Parlamenti malazez miratoi mes kaosit dhe dhunës ligjin kontravers të lirisë fetare. Ligji mori votat e partisë në pushtet, Partisë Demokratike të Socialistëve dhe të partive të të gjitha minoriteve, përfshirë shqiptarët, me përjashtim të minoritetit serb.
Deputetët serbë të Frontit Demokratik propozuan mbi 100 amendime për ligjin në fjalë. Propozimet u rrëzuan të gjitha me forcën e kartonit nga ana e partisë së Millo Gjukanoviçit dhe të partive të pakicave të tjera shqiptare, boshnjake dhe kroate.
Pas kësaj, opozita serbe kaloi në planin “B” për të parandaluar votimin e ligjit në fjalë, duke iu drejtuar kryetarit të Kuvendit me thirrjet “Gati të vdesim për Kishën”. Të gjitha skenat ndodhën përpara kamerave dhe gazetarëve që po pasqyronin këtë seancë delikate të parlamentit malazez.
Nga pamjet që qarkullojnë në internet shihet kaosi dhe dhuna e shkaktuar nga revolta e deputetëve serbë, për qetësimin e të cilëve u desh ndërhyrja e forcave të policisë. Këto të fundit arrestuan një pjesë të deputetëve dhe rikthyen normalitetin në seancën parlamentare. 22 persona u arrestuan në total, mes të cilëve 18 deputetë të Frontit Demokratik.
Pas kësaj ndërhyrjeje të policisë, Parlamenti miratoi ligjin në fjalë, që kundërshtohet nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila akuzon se me këtë ligj i merren pronat që i takojnë. Ligji parashikon ndërtimin e një regjistri kombëtar të objekteve dhe pronave fetare, që zotërohej nga Mbretëria e Malit të Zi, para se kjo e fundit të bëhej pjesë e Mbretërisë së Serbisë në vitin 1918.
Sipas këtij ligji, komunitetet fetare duhet të dorëzojnë prova të qarta mbi pronësinë e objekteve dhe pronave të tyre, parashikim që Kisha Ortodokse Serbe thotë se është ndërtuar për ta zhveshur atë nga pronat që ka.
Qeveria mohon këto akuza duke deklaruar se ligji nuk shënjestron asnjë komunitet fetar në vend. Por, kreu i opozitës serbe, Andrija Mandiç thotë se ata që miratuan ligjin rrezikojnë t’i sjellin vendit një “mallkim”. Ai bëri thirrje luftënxitëse.
“Ftoj të gjithë miqtë e mi të luftës nga viti 1991 deri në vitin 1999 që të jenë gati. Duhet të presim më të keqen”, tha ai.
Përveç Parlamentit, serbët protestuan edhe në rrugët e Podgoricës dhe qyteteve të tjera të vendit, duke kërkuar nga Qeveria që të tërheqë ligjin në fjalë. Protestat u udhëhoqën nga drejtuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
Një ditë para votimit, Kryeministri malazez, Dushko Markociç u takua me Mitropolitin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Si, Amfilohije. Kryeministri malazez tha se e kishte “sqaruar atë mbi qëllimin e mirë që kishte ligji në fjalë”.
Por, pak pas takimi duke iu drejtuar protestuesve të mbledhur në Podgoricë, Mitropoliti Amfilohije tha se i kishte bërë thirrje Kryeministrit që të tërhiqte projektligjin në fjalë, ose të shtyne votën për pas Krishtlindjeve të ortodoksëve serbe, që janë më 7 janar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.