Analize

Greqia zien për ndarjen e detit, Tirana hesht!

Që pas arritjes së paktit detar me Italinë, Athina po gëlon prej ditësh për rinisjen e negociatave për detin me Shqipërinë. Vetëm një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes me homologun italian Luigi Di Maio, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias deklaroi se Athina zyrtare ka nisur negociatat për ndarjen e kufirit detar me Egjiptin dhe pastaj me Shqipërinë.

Mediat greke shkruajnë se marrëveshja me Egjiptin mund të firmohet pas disa javësh, për t’u përqendruar tanimë tek vend ynë. Një sërë ekspertësh grekë këmbëngulin se metodologjia e ndjekur me Italinë, mund të përdoret edhe me vendin tonë. Disa prej tyre thonë se negociatat me palën shqiptare pritet të fillojnë së shpejti, ndërsa të tjera, si gazeta “Herald Greece”, thonë se pakti detar me Italinë dhe ai që pritet të arrihet me Shqipërinë, është një kundërpërgjigje ndaj Turqisë, e cila po përpiqet të zgjerojë ujërat territoriale.

Reagimet kanë qenë të shumta nga Italia, Egjipti, Libia dhe Turqia, por jo Shqipëria. Tirana zyrtare ka zgjedhur t’i përgjigjet me heshtje të gjithë vëmendjes së shtuar që po vjen nga Greqia.

Sinjali nga qeveria greke ka qenë i qartë: le të rikthehemi sërish në tryezën e bisedimeve. Por as Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe as qeveria nuk kanë reaguar ende, qoftë edhe për të komentuar marrëveshjen e arritur nga Roma dhe Athina. Gazeta “Si” i kërkoi një koment Ministrisë së Jashtme, por deri në publikimin e këtij shkrimin, nuk ka marrë përgjigje.

Niko Dendias dhe Di Maio

Ky duket të jetë një moment kyç për rinisjen e negociatave mes dy palëve, të cilat do të udhëhiqeshin në këtë rast nga ministri në Detyrë Gent Cakaj dhe zoti Dendias. Komentet e zotit Cakaj në lidhje me ndarjen e kufirit detar kanë qenë gjithnjë të kursyera, duke mos ofruar detaje nëse ka nisur me bisedimet me palën greke nga fillimi apo vazhdoi atje ku e la zoti ish-ministri Ditmir Bushati.

Por pas gati dy vitesh “pushim” që nga dorëheqja e ish-ministrit Niko Kotzias, marrëveshja e arritur me Italinë, dërgon një impuls që Shqipëria dhe Greqia të nxjerrin sërish nga sirtari dosjen e problemeve dypalëshe. Burime nga Ministra e Jashtme i thonë Gazetës se pas largimit të zotit Bushati, nuk ka pasur shumë përparime kontrete në negociatat me Greqinë, kjo edhe për shkak të qëndrimit të ashpër të palës greke për minoritetin grek në Shqipëri.

Por siç shkruajnë mediat greke, Athina duket se ka gjetur tanimë vullnetin t’u japë fund mosmarrëveshjeve të hapura dhe të bëjë disa lëshime që nuk i konsideronte një vit më parë.

Gazeta greke “Protothema” raporton se pas marrëvshjes së presidentit Erdogan me Libinë, nëpërmjet së cilës Turqia i çoi kufijtë deri në Kretë, Greqia ka vendosur të mbyllë të gjitha çështjet e hapura ta kufijve. Dhe këtë dëshiron ta bëjë sa më parë.

“Mos ndarja e kufirit detarit me Turqinë, Qipron, Egjiptin, Libinë dhe Shqipërinë mund të krijojë precedent ligjor, që mund të përdoret nga armiqtë e Greqisë për të zgjeruar sovranitetin e tyre detar. Marrëveshja Turqi-Libi ka bërë që Athina të kërkojë nënshkrimin e marrëveshjeve së ndarjes së kufirit detar me shtetet e tjera fqinje”, shkruan gazeta, duke theksuar se marrëveshja me Egjiptin pritet të firmoset pas një jave.

Megjithatë, duke parë heshtjen e Tiranës zyrtare, është e vështirë të themi nëse pala shqiptare do ta shfrytëzojë momentin.

Çfarë kërkon Mitsotaqis?

Gjatë takimit të tyre të parë në Nju Jork, kryeministri Qiriakos Mistotaqis dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama ranë dakord të hapin të gjitha çështjet e mbetura pezull, përfshirë edhe çështjen e kufirit detar. Nisja e diskutimet të çështjeve të hedhura në tavolinë ka të ngjarë të jetë një misioni i veshtire si për Ramën ashtu edhe për Mitsotaqis, duke marrë parasysh se ky i fundit ka kërcënuar disa herë Shqipërinë me veto për cështjen e minoritetit grek.

Duke parë deklaratat e kryeministrit Mitsotaqis, si në kohën kur ishte në opozitë si tani që është në krye të qeverisë, mund të themi se ndarja e kufirit, ka të ngjarë të mbetet “mina me sahat” në tryezën Rama-Mitsotaqis.

Çështja e detit, e cila mbeti në harresë për vite të tëra si për shkak të neglizhimit ashtu edhe për arsye ideologjike, u risoll sërish në vëmendje në pranverën e vitit 2017, kur së bashku me negociatat për emrin e Maqedonisë, Kotzias filloi edhe maratonën e bisedimeve me Shqipërinë. Tsipras dhe Rama duket se kishin gjetur gjuhën e përbashkët për kufirin detar, madje përflitej se marrëveshja për kufizimin e zonave detare dhe heqjen e ligjit të luftës ishte drejt përfundimit, por as pala greke dhe as ajo shqiptare nuk kanë dhënë detaje për përmbajtjen e këtyre marrëveshjeve, duke bërë që bisedimet të ishin gjithnjë të rrethuara nga misteri.

Vetë Mitsotakis deklaroi se nëse vinte në pushtet se do të punonte për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mbetura mes Greqisë dhe Shqipërisë në frymën e vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit, por është ankuar vazhdimisht se retorika e zjarrtë drejtuar publikut të brendshëm nga lidershipi politik i Shqipërisë nuk ishte konstruktive.

Gjatë kohës që ishte në opozitë, kryeministri konservartor grek ka dalë kundër marrëveshjes së detit të hartuar nga ish-ministrat Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, edhe pse një dokument i tillë nuk është bërë kurrë publik, por edhe ka paralajmëruar për bllokim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, pa u respektuar te drejtat e minoritetit grek dhe të pronave të tyre. Partia Demokracie e Re dhe vetë Mitsotaqis e kanë cilësuar marrëveshjen e vitit 2009 një “vepër arti” dhe nisi të përdorë termin tradhti ndaj Nikos Kotzias për diskutimet për çështjen e kufirit detar.

Duke parë retorikën e tij para dhe gjatë fushatës, duket tejet e vështirë që Mitsotakis të firmosë një marrëveshje të negociuar nga kabineti Tsipras dhe sidomos nga Nikos Kotzias, njëri prej ish-ministrave më të sulmuar prej Demokracisë së Re.

Për dinastinë politike Mitsotakis, marrëveshja e detit, e nënshkruar në 2009, mes Dora Bakojanisit (motra e tij) dhe Lulzim Bashës, si ministra të Jashtëm dhe Sali Berishës e Kostas Karamanlis si Kryeministra, është e duhura. Vetë Bakojanis e ka cilësuar pak muaj më parë atë pakt të arritur si një “vepër arti” në karrierën e saj si kryediplomate e Greqisë dhe hamendësonte se rrëzimi i marrëveshjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri ishte bërë me ndërhyrjen e Presidentit turk, Recep Taip Erdogan.

Por frika nga Turqia, dhe precedenti që ka krijuar marrëveshja Libi-Turqi, duket se e ka bërë tanimë Greqinë të rimendojë politikën e saj për mosndarjen e kufijve detarë, përfshirë edhe atë me vendin tonë.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë