Futboll

Zhdukja e Numrit 10: Rasti i Brazilit të evropianizuar

Dikur kjo tokë ka prodhuar lojtarë si Pelé, Rivelino, Zico, Rivaldo, Ronaldinho dhe Kaká. Lojtarë që e kanë bërë numrin “10” të Brazilit një fanellë ikonë, të dëshiruar nga fëmijët, sepse përfaqësonte më të bukurën e futbollit: klasin, teknikën, alegrinë, lojën që bën publikun të ëndërrojë. Sot, është rreziku që kjo 10 të mos ketë një lojtar të denjë si paraardhësit.

Ka shkaktuar shumë polemika një frazë e Rivaldos në 2019: “Është e trishtueshme të shohësh se çfarë ka ndodhur me fanellën numër 10, ia dhanë Paquetá”. Si të donte të theksonte një rënie drastike në kualitet. Për të shmangur keqkuptimet: Brazili ka Neymar, askush nuk e harron, por ka dyshime mbi aftësitë teknike. Neymar i ka të gjithë karakteristikat për të bërë fantazistin ose sulmuesin e dytë, por në klub e në kombëtare pozicionohet si sulmues i jashtëm krahu. Situata e Neymar reflekton mbi një krizë të përgjithshme të ‘’trekuartistit’’, rol që gjen gjithnjë e më pak hapësirë në futbollin bashkëkohor. “10” e parë që e pësoi ishte Ronaldinho, “i detyruar” të luante në të majtë tek Barcelona. Por ishin vite kur ish-milanisti mund të luante kudo dhe të bënte diferencën.

Në futbollin elitar gati asnjë skuadër nuk luan me fantazistin klasik dhe talenti duhet shpërngulet në krahë dhe të përshtatet me shpejtësinë, një karakteristikë themelore në futbollin e sotëm. Pak a shumë si në vitet ’90 me 4-4-2, ku rendësi kishte taktika. Neymar është ai që e ka pësuar më shumë, pasi edhe pse ka ruajtur karakteristikat e 10-ës, roli aktual e largon nga porta dhe për kundërshtarët është më e thjeshtë ta mbyllin në krah. Pastaj nëse O’Ney arrin të shpërthejë, është për shkak të aftësisë së tij. Por tjetër gjë është të bësh diferencën në Ligue 1, tjetër në ndeshjet kyç në Botëror, kur 10 për tu veshur është verdhëjeshil. Mirë në 2014, shumë zhgënjyes në 2018 dhe në Katar do të jetë 30 vjeç dhe ndoshta shansin e fundit për ta parë në nivele të larta me Selecaon.

Vlerësimi i Neymar, sipas Transfermarkt, është ulur me 52 milionë euro në dy vitet e fundit. Bëhet fjalë për rënien e dytë më negative në botë pas Gareth Bale (-58 milionë). Më prapa, por gjithnjë në top 10, është një tjetër brazilian: Philippe Coutinho, me 44 milionë diferencë. Vendimtar tek Liverpool dhe në periudhën e parë tek Barcelona, Coutinho në dy vitet e fundit ka dështuar: tek Bayern Mynih numrat janë pozitiv, por në Bavari ish-interisti nuk arrin të bëjë diferencën kur gjërat bëhen keq, deri në pikën që e fillon nga stoli në ndeshjet më të rëndësishme si në drejtimin e Kovac ashtu edhe të Flick.

Pra, “futbolli bailado” brazilian është çnatyruar, duke shkuar drejt një “evropianizimi” që ka limituar talentin natyral për ti dhënë hapësirë shpejtësisë. Një ndryshim që është nisur nga Kaká dhe që Neymar tani ka për detyrë ta plotësojë. Ndërkohë, Brazili zbuloi se mund të fitojë edhe pa O’Ney: merita është e teknikut Tite, që për Copa America 2019 i besoi një skuadre me Alisson, Thiago Silva, Marquinhos e Casemiro. Pastaj kishte lojtarë me talent, ofensivë por jo anarkistë, që ishin në dispozicion të skuadrës. Dikush ia doli, si Gabriel Jesus që kaloi në të djathtë për ti lënë në qendër vendin Firminos. Të tjerë jo: Por të driblojnë kundërshtarët është detyra e tyre dhe nëse Neymar dhe Coutinho gjejnë çelësin për të vendosur edhe ndeshjet që kanë rëndësi, Brazili do të bëjë jackpot edhe në nivel botëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë