Analize

King Bibi – Magjistari

Koalicioni që do t’i siguronte shumicën e nevojshmë për të vazhduar qëndrimin në krye të Izraelit mund të duket ende larg, por pas zgjedhjeve të së hënës, Benjamin Netanjahu mund të quhet me plot gojën: një magjistar i politikës.

“King Bibi”, siç quhet shpesh nga mediat vendase drejton Izraelin prej 14 vitesh, 11 prej të cilëve pa shkëputje. Vetëm dy javë para gjyqit mbi akuzat e ngritura kundër tij për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera dhe mashtrim, me pjesën më të madhe të mediave, por jo të gjitha kundër, me ish-oficerë sigurie dhe diplomatë që deklaronin vazhdimisht se ai ishte një kërcënim për demokracinë, Netanjahu sërish fitoi.

Detyra për të ndërtuar një koalicion nuk duket e lehtë, por me të gjitha partitë politike dhe qytetarët të lodhur nga zgjedhjet e njëpasnjëshme këtë herë duket e sigurtë se Netanjahu do të vazhdojë që të mbajë në duart timonin e drejtimit të Izraelit, pasi do t’i mjaftojnë vetëm 2-3 mandate për shumicën e nevojshme.

Por ku qëndron sekreti i njeriut që shumë e lanë për të vdekur politikisht në Izrael? Magjia e figurës së “King Bibit” është se ai në periudha të vështira shndërrohet në një makineri politike, sidomos në fushata elektorale.

Askush nuk zhvillon fushata elektorale më mirë se ai! Askush! Ka energjinë, karizmën dhe mbi të gjitha aftësinë e rrallë për t’u përballur me votuesit e tij sy më sy. Ai di gjithashtu se çfarë temash të prekë – hebrenjtë dhe krenarinë zioniste dhe të mbjellë frikë mes qytetarëve mbi rrezikun e së majtës në pushtet.

Përveç këtyre, Netanjahun e ndihmon edhe rekordi pozitiv i qeverisjes në dekadën e fundit, që nga siguria, diplomacia dhe ekonomia. Thuajse të gjithë izraelitët deklarojnë me bindje se vendi është shumë herë më mirë në të gjitha fushat në krahasim me 2009.

Po për akuzat dhe gjyqin? Rezultati i zgjedhjeve të së hënës tregoi se shumica e izraelitëve, ose nuk besojnë se Netanjahu është i korruptuar, ose e besojnë atë, por mendojnë se nuk është i mjaftueshëm për të flakur nga dritarja një udhëheqës të staturës së tij.

Deri në një farë mase, ironikisht një pjesë të mirë të këtij suksesi, Benjamin Netanjahu duhet t’ja kushtojë Gideon Saarit, deputetit të Knesset që e sfidoi në muajin dhjetor për t’i marrë udhëheqjen e partisë Likud.

Sfida e riktheu Netanjahun me këmbë në tokë. Ai doli në terren ditë e natë për të folur me bazën e partisë, nga cepi më i largët jugor i Izraelit, në cepin më të largët verior, e po ashtu nga cepi më i largët në lindje, në cepin më të largët në perëndim.

E fitoi garën bindshëm dhe i gjithë procesi i garës brenda partisë e ndihmoi që të rilidhej me njerëzit e thjeshtë, prej të cilëve dukej sikur kishte vite që ishte shkëputur para fushatës së zgjedhjeve të shtatorit të vitit të kaluar. Para këtyre zgjedhjeve, Netanjahu rrallë shfaqej në takime me njerëzit, duke preferuar që të komunikonte me ta pas tavolinës përmes rrjeteve sociale.

Zgjedhjet brenda partisë e riaktivizuan 70-vjeçarin, për të cilin mosha nuk ishte pengesë që të realizonte 2, 3 e deri në katër tubime në ditë, duke komunikuar me turmat, duke u përballur me kritikat e tyre, e madje edhe duke i kritikuar vetë.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte suksesi i Netanjahut dhe Likud në zgjedhjet e fundit. E gjithë fushata e “King Bibit” nuk u përqëndrua tek joshja e elektoratit gri, as tek bindja, apo përçarja e elektoratit opozitar, por vetëm tek bindja e votuesve besnikë të Likud që të mos bojkotonin procesin.

Momenti kyç, apo lëvizja taktike politike prej magjistari e tij nuk ishte as raporti më shumë se miqësor me Donald Trump, as propozimi i Presidentit amerikan si “Marrëveshja e shekullit” për zgjidhjen e konfliktit Izrael-Palestinë, as premtimi për aneksim të territoreve të reja dhe as lirimi i një të denuareje me 7.5 vite burg nga Vladimir pas ndërhyrjes së tij.

Lëvizja prej magjistari e tij ndodhi gjatë fushatës, pak orë para se Donald Trump të njoftonte planin e tij për Lindjen e Mesme më 28 janar. Pikërisht në këtë ditë ai njoftoi se po tërhiqej nga kërkesa për të mbrojtur imunitetin në Knesset.

Vendimi mbërriti surprizë, pak para se Knesset të votonte për ngritjen e një komisioni që do të debatonte dhe me gjasë të refuzonte kërkesën e tij. I gjithë ky proces e kjo përballje do të mbante problemet ligjore të Netanjahut në krye të debatit publik për ditë me radhë, për të mos thënë me javë.

Por, me një goditje, Netanjahu e hoqi qafe këtë kërcënim dhe fill pas kësaj debati mbi akuzat ndaj tij u zëvendësua me debatet mbi gjendjen në Gaza dhe me koronavirusin që po përhapej gjithandej.

Burimi: The Jerusalem Post


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë