Nga SabinaVeizaj-Shuplakat e organizmave ndërkombëtarë që ndihmojnë por dhe mbikëqyrin Qeverinë shqiptare, kanë rënë në faqe të nxehta e nuk janë ndjerë.
Për ndryshe, aktualiteti ekonomiko-financiar i vendit do të fliste me një tonalitet zëri tjetër.
Borxhi i lartë publik dhe mungesa e lartë e transparencës në lidhje me koncesionet PPP, janë ato çështje që djegin kësulën e shqiptarëve dhe shqetësojnë ndërkombëtarët, por ajo që duhet t’i dalë ballë këtyre barrëve që është qeveria, ka vendosur të ndjekë kursin e saj të panegociueshëm.
Këtë javë në Tiranë ka mbërritur Misioni i FMN-së për të arritur një marrëveshje. Bisedimet si gjithnjë mbeten sekret. Dhe vetëm në fund ka nga njëdeklaratë për shtyp ku flasin më shumë Ministri i Financave dhe Guvernatori. Nuk jemi larg të vërtetës kur hamendësojmë se axhenda e negociatave do të lidhet me borxhin e lartë dhe koncesionet pa kufi.
Përpara se të vinte FMN, përfaqësuesi i saj në Tiranë ka folur shpesh hapur e qartë tek mediat se praktika aktuale e dhënies së koncesioneve, nga qeveria shqiptare me propozime të pakërkuara duhet eliminuar. “Cili është procesi për përzgjedhjen e investimeve publike, sepse nuk është çështje vetëm e PPP-ve. Përpara se të merret vendim, të bëhet një vlerësim i kujdesshëm në mënyre që qeveria të mos marrë më shumë rreziqe dhe bëhet fjalë për projekte që jo me doemos i shfaqin rreziqet në pasqyrat e qeverisë. Në rastin e propozimeve të pakërkuara, është parë që zakonisht ndodh që qeveria merr më shumë rreziqe, të cilat më pas sjellin kostot e tyre përkatëse.”
FMN që njihet për ekspertizë cinike deri në detaje, është shprehur e pa qartë për përfitimet që shqiptarët do të kenë nga kjo formulë e koncesioneve. Madje ajo dyshon se rrethi i përfituesve është fare i ngushtë.
Por teksa të dërguarit e misionit të FMN ishin duke fluturuar drejt Tiranës , në zyrat e kryeministrit Rama kishte mbërritur edhe raporti i Komisionit Europian, i cili vendos shenja referimi për vendimmarrësit e Brukselit në procesin e integrimit. Në raportin e bërë publik , i kërkohet qeverisë shqiptare të ulë borxhin, pasi vlerësohet sa 69% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe është shumë i lartë për një ekonomi si e Shqipërisë.
Se sa ky raport do të përfillet dhe se sa diktuese apo dhe kërcënuese do të jetë FMN për të ndalur hovin e koncesioneve si shkaktarin kryesor që rrit borxhin, kjo mund të vihet në dyshim sepse bisedimet po ndodhin në kontekstin e faktit të ndodhur .
Janë katër projekte që qeveria ka nisur deri më tani nga paketa “1 miliard” në formën e koncesioneve me Partneritet Publik-Privat me vlerë 86 miliardë lekë që do tu rëndojnë xhepave të shqiptarëve, nga 148 miliardë lekë që pritet të atribuohen në total këtë vit. Së bashku me koncesionet PPP të dhëna deri në dhjetor 2017, vlera totale e koncesioneve me këtë formë financimi arrin në 259 miliardë lekë, ose 17% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas relacionit shoqërues të buxhetit, për vitin 2017 taksapaguesit shqiptarë paguan mbi 78 miliardë lekë për koncesionet, që paguhen përmes buxhetit. Në buxhetin e 2018-ës, fatura e koncesioneve është rritur në 9.4 miliardë lekë për shkak të hyrjes në fuqi të kontratave të reja koncesionare, por edhe rritjes së pagesave për disa prej koncesioneve ekzistuese. Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për pagesat e ardhshme flasin për 125 milion euro që i atribuohen PPP-ve. Fatura e koncesioneve për buxhetin e shtetit, rrjedhimisht për xhepat e shqiptarëve po rritet në mënyrë galopante, që përkthehet në rritjen e faturës së borxhit për të financuar PPP-të.
Në vetëm tre vjet, fatura e koncesioneve për buxhetin është rritur me më shumë se dy herë.
Borxhi Publik në 2017-ën u vlerësua me 71,5 % të PBB-së me trend rritës krahasuar me 2016-ën, duke marrë parasysh që një nga premtimet kryesore me ardhjen në pushtet të kryeministrit Rama, ishte ulja e borxhit publik të cilin qeveria Berisha në 2013-ën e kishte lënë 65,56 % të PBB-së. Borxhi ka patur rritjen e tij historike në 2015 me 72,65 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Koncesionet apo borxhin?
Gjithë kabineti qeveritar, veçanërisht Ministri i Financave Ahmetaj dhe ai i Infrastrukturës Gjiknuri , e kanë mbrojtur mëse njëherë argumentin se do të vijojnë me koncesionet si mënyra më e mirë për të avancuar me investimet publike dhe kapur kohën e humbur. Fakti që kanë vijuar me koncesione të reja , tregon pak gjasa që qeveria të heqë dorë. Por ajo premton “sinqerisht “ se do të ulë borxhin. Faktet në shifra tregojnë se ajo nuk mund t’i bëjë të dyja: edhe të ul borxhin dhe të vijojë me koncesionet.
Së pari se rritja ekonomike është e vogël . Me shpresat dhe “optimizmin mediatik” të zotit Ahmetaj ajo mund të arrijë 4 për qind, por nuk garantohet se do të vijojë të rritet më tej në vite( paralajmërimi i BERZHdhe BB)
Dhe së dyti aftësia e dobët e qeverisë për mbledhjen etë ardhurave në buxhet. Në raportin e fundit Komisioni Europian e thotë qartë“përformancë e ulët”
Që qeveria t’i qëndrojë kokëfortë bindjes së saj por të kënaqë edhe FMN dhe BE, ka vetëm një rrugë dalje: të rris taksat.
Taksaaaa…
Në katër vjet barra fiskale për ekonominë është rritur me 1 miliardë dollarë dhe gjysma e kësaj fature është rritje e drejtpërdrejtë e taksave.
Vitin e kaluar biznesi dhe qytetarët paguan 430 miliardë lekë ose 4 miliardë dollarë taksa dhe tatime për qeverinë. Krahasuar me katër vjet më parë, shuma e taksave dhe tatimeve që qytetarët kanë paguar për buxhetin është rritur me 33 për qind ose rreth 1 miliardë dollarë.
Ndonëse gjysma e kësaj fature është rezultat i luftës ndaj informalitetit, rritjes natyrale ekonomike dhe asaj të çmimeve, plot 500 milionë dollarë janë rritje e drejtpërdrejtë taksash mbi qytetarët dhe biznesin. Por kush e ka mbajtur barrën e rritjes së taksave në këto katër vitet e fundit?
Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike në relacionet shoqëruese të paketës fiskale, më total përgjatë viteve 2014-2015, qeveria e rriti barrën e taksave për qytetarët dhe biznesin me rreth 380 milionë dollarë. Përfshirë dhe barrën shtesë nga taksat vendore, fatura e rritjes së taksave përgjatë katër viteve të fundit është 500 milionë dollarë ose gati 4 për qind e Prodhimit Kombëtar.
Pjesa dërrmuese e kësaj fature ra drejtpërdrejt mbi qytetarët përmes rritjes së taksave të konsumit dhe vetëm një pjesë e vogël u pagua nga të pasurit ( bizneset e mëdha).
“Nuk keni parë gjë akoma” shprehje e thënë në parlament nga kreu i qeverisë që në praktikë ua ka dëshmuar shqiptarëve këto pesë vjet, të cilët me kërshëri po presin të shohin edhe për sa se sa ka akoma.
Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar me fillimin e pagesave, fatura e koncesioneve për buxhetin në vitin e fundit të mandatit të kësaj qeverie pritet që të kërcejë në mbi 22 miliardë lekë në vit, saktësisht sa shifra e parashikuar e deficitit buxhetor.
Edhe Rama nuk na e thotë, ne tani e dimë se duke filluar nga viti 2021, i gjithë borxhi publik do të shkojë vetëm për të paguar koncesionarët privat dhe taksat për të mbajtur më këmbë qeverisjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.