Shkencë

Studimi i MIT: Lagështia dhe temperaturat e larta ngadalësojnë koronavirusin

Shkencëtarët e Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (MIT) kanë zbuluar se koronavirusi i ri shpërndahet më ngadalë në vende me lagështi dhe temperatura të larta, duke përforcuar dy studime të mëparshme që kanë mbërritur në ditët e kaluara në të njëjtin përfundim.

Studiuesit thonë që në fillim të analizës së tyre se në këtë përfundim kanë mbërritur duke analizuar shifrat e të infektuarve në shtetet e SHBA dhe në vendet e tjera të botës, të cilat jo domosdoshmërisht tregojnë se virusi është më pak i rrezikshëm dhe agresiv në vende me klimë të ngrohtë dhe të lagësht.

Grupi i shkencëtarëve që ka analizuar këto shifra nuk e lidhin me sjelljen e virusit, por propozojnë një tjetër teori. Ata thonë se moti me lagështi dhe i ngrohtë ul mundësitë e përhapjes së virusit përmes tështimave dhe spërkave të nxjerra nga personat e infektuar kur kolliten.

“Një shpjegim i mundshëm mund të jetë fizik. Spërkat e vogla që nxjerrim kur kollitemi, apo kur tështijmë në një mot të ngrohtë dhe të lagësht mund të mvishen nga bulëza uji mikroskopike që fitojnë peshë dhe më pas thjesht bien në tokë, së bashku me virusin. Kur është ajër i thatë dhe i ftohtë, ato mund të qëndrojnë më gjatë në ajër, duke shtuar mundësitë që të përfundojnë në aparatin frymëmarrës të dikujt tjetër”, thonë studiuesit e MIT.

Nisur nga ky studim, gazeta “Si” sjell mesataren mujore të nivelit të lagështisë në Tiranë. Agjencia “Weather & Climate” e rendit kryeqytetin e Shqipërisë në listën e vendeve me lagështi të lartë përgjatë të gjithë vitit, duke kaluar shifrën e 60 përqindëshit. Muaji më i lagësht konsiderohet nëntori, ndërsa më i thati muaji gusht. Në këtë periudhë, sipas kësaj agjencie, lagështia mesatare mujore është mbi 70 për qind.

Megjithatë, lagështia nuk e mbrojti Bergamon nga shndërrimi në kryeqendrën e re të pandemisë në botë, pas Uhanit në Kinë. Qyteti verior italian ka një lagështi mesatare vjetore mbi 80 për qind thuajse përgjatë të gjithë vitit. Por, shkencëtarët e MIT thonë se vetëm niveli i lartë i lagështisë nuk mjafton dhe se për të ngadalësuar përhapjen e virusit nevojiten edhe temperaturat e larta, që në Bergamo, sidomos përgjatë periudhës së dimrit dhe në javët e para të pranverës mungojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë