Në historinë parlamentare ka pasur shumë komisione hetimore që janë ngritur si mekanizëm kontrolli nga ana e opozitës, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta. Por gjatë viteve 2018 dhe 2019 do të mbahen mend dy komisione parlamentare hetimore që dështuan, duke mos arritur që të nxjerrin ndonjë raport përfundimtar dhe që sipas Rregullores së Kuvendit, konkluzionet duhet të paraqiten dhe të votohen pro ose kundër nga seanca Parlamentare.
Në marsin e vitit 2018 në një situatë të tensionuar politike, mazhoranca pranoi më në fund kërkesën e PD-së asaj kohe për të krijuar një komision të posaçëm për hetimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, si dhe për të kontrolluar veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore në parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike. Ky komision do të drejtohej nga e deputetit të PD-së, Edi Paloka, pasi do të ishte opozita iniciatore e kësaj strukture të posaçme parlamentare. Objekti i komisionit hetimor është verifikimi i çdo lloj dyshimi për ndikim të paligjshëm në ushtrimin e ndjekjes penale në mënyrë të pavarur nga organet kompetente të ngarkuara me ligj, në hetimin penal të këtij rasti.
Ish-ministri Tahiri ishte në qendër të vëmendjes, pasi Prokuroria kishte kërkuar heqjen e mandatit të deputetit dhe arrestimin e tij për shkak se kishte rezultuar në përgjimet e bandës së Habilaljve të ndaluar në Itali për veprën penale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Mazhoranca do të refuzonte kërkesën e prokurorisë për ndalimin, e kjo bëri që opozita të vijonte betejën në ngritjen e një komisioni hetimor.
Por që në fillim komisionit iu vunë “shkopinj në rrota”, pasi socialistët kërkuan që hetimi për kultivimin e kanabisit të shtrihet jo vetëm gjatë periudhës së qeverisjes socialiste, por edhe asaj të djathtë. Socialistët synonin që të përfshinin edhe zonën e Lazaratit, i cili kishte qenë qendra e mbjelljes së kanabizimit gjatë qeverisjes demokratike. Pra hetimi u kërkuar që nga koha e largët e vitit 1992 dhe këtij.
Gjatë diskutimit në mbledhje të planit hetimor, deputeti socialist Paulin Stërkaj e paraqiti këtë kërkesë para kreut të komisionit, Edi Paloka dhe kërkoi që si dëshmitarë të thirren ish-krerët e shtetit, duke nënkuptuar edhe thirrjen për të dëshmuar të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ndërsa, kryekomisioneri Paloka gjatë parashtrimit të Planit Paraprak Hetimor, ku përcaktohej objekti i këtij komisioni do të deklaronte se duhen thirrur si dëshmitarë nga kryeministri Rama deri tek krerët e policisë apo prokurorisë. Por pavarësisht se u zhvilluan tre apo katër mbledhje të komisionit hetimor, përplasjet mes palëve ishin të forta dhe se kriza politike bëri që disa herë të kërkohej shtyrja e afatit të kësaj strukture të posaçme hetimore.
Deri më 6 dhjetor të vitit 2018 afati i komisionit u mbyll pa rezultat dhe se opozita do të kërkonte në janar të vitit 2019 që Kuvendi ta shtynte sërish afatin. Kërkesa do të paraqitej zyrtarisht në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, por socialistët do ta refuzonin Palokën në kërkesë të radhës.
“Në kushte kur ka dy muaj që komisionit i ka mbaruar mandati, PD dhe LSI të sjellin në formë siç e kërkon Kushtetuta që të vijojë procesi hetimor siç e kërkojnë ata, por në asnjë rast, qoftë Kushtetuta, qoftë ligji, qoftë rregullorja e Kuvendit nuk do të shkelen nga ana jonë se opozita ishte në gjumë dy muaj më parë”, theksoi Balla. Për socialistët në refuzimin e tyre do të nxirrnin si argument, që opozita mund të bënte një kërkesë të dytë për këtë komision hetimor. Kaq do të mjaftonte dhe se opozita do të merrte vendimin që të mos ishte pjesë e Parlamentit, pasi do të ndërmerrte vendimin për dorëzimin e mandatit.
Komisioni për Cakajn që nuk zhvilloi asnjë mbledhje
Një tjetër komision parlamentar do të kërkohej të ngrihej me urgjencë nga ana e opozitës, e kjo pas një konflikti të ashpër që pati mazhoranca me Presidentin Ilir Meta për refuzimin e nxjerrjes së dekretit për të caktuar si ministër të Jashtëm të Gent Cakajt, të kandidaturës së propozuar nga ana e kryeministrit Edi Rama. Një përplasje e fortë dhe që si argument të refuzimit Meta do të paraqiste mungesën e certifikatës së sigurisë që Cakaj nuk e dispononte edhe pse ishte prej kohësh në postin e zv.ministrit të Jashtëm. Në janar të këtij viti, Meta më anë të një letre do t’i kërkonte kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që të niste menjëherë hetimin për këtë fakt që e cilësonte si skandal, pasi një zyrtar i lartë mund të ishte njohur me doukumente të klasifikuara sekrete, në një kohë që nuk dispononte një certifikatë të sigurisë kombëtare. Sipas letrës së kreut të shtetit, Cakaj ka figuruar se për 7 muaj nuk e ka pasur një detyrë të tillë.
Pas kësaj menjëherë opozita do të vihej në lëvizje dhe do të paraqiste më 11 janar kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor me katër çështje kryesore si objekt të punës.
” Verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të veprimeve të institucioneve shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë sigurie” nga DSIK; Roli i Këshillit të Ministrave, Kryeministrit apo ministrave përgjegjës në shkeljen e procedurave dhe rregullave për garantimin e informacionit “sekret shteërore” dhe shkeljen e procedurave për pajisjen e z. Cakaj me “certifikatë sigurie””, ishin dy pikat e para të hetimit.
Ndërsa dy pikat e tjera ishin, “arsyet e moszbatimit të ligjit nga z. Gent Cakaj për mbi 7 muaj dhe pasojat që ka sjellë për sigurinë kombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE; si dhe autoritetet përgjegjëse që kanë lejuar z. Cakaj, të administrojë dhe përpunojë informacion të klasifikuar, pa qenë më parë i pajisur me “certifikatë sigurie””. Mazhoranca pranoi dhe e votoi kërkesën e opozitës për komisionin hetimor duke caktuar anëtarët e saj si deputetët Ermonela Felaj, si nënkryetare, e më pas Xhemal Qefalia, Klotilda Bushka, Alket Hyseni dhe Spartak Braho. Por Komisioni, sipas Kuvendit, e ndërpreu veprimtarinë e tij për shkak të dorëheqjes së nismëtarëve nga mandati i deputetit, pra nga opozita. Ky komision dështoi pa nisur mirë punën, duke mos zhvilluar asnjë mbledhje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.