Banorët që jetojnë në “Komunën e Parisit”, por edhe frekuentuesit e qendrës tregtare dhe të lokaleve përreth nuk dëgjuan asnjë të shtënë arme. Kalimtarët panë një mjet luksoz me ngjyrë të bardhë që kishte devijuar nga rruga dhe kishte përplasur disa automjete të parkuara. Dikush mendoi se bëhej fjalë për një aksident, ndaj dhe telefonoi policinë. Kur kureshtarët u afruan në vendngjarje panë një burrë të mbështetur me kryet në sediljen e parë, por ç’është më e rëndësishmja dera nga krahu i djathtë ishte e gjitha e shpuar me plumba. Nuk ishte e nevojshme të pritej policia që banorët ta kuptonin se bëhej fjalë për një atentat. I vrari që ishte ulur në krahun e djathtë të makinës me timon anglez, u identifikua si Hekuran Billa, një 40-vjeçar me probleme të mëdha në të shkuarën e tij dhe jo vetëm.
Ai njihej edhe me një identitet të ndryshuar si Herald Bilali, pasi viktima ishte përpjekur t’u fshihej kundërshtarëve, duke fshirë emrin e mëparshëm. Sidoqoftë, ai nuk e kishte ndryshuar stilin e jetesës, ndonëse autorët që mendohet se qëlluan me silenciator për të larë hesapet dyshohet se kanë humbur të afërm të tyre nga dora e viktimës.
Ngjarja
Në vitin 2006 dyshohet se kur Hekuran Billa së bashku me dy shtetas shqiptarë, anëtar të bandave shqiptare në Britaninë e Madhe u përfshi në vrasjen e Prel Markut. Në lokalin ku ndodhi krimi dëshmitarët gjatë procesit gjyqësor të mëvonshëm përshkruan se si u qëllua me breshëri arme dhe se si tre burra mbetën të dëmtuar. Njëri prej tyre ndërroi jetë menjëherë, ndërsa dy të tjerë u plagosën. Më pas, të tre vrasësit u larguan për t’u arrestuar gjatë ndjekjes, ndërkohë që gjatë hetimeve Billa u konsiderua fajtor nga drejtësia britanike dhe u dënua me burgim të përjetshëm, një dënim që drejtësia atje e zbriti në 34 vjet. E ndërsa Billa pritej ta vuante dënimin në vendin ku vuajti krimin, ai sipas dokumenteve që gazeta Si disponon, shfrytëzoi marrëveshjen mes dy shteteve për të kërkuar ekstradim. Mbas mbajtjes në burgjet britanike, kuksiani u soll në Shqipëri dhe konkretisht në vitin 2016. Pas një sërë kërkesash prej tij, ai u lirua dhe u vendos si i dënuar me kusht. Por një sërë manovrash juridike tregojnë se si fillimisht Billa u refuzua nga gjykatat në kryeqytet. Avokatët e tij e testuan gjykatën përmes një prokure të firmosur nga i ati i vrasësit për të riparë vendimin e gjykatës së Kurorës Snaresbook, ku kërkohej njohje e vendimit të drejtësisë britanike.
Gjykata vendosi dënimin e tij të përjetshëm, duke konsideruar se vuajtja e dënimit kishte nisur një vit pas krimit, pra në vitin 2007, mbi akuzat e vrasjes, vrasje të mbetur në tentativë dy herë dhe plagosje për të shkaktuar lëndim trupor, një vendim i cili më pas u kthye në liri me kusht dhe shërbim prove.
Viktima
Policia ka dyshime të forta se Billa kishte vetëm pesë ditë që ishte kthyer nga Belgjika. Këto janë të dhëna në rrugë informative, thanë agjentë të hetimit të krimeve. Por, ndërkohë viktima rezulton se jetonte në fshatin Domje dhe se kthehej shpesh në zonën ku u vra, pasi aty jeton motra e tij. Kjo i bind hetuesit se viktima është ndjekur dhe vrojtuar për itinerarin e tij.
Vrasësit sipas të dhënave nga këqyrja e kamerave të sigurisë udhëtonin me një mjet luksoz dhe pasi breshërisë kanë lënë Tiranën përmes rrugës nacionale që njihet si Unaza e Madhe, që gjendet fare pranë Komunës së Parisit. Mandej ata e kanë braktisur mjetin e krimit duke i vënë edhe flakën në fshatin Pezë, çka ka sjellë eliminim të gjurmëve të tyre, pasi autorët më pas janë larguar me një automjet tjetër në drejtim të pazbuluar.
Policia ka dyshime të forta se vrasësit mund të jenë nga Shkodra, ndaj dhe kanë nisur shoqërimet, por pa zbuluar konkretisht porositësit dhe qitësit e atentatit kundër 40-vjeçarit.
Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.