe nëse Rusia jep dritë jeshile. Megjithatë është ende e paqartë cili është interesi i Kinës në negociatat Kosovë-Serbi. Ndoshta, Pekini do të mund të shërbente si kundërpeshë ndaj SHBA-së edhe pse nuk ka të ngjarë që Uashingtoni të pranojë të ulet në një tryezë me Kinën kur bie fjala tek Kosova.

Kina e ka bërë Serbinë qendrën e strategjisë së saj ekonomike dhe politike europiane duke dhënë miliarda në kredi dhe investime në Ballkanin Perëndimor, si pjesë e strategjisë së saj të Rrugës së Re të Mëndafshit. Ajo fiton miliarda në tregtinë vjetore me Serbinë.

Në fillim të pandemisë globale, Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç u bë i pari diplomat i lartë ndërkombëtar që vizitoi Pekinin në kulmin e shpërthimit kinez në fund të shkurtit, në atë që ai e quajti një shfaqje të “solidaritetit” serb me Kinën.

Tani, Vuçiç, siç raportohet nga mediat serbe, po konsultohet jo vetëm me Rusinë, por edhe me ambasadorin kinez në Beograd. Zyrtarët serbë mësohet se i kanë thënë Kinës se Beogradi nuk ka qenë kurrë në një situatë më të vështirë, pasi nuk e di çfarë të presë nga negociatat në Shtëpinë e Bardhë, dhe ato që pritet të mbahen në Bruksel të premten.  Sipas “B92”, Vuçiç mësohet se i ka kërkuar ambasadorit kinez Li Manchang që të përcjellë me kujdes zhvillimet e fundit midis Serbisë dhe Kosovës. Li tha që Presidenti Kinez Xi Jinping do të informohet për gjithçka dhe Serbia mund të besoje gjithnjë tek mbështetja e Kinës.

Disa javë përpara se Grenell të ftonte Kosovën dhe Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, një zyrtar kinez i bëri thirrje Prishtinës të hapte rrugën për nisjen e dialogut me Beogradin, duke i dërguar një mesazh Kosovës, në ditët e fundit të udhëheqjes së ish-kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit vendosi masat e reciprocitetit me Serbinë.

“Kina shpreson që Kosova të demonstrojë vullnetin e nevojshëm politik dhe të punojë në drejtim të rifillimit të dialogut me Beogradin”, tha Yao Shaojun, këshilltar i misionit të përhershëm të Kinës në Kombet e Bashkuara.

Yao tha se Kina respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë dhe kupton shqetësimet e saj legjitime në lidhje me çështjen e Kosovës.

“Kina shpreson që të gjitha palët e interesuara të vendosin interesat e njerëzve të tyre të parë, të përmbahen nga çdo retorikë ose veprim që mund të komplikojë ose përshkallëzojë situatën dhe të krijojë kushte për zgjidhjen e duhur të çështjes së Kosovës”, tha ai.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë