Analize

A do të "flasë" shqip Maqedonia e Veriut në 2020-ën?

Viti i ardhshëm pritet të tronditë jetë politike të Maqedonisë së Veriut, duke prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe shqiptarët atje, të cilëve mund t’u duhet të “luftojnë” sërish për përdorimin zyrtar te shqipes.

Ligji për zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe është shndërruar në test për aleancën  mes partive qeveritare, ndërkohë që Maqedonia e Veriut përgatitet për zgjedhje të parakoshme. Rihapja e çështjes së përdorimit të shqipes, për shkak të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, mund të ringjallë debatet e vjetra etnike dhe pritet të ndikojë edhe në fushatën zgjedhore të vitit 2020.

Nën udhëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, i cili është zotuar të përmirësojë marrëdhëniët ndëretnike që kanë trazuar vendin fqinj gjatë viteve të fundit, Shkupi miratoi këtë ligj, duke u dhënë mundësi shqiptarëve të Maqedonisë të flasin shqip në të gjitha institucionet zyrtare. Megjithatë, konstatimi i Komisionit të Venecias se miratimi i ligjit të gjuhës kishte nevojë të rishikohej, pritet të rihapë një beteje të madhe politike në Shkup. Opinioni i Komisionit të Venecias nuk mund të kishte mbërritur në një kohë më fatkeqe për Zaev, i cili duhet të ruajë nga njëra anë aleancën me shqiptarët dhe të joshë nga ana tjetër publikun maqedonas i cili është kundër këtij ligji.

Tani që vend fqinj po përgatitët për zgjedhje, ligji për përdorimin e shqipes ka të ngjarë të kthehet në “armë”në duart e opozitës nacionaliste për të diskredituar Zaevin. Mendimi i Komisionit të Venecias përmendte edhe akuzat e opozitës se Zaev tradhtoi interesin kombëtar duke mbështetur në radhë të parë Ligjin për përdorimin e shqipes .

Këto akuza u përhapën kudo në rrjetet sociale, ku përkrahësit e ish-partisë qeverisëse VMRO DPMNE akuzuan Zaev për tradhti. Pas shtyrjes së hapjes së negociatave dhe Marrëveshjes së Prespës, opozita duket se ka “armë” të mjaftueshme për t’u ringritur sërish në pushtet.  Një skenar i tillë mund të rezultonte katastrofik për ligjin e gjuhës shqipe, pasi VMRO DPMNE-ja është zotuar të hedhë poshtë me të gjitha mjetet e mundshme.

Social Demokratët e kryeministrit Zaev nga ana tjetër, e morën pushtetin në mesin e vitit 2017 duke premtuar “një shoqëri të hapur për të gjithë” dhe kanë nevojë për votat shqiptare në zgjedhjet e ardhshme nëse duan të krijojnë një qeveri tjetër.

Orientimi Euro-Atlantik i vendit fqinj është konsideruar gjithmonë në një nga kauzat që ka bashkuar bashkësitë etnike të Maqedonisë së Veriut. Por edhe pse gjatë 2019-ës, integrimi euro-atlantik pësoi disa vonesa, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut u kthyen në forcën lëvizëse të këtij procesi.

Çështja e Ligjit për gjuhët, i cili shtrin përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në një vend ku shqiptarët përbjënë rreth një të katërtën e popullsisë, u vu si kusht nga partitë shqiptare për miratimin e Marrëveshjes së Prespës.

Ligji për gjuhët u prit me polemika nga opozita maqedonase që nga miratimi i parë në 2018, por çështja mbeti e fjetur për pjesën më të madhe të këtij viti. Sidoqoftë ajo u kthye në vëmendje e VRMO DPMNE-së në dhjetor dhe ka potencialin të shkaktojë zhurmë të madhe në skenën politike në vitin 2020.

Përfundimet e Komisionit të Venecias sugjeronin që qeveria t’i hidhte edhe një sy legjislacionit. Komisioni ka sugjeruar që në disa fusha, Ligji shkonte shumë larg dhe mund të ketë nevojë për korrigjime. Veçanërisht, Komisioni tha që ligji “në shumë aspekte shkon përtej standardeve europiane”.

Ai thotë se në veçanti, përdorimi i shqipes në gjykatë “shkon shumë larg duke e imponuar përdorimin e saj”, pasi shoqërohet me sanksione të rënda në rast të nëse ka mungesë të mjeteve të përkthimit dhe interpretimit gjatë procedurave.

Kjo “mund të ngadalësojë ndjeshëm funksionimin e tërë gjyqësorit, duke rrezikuar shkelje serioze të së drejtës për një gjykim të drejtë”, paralajmëroi Komisioni i Venecias.

Ai gjithashtu tha që ligji nuk kishte qartësi se në cilat raste duhet të zbatohet,  vetëm për shqiptarët dhe ato për komunitetet e tjera.

Venecia rekomandon gjithashtu që detyrimi i përdorimit të shqipes në komunikimet e brendshme dhe ndërinstitucionale midis nëpunësve civilë të kufizohet në komunikime zyrtare të shkruara. Sipas ekspertëve të këtij komisioni,  hyrja e ligjit në fuqi të shtyhet derisa zbatimi i tij të jetë realist.

Nuk është për t’u habitur që partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, BDI-ja kundërshtoi me forcë idenë e rishikimit të ligjit, i cili buron nga Marrëveshja e Ohrit.

Ndryshimi i ligjit të gjuhës “praktikisht do të na rikthejë në kohërat para 2001-it”, deklaroi zëvëndëskryeministri , Bujar Osmani, pjesë e BDI-së.

Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, Gazeta Si , 2019

Reagimi i BDI bëri që kryeministri Zaev të rishikojë premtimin e tij fillestar për të marrë në konsideratë këshillat e Komisionit të Venecias.

Zaev u tha mediave se  nuk do të jemi naivë dhe nuk do të lejojmë hapjen e disa çështjeve që mund të na përcajnë sërish”.

Mes konfuzionit, Zaev atëherë tha se të gjitha rekomandimet e komisionit do të shqyrtohen nga grupet punuese ndër-partiake në përpjekje për të gjetur një mënyrë se si do të zbatohen.

Ligji i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë erdhi pas një marrëveshjeje midis qeverisë dhe partive shqiptare më 15 janar dhe është i bazuar në Kushtetutën e vendit fqinj. Tanimë zyrtarisht, përveç gjuhës maqedonase, shqipja njihet si gjuhë zyrtare në zonat ku ka më shumë se 20 për qind shqiptarë. Ky ligj detyron të gjitha institucionet shtetërore t’u mundësojnë qytetarëve shfrytëzimin, përdorimin dhe zbatimin e shqipes si dhe alfabetit të saj .

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe ka çuar në shtimin e 16 milionë denarëve në buxhetin e qeverisë maqedonase për vitin 2019.

Pak pas këtij vendimi historik, opozita maqedonase reagoi ashpër duke thënë se miratimi i shqipes është vepër penale dhe duhet të dënohet me burg.


“Shpallja e Ligjit për gjuhët në Gazetën Zyrtare është vepër penale për të cilën shkohet në burg. LSDM-ja ka dhunuar edhe njëherë demokracinë dhe ka shkelur rendin kushtetues në Republikën e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.


Emrat e institucioneve shtetërore tanimë shkruhen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe si dhe në gjuhën angleze. Emrat kaë madhësi dhe font të njëjtë, por emri në gjuhën maqedonas do të shkruhet i pari.

Po ashtu sipas ligjit, uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe të mjekëve në Shkup dhe në komunat ku ka shqiptarë janë të shkruara edhe në gjuhën shqipe.

“Procedurat gjyqësore dhe administrative, procedurat për ekzekutimin e sanksioneve dhe ato hetimore, procedurat penale si dhe procedurat tjera të prokurorive publike dhe gjitha organeve tjera shtetërore do të komunikohen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në Nenin 9 të këtij ligji.

Ai përcakton edhe përdorimin e shqipes edhe në procedurat e noterëve dhe përmbarueseve. Po ashtu ligji përcakton përdorimin e shqipes edhe në mbledhjet e Komisionit Shtetërorë Zgjedhor (KSHZ), në emrat e rrugëve dhe shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore në të gjitha komunat ku 20 për qind e e qytetarëve flasin shqip.

Ligji përcakton po ashtu edhe krijimin e një inspektorati për monitorim e zbatimit të plotë dhe të përpiktë të gjuhës shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë