Viti 2020 do të nisë me ndryshime të mëdha politikë në Maqedoninë e Veriut. Duke nisur nga tre janari, Zoran Zaev nuk do të jetë më kryeministri i vendit fqinj. Ai pritet të japë dorëheqjen, duke i hapur rrugën formimit të qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të parakohshme.
Duke deklaruar se do të mbante përgjegjësi për mos hapjen e negociatave, Zaev vendosi të bënte një hap pas në tetor të këtij viti, edhe pse ky vendim mund të sjellë në pushtet partinë nacionalistë të VMRO DPMNE-së.
Të gjitha partitë në Shkup kanë arritur tanimë një marrëveshje për formimin e qeverisë tranzitore, e cila do të kërkojë dorëheqjen e Zaevit dhe përfshirjen e deputetëve të opozitës në disa poste kyçe. Kjo qeveri do të formohet sipas marrëveshjes politike të vitit 2015.
Zaev u përpoq të shtynte formimin e qeverisë teknike, por u detyra të dorëzohej përballë krizës së thellë politike. Partitë e opozitës ranë dakord që përpara çdo zgjedhje të përgjithshme, do të formohej qeveria teknike për të hequr dyshimet për manipulime dhe presione politike.

Sipas marrëveshjes, posti i Kryeministrit i mbetet me partinë në pushtet. Në këto kushte Social Demokratët e Zaevit konfirmuan emëruan ministrin e Brendshëm Oliver Spasovski për të zëvendësuar Zaev.
VMRO DPMNE gjithashtu pritet të njoftojë emrat e deputetëve që do të emërohen nga radhët e saj, veçanërisht Ministritë e Brendshme dhe të Cështjeve Sociale, të cilat në të kaluarën kanë qënë më të predispozuarit për të kryer parregullsi elektorale.
Bisedimet midis VRMO DPMNE-së dhe qeverisë kanë qene të vështira. Fillimisht opozita në parlament përdori seancat për të bllokuar miratimin e rreth 40 ligjeve dhe rregulloreve të propozuara nga mazhoranca në pushtet. Bisedimet u vështirësuan aq shumë sa Zaev kërcënoi të mos jepte dorëheqjen në fillim të janarit, duke kërcënuar të shtyjë zgjedhjet.
Në përgjigje opozita paralajmëroi se, në një rast të tillë, Social Demokratët “do të merreshin me popullin”, duke lënë të kuptohet mundësinë e protestave në rrugë.
Cështja u zgjidh të premten kur opozita ndaloi debatet e gjata, në mënyrë që parlamenti të ishte në gjendje të kalonte shumicën e ligjeve në një procedurë të shkurtuar.
“Nëse i qëndrojmë fjalës sonë … nuk ka nevojë të shtyjmë zgjedhjet dhe kështu unë do të paraqes dorëheqjen time në 3 janar. Unë besoj se në të njëjtën ditë mandati mund t’i jepet kryeministrit të ri “tha Zaev të Premten pasi çështjet u zgjidhën në parlament. Liderët politikë ranë dakord që zgjedhjet të mbahen më 12 prill.

Sondazhet e kryera nga 15 nëntori deri më 1 dhjetor, te publikuar këtë javë, tregojne të dy partitë se janë shumë pranë më mbështetjen e votuesve.
Në sondazhin, e kryer nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, 20.1 për qind të të anketuarve zgjodhën Social Demokratët, ndërsa 20.4 për qind zgjodhën VMRO DPMNE.
Zaev paralajmëroi rrëzimin e qeverisë edhe në qershor, por Brukseli duket se e bindi të priste deri në tetor, nga frika e ardhjes në pushtet të nacionalistëve të VMRO DPMNE-së. Ardhja e tyre në pushtet do të ringjalljes edhe njëherë mankthin e Nikolla Gruevskit. Një qeveri e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, e cila nuk e pranoi kurrë Marrëveshjen e Prespës, do të rrisë mundësinë e tërheqjes së paktit të nënshkruar me Greqinë duke “errësuar” kështu edhe më shumë perspektivën e pranimit të Shkupit në BE. E thënë shkoqur, rikthimi i opozitës në pushtet nënkupton vetëm një gjë për BE-në: destabilizimin e Maqedonisë së Veriut. I vetëdijshëm se në rast se vendi fqinj shkon në zgjedhje të parakohshme, do të ketë fatin e Aleksis Tsipras, Zaev i bëri një thirrje të fundit liderëve të BE-së që të “hapnin sytë” përpara se të ishte shumë vonë.
Si mund të shkojnë zgjedhjet
Tani që Maqedonia e Veriut shkon në zgjedhje të parakohshme, Zaev ka të ngjarë të ketë fatin e Tsipras, i cili u rrëzua nga qeveria vetëm e vetëm për shkak të marrëveshjes së nënshkruar me Shkupin. Në vend të tij, pritet të vijë opozita nacionaliste, e cila do të ngjitej sërish në pushtet, vetëm një muaj përpara se Maqedonia të bëhet zyrtarisht anëtarja e tridhjetë e NATO-s. Por askush në Berlin, Paris dhe Bruksel nuk dëshiron të shohë VRMO DPMNE në qeveri. Gjatë 11 viteve në pushtet, ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe zyrtarët e tjerë të VRMO DPMNE-së e çuan Maqedoninë e Veriut drejt izolimit dhe afrimit me Rusinë. Gruevksi udhëhoqi për më shumë se një dekadë, duke e zhytur vendin fqinj në varfëri dhe qeverinë në korrupsion.
Qeveria e Gruevskit, i cili u bë kryeministër në vitin 2006, mori nuanca autoritare, diskreditoi opozitën dhe kundërshtarët si edhe çoi gradualisht në rritjen e pakënaqësisë publike. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai sfidoi tërthorazi BE-në duke u afruar me presidentin rus, Vladimir Putin. Ndërkohë që bëhej gjithnjë edhe më i fuqishëm, Gruevksi rifilloi ta merrte pushtetin për të mirëqenë dhe rrjedhimisht, u bë arrogant. Dhe është pikërisht ky tipar ai që ka çuar dhe do të çojë drejt fundit të gjithë liderët e Ballkanit. Arroganca nuk e la ish-kryeministrin maqedonas të merrte seriozisht hetimet e nisura për shkak të përgjimeve dhe as të bashkëpunonte me autoritetet maqedonase, duke mos i lënë zgjidhje tjetër veçse të merrte arratinë. Lideri i tanishëm i VMRO DPMNE-së cilësohet shpesh nga kundërshtarët si “kukull” e Gruevskit dhe është një ndjekës i përpiktë i politikave të ish-kryeministrit maqedonas.

Rikthimi i opoizitës në pushtet do të ishte një goditje e rëndë jo vetëm për qeverinë pro-europiane të Zaevit, por edhe BE-në, e cila do të duhej të negocionte kështu me një qeveri nacionaliste. Arratisja e Gruevskit në Hungari, një shtet anëtar i BE-së, implikon drejtpërdrejtë Brukselin si përgjegjës ndaj sulmit kundër sundimin e ligjit në Maqedoni dhe rajon. E vetmja mënyrë që BE-ja të riafirmojë autoritetin dhe praninë e saj në rajon është nëse siguron menjëherë që partia e Gruevskit të mos ngjitet në pushtet. Për ekspertët nuk ka dyshim se opozita do të vazhdonte me politikat përçarëse ndaj shqiptarëve të Maqedonisë dhe politikat nacionaliste që do ta izolonin më tej vendin në skenën evropiane. Nëse ajo ndjek gjurmët e Gruevskit, ardhja në pushtet e VRMO DPMNE-së do të ishte edhe “shtrimi i tapetit të kuq” për rikthimin e Rusisë në rajon.
Por çfarë ka arritur Zaev?
Pas një periudhe të gjatë paqëndrueshmërie, me ardhjen në pushtet të Social Demokratëve, mes premtimeve për një program të hekurt antikorrupsioni, Maqedonia e Veriut duke se ka nisur reformat për të përmirësuar jetën politike të vendit dhe për të përmirësuar imazhin e saj në Europë. Por asnjë nga këto arritje nuk do ishte e mjaftueshme që qeveria e Zaev t’i mbijetonte “Jo-së” së Brukselit. Një sërë mediash të lidhura me Bashkimin Europian shkruajnë së fundmi se Shkupi është në rrugën e duhur për vendosjen totale të sundimit të ligjit dhe zgjidhjen hap pas hapi të problemeve të brendshme, si krimi i organizuar apo ndarjet etnike. Raportet e fundit të BE vunë në dukje se qeveria e kryeministrit Zaev duket se po merr seriozisht korrupsionin politik dhe po tenton të vërë baza për një shtet demokratik. Rezultatet e Maqedonisë në indekset e ndryshme të korrupsionit po përmirësohen, ndërkohë që imazhi i vendit në arenën ndërkombëtare është tjetërsuar. Megjithatë arritja e tij më e madhe ishte marrëveshja e Prespës, e cila i dha fund mosmarrëveshjeve historike me Greqinë dhe çoi në ndryshimin e emrit të vendit fqinj. Ai dhe ish-kryeministri Tsipras u përfolën madje se do të shpërbleheshin për Çmimin Nobel për Paqe për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Por tani, Marrëveshja e Prespës duket do të jetë dënimi i Zoran Zaev.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



