Këtë të diel janë dy muaj fiks nga tërmeti I datës 26 nëntor. Ka probleme kanë mbetur pa zgjidhje që atëherë por të tjera po shtohen. Përherë e më shumë policia po i kërkon prokurorisë të hetojë banorë të zonave rurale se po ndërtojnë pa leje. Pirgu i referimi në prokurori është krijuar me dosje që vijnë kryesisht nga fshatrat e Kavajës, në Vorë, dhe nga fshatrat e Durrësit. I njëjti fenomen po vihet re edhe në fshatrat e kryeqytetit. Vetëm për 24 orë policia firmosi shkresat për shtatë persona . Policia ndonëse pranon se të dyshuarit kanë dëmtime të banesave nga tërmeti, sidoqoftë për të qenë në rregull me ligjin çoi për hetim nga prokororia Ilir Tamizin, Hasan Llashin, Abdyl Baqoshin në fshatin Herraj, Ergil Hakrama nga Pojani , Muharrem Hakrama, Blerim Sefa dhe Flogert Celkavaja dhe Ilir Zela se po ndërtonin pa leje. Që të gjithë pretendojnë se ju janë dëmtuar shtëpitë prej tërmetit dhe që të gjithë janë nga fshatrat e Tiranës. Gazeta Si u interesua për të marrë një buletin të detajuar mbi identitetin e shtetasve që referohen për 12 orë edhe në zonat e tjera , por ky material nuk ju dha.
Megjithatë gazeta” Si” pasi siguroi në rrugë jo zyrtare adresat dhe identitetin e të akuzuarve , udhëtoi drejt fshatit Arbanë dhe Vishaj ku jetojnë tre prej tyre , që sipas policisë kanë tentuar të ndërtojnë pa leje ndërkohë që pretendojnë dëmtime të konsiderueshme nga tërmeti.
Në oborrin e shtëpisë së Zylfie Sefës , vazhdon të jetë e vendosur çadra. Përkarshi shtëpia e vjetër dhe e krisur në qoshet e mureve dhe në shtyllat e verandës Aty jeton e moshuara , bashkë me djalin Blerimin, nipërit dhe mbesat. “Jetojmë me frikë, do bjerë sot do bjerë nesër, tavani ka krijuar bark, shtyllat që u çanë I mbushëm me beton. Por kjo shtëpi nuk bëhet më, një frymë ere do dhe do na zërë brenda” thotë 61 vjeçarja që ndihet e braktisur nga shteti dhe i druhet një tragjedie në familjen e saj.
“Të vijë njëherë Edi Rama, vetëm një herë dhe të jetojë në shtëpinë time” sfidon Zylfia, gjatë intervistës me gazetën “Si”. E gjithë mërzia e të moshuarës lidhet me vonesat e ekspertëve të cilët megjithëse kanë tundur kokën dëshpërimisht për gjendjen e banesës së vjetër të dëmtuar në strukturë , nuk u dhanë asnjë zgjidhje veç çadrës. Por pasi qëndruan gjatë dhjetorit, I ftohti u hyri në palcë ndaj edhe vendosën të bashkëjetojnë me vdekjen. Hynë në shtëpinë e vjetër dhe meqë askush nuk u zgjati dorën, gjetën një zgjidhje. Vendosën të ndërtojnë një dhomë të re
Djali I familjes ,Blerimi, pasi trokiti ngado, vendosi një ditë janari të hapë themele të reja. Ngjitur me shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti dhe ngjitur me çadrën. Blerimi mori para borxh , bleu çimento, shufra hekuri në masë dhe mendoi të ngrinte një dhomë ku të fusnin kokën. E moshuara mes lotëve, tregon muret e shtëpisë së dëmtuar dhe nuk lodhet së përsërituri me ftesën drejtuar drejtpërdrejtë kryeministrit “ Hajde Edi Rama, hajde jeto një ditë dhe një natë, dua të shikoj a fle dot në një shtëpi që do na zërë brenda?”
Ditët kalojnë, kanë kaluar dy muaj dhe shpresat janë të pakta për familjen Sefa, pasi siç shprehet nusja e shtëpisë “ për shtetin kaq vlenim, një çadër dhe asgjë tjetër, as një batanije, as ushqim, as dikush që të kthehej e të shikonte “. Por autoritetet janë kthyer në të vërtetë, por me një mision tjetër. Policia në çdo fshat dhe zonë të prekur nga tërmeti I datës 26 nëntor ka dërguar efektivë që kontrollojnë dhe bllokojnë banorët që të kryejnë ndërtime. Në të vërtetë ka banorë që po e shfrytëzojnë tragjedinë për të kryer meremetime, për të bërë ndërtime për të cilat vështirë se kryheshin më parë pa leje. Por bashkë me ta edhe të prekurit nga tërmeti janë të njëjtë para ligjit. Në familjen Sefa , ashtu si edhe në një fshat tjetër në Vishnjë , Blerim Sefa është vendosur nën hetim dhe disa herë është thirrur në komisariat për t’i marrë deklaratë për dyshimet që polica ka si ndërtim i paligjshëm. Punimet që I kryente vetë Blerimi u pezulluan
Ndërsa nëna e tij proteston në oborr dhe gjatë intervistës me gazetën SI disa herë shpërtheu në lot. “ Kur do vijnë të na japin zgjidhje, apo kur të bjerë shtëpia dhe të mbledhin kufomat tona? E gjetën shtëpinë tonë kur panë që po e bëjmë vetë një dhomë për të future kokën, se tek e vjetra nuk rrohet më me frikë . U treguan të shpejtë edhe për dërgim letrash dhe për të gjitha, po qeveria tha vetë në televizor që kush ka dëme të ndërtojë, me ne po tallen!!”. E moshuara tregon për gazetën Si se pas dëmtimeve u njoftuan të gjithë , u ankuan ngado, por siç pohon ajo “nuk u dukën më në shtëpi, të shohin cfarë hallesh kanë dhe a jetohet në të ftohtë në një çadër”.
Më tej në fshat , emri I 31 vjecarit Floger Celkavaja është referuar në prokurori për ndërtim pa leje. Edhe ai , jetonte në shtëpinë e trashëguar nga I ati. Familja Celkavaja e rrethoi me një rrjetë gardhin dhe pretendon se pasi banesa u rrëzua mblodhi gurët dhe hodhi themelet për shtëpinë e re. Tavolina e veglave të punës ka mbetur aty. Hajdari dhe bashkëshortja Dallëndyshja pretendojnë se shtëpia u shemb nga tërmeti. Në oborr nuk ka mbetur asgjë. Ngjitur me shtëpinë e vjetër gjendet vila e djemve të tyre që jetojnë në Gjermani. Djali tjetër Flogerti jetonte me prindërit , dhe pas dëmeve të shtëpisë përdhese ata vendosën ta shembnin dhe ta ndërtonin nga fillimi. Ai është nën hetim për këtë veprim. Hajdari pranon se I vetmi gabim I familjes që nuk njoftuan për ndërtimet. Ndërkohë I nxehur kërkon llogari duke shtuar “ mirë që s’na ndihmojnë, po pse na I vështirësojnë jetën’
Por policia dyshon se shumë banorë po shfrytëzojnë justifikimin e tërmetit për të rregulluar shtëpitë e vjetra. “ nuk është aq e lehtë, nuk e shmang dot pa I referuar në prokurori, pasi do na ndodhë si ju ndodhi policëve në Urën Vajgurore, do na çojnë tek Spaku kot më kot”, tregon në rrugë anonime një punonjës policie, I cili këmbëngul se për të mbajtur punën , ai plotëson shkresa dhe I referon në prokurori edhe për ngjarje më të vogla. Edhe pse shton se kjo gjë në të vërtetë nuk është aspak kompetencë e policisë , por e institucioneve të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.