Mbretëria e Bashkuar u tërhoq zyrtarisht nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian mesnatën e 31 janarit, 47 vite pasi u bë anëtare e unionit. Periudha e tranzicionit, gjatë së cilës BE dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të arrijnë një marrëveshje tregtare, ka filluar sot dhe do të zgjasë deri në fund të vitit 2020. BE tani ka 27 anëtarë, ndërkohë që Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor duket se kanë humbur një nga avokatet më të fuqishme për anëtarësimin në Unionin Europian.
Një raport i Freedom House parashikon se dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja jo vetëm që ka vonuar anëtarësimin e vendit tonë në BE, por edhe përmirësimin e demokracisë në Ballkanin Perëndimor.
Procesi i pranimit në BE ka qenë “benzina” kryesore për reformën politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor për vite me radhë. Por bllokimit për tre herë të hapjes së negociatave, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gjetur mes një beteje të ashpër franko-gjermane, me Parisin zyrtar që ka dalë kundër zgjerimit dhe Berlinin që ka mbështetur hyrjen e anëtarëve të rinj. Qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar do të ishte thelbësor për të çuar përpara anëtarësimin, por duke qënë se ka nisur procedurat për dalje nga BE-ja që në 2016-ën, Londra ka qëndruar larg kësaj çështjeje.
Së pari, me largimin e Britanisë nga BE, Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor po humbasin një nga avokatët kryesor të zgjerimit. Ndërkohë që shumë vende anëtare janë bërë kritike ndaj zgjerimit, Mbretëria e Bashkuar ka promovuar me forcë si zgjerimin ashtu edhe reformat politike rajon. Së bashku me Gjermaninë, ajo ka qenë i vetmi vend i madh i BE-së që e cilëson rajonin si pjesë të unionit. Por kjo avokate e zgjerimit është larguar. Sigurisht, Mbretëria e Bashkuar do të jetë në gjendje të inkurajojë reformat dhe zgjerimin e BE-së nga jashtë, në një mënyrë të ngjashme me Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, besueshmëria e një politike të tillë në Mbretërinë e Bashkuar pas Brexit do të ishte si t’i thuash Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit “bëj siç them unë, jo siç bëj unë”.

Së dyti, përcaktimi i marrëdhënieve midis Britanisë dhe BE-së ka marrë të gjithë vëmendjen politike të unionit, por edhe të gjitha aparateve burokratike të BE-së, të cilat do të përqendrohen më shumë se kurrë në menaxhimin e kësaj marrëdhënieje.
Procesi i zgjerimit dhe reformat në Ballkanin Perëndimor janë kthyer kështu jo vetëm në një shfaqje anësore, por margjinale dhe e parëndësishme nga këndvështrimi i BE-së. Por mankthui nuk ka mbaruar akoma, pasi Skocia ka sinjalizuar se dëshiron të mbetet pjesë e unionit.
Një makth i tillë ligjor dhe politik pritet të komplikojë edhe më shumë shkëputjen zyrtare të Britanisë së Madhe nga BE dhe do të marrë sërish vëmendjen kryesore të Brukselit për muajt, madje edhe vitet në vazhdim.
Së treti, nëse BE është në një krizë ekzistenciale, ashtu sic thotë kryeministri britanik Boris Xhonson, çfarë kuptimi ka të bëhemi pjesë e Unionit?
Për elitat politike në Ballkan, angazhimi i të cilëve për reforma është tashmë shumë i dyshimtë, pranimi në BE ka qenë një përparësi vetëm për shkak se është kërkesa kryesore e votuesve. Por ndërkohë që BE-ja i përqendronte të gjitha energjitë e saj tek Brexit, ndikimi i Rusisë dhe Turqisë në Ballkanin Perëndimor erdhi duke u rritur. Model “Putin” apo “Erdogan” ka treguar të jetë tejet tërheqës për udhëheqësit e korruptuar të Ballkanin Perëndimor, duke u përafrojnë politikat e tyre më shumë me ta, sesa me BE-në.
Por cilët janë skenarët që paraqiten pas daljes së Britanisë nga Unioni dhe si do të reflektohen ato në vendin tonë?
Skenari i parë është që Britania të përçahet, me Skocinë që do të qëndrojnë në union, dhe ndoshta me Irlandën Veriore që mund të vendosë të mbajë referendum. Skocia nuk mund të vazhdojë të jetë pjesë e BE-së, por mund të detyrohet të rinegociojë kushtet e pranimit paralelisht me raundin e fundit të negociatave pas largimit të Britanisë. Bisedimet e vështira do të çojnë në përkeqësim të marrëdhënieve midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe brenda Britanisë. Në të njëjtën kohë, Referendumi Skocez do të inkurajojë referendum të mëtejshëm në Katalonia. Me gjithë vëmendjen për Mbretërinë e Bashkuar dhe marrëdhëniet e ardhshme, aftësia e BE-së për t’u përqendruar në rajon do të zvogëlohej, edhe nwse BE-ja hap negociatat me Shkupin dhe Tiranwn në mars.

Për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, dinamika transformuese e BE-së do të zbehej, duke u dhënë mundësi liderëve të rajonit t’u bëjnë bisht reformave.
Skenari 2: Britania e përçarë, Europa e bashkuar
Sipas këtij skenari, Skocia shkëputet me një referendum nga Mbretëria e Bashkuar, por vazhdon të qëndrojë në BE, duke e lënë kështu Britaninë të izoluar.
Kjo mund të lehtësojë një zgjidhje që i bën Anglinë, Uellsin dhe Irlandën Veriore anëtare të Zonës Ekonomike Europiane, duke mbajtur kufirin me Skocinë dhe Irlandën. Pas një periudhe vështirësish, BE-ja do të jetë gjendje të rifillojë zgjerimin, por përçarjet brenda Mbretërisë së Madhe do të çonin në një hegjemoni më të fortë gjermane brenda BE-së. Kjo do të përforconte krahun pro-zgjerimit në BE, duke çuar në përshpejtimin anëtarësimit të Shqipërisë në union.
Skenari 3: Britania e bashkuar, Europa e përçarë
Nëse Xhonson do të arrijë të menaxhojë tensionet me Skocinë, Mbretëria e Bashkuar, tanimë jashtë BE-së, do të vazhdojë të mbetet fuqia më e madhe ekonomike dhe diplomatike në Europë.
Si pasojë, Mbretëria e Bashkuar mund të mbetet një aktor i rëndësishëm ndërkombëtar. Për Ballkanin Perëndimor, një skenar i tillë do të ishte më i afërti me status quo-në, megjithatë edhe këtu, ndikimi i Britanisë së Madhe si avokate e zgjerimit dhe humbja e besueshmërisë së BE-në do të vazhdonte zvogëlojnë entuziazmin për reformat.
Këto tre skenarë nënvizojnë rreziqet e konsiderueshme që Brexit mban për Ballkanin Perëndimor. Që nga referendumi i Brexit katër vite më parë, vendet e rajonit nuk kanë mundur të mbështeten më tek BE-ja për konsolidimin e demokracisë.
Lëvizjet shoqërore, mediat dhe institucionet e pavarura kanë pasur më pak aleatë të jashtëm për t’u mbështetur. Për të kundërshtuar këtë prirje negative, tani që Britania doli nga unioni, anëtarët kryesorë të BE-së, veçanërisht Gjermania, por edhe Shtetet e Bashkuara, do të duhet të krijojnë një koalicion të fuqishëm për ndryshimet e shumë-pritura demokratike në Ballkanin Perëndimor.
Burimet: “Freedom House”, “Euractiv”, “Eu Observer”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




