Ne rrjet

Kuvendin e Kosovës e merr VV, Konjufca kryeparlamentar. LDK-së i bie kushti i parë

Me 75 vota pro, 27 kundër dhe 6 abstenime në seancën e sotme plenare, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës.
Konjufca është propozuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Krahas kësaj, me 104 vota për, 1 kundër, tre abstenime u zgjodhën nënkryetarët e Kuvendit Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, derisa me 92 vota për, 2 kundër, 2 abstenime Sllavko Simiq nga Lista Serbe, dhe Fikrim Damka nga komunitetet pakice janë zgjedhur gjithashtu nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës. Deputetët që fituan gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor, janë mbledhur sot në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Sipas rendit të ditës, në këtë seancë pritet të zgjidhen organet e reja të kuvendit, kryetari, pesë nënkryetarët dhe të caktohen grupet parlamentare. Seanca u drejtua nga deputeti më i vjetër, Jahja Koka dhe deputetja më e re, Fjolla Ujkani, të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje. Fillimisht është formuar Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandatit të deputetëve. Pasi që ky komision verifkoi mandatet, deputetët e rinj bën betimin sipas ligjit dhe Kushtetutës.


Konjufca, pa paktin me LDK, qeveria në dorë të Thaçit
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës nuk ishte pjesë e ndonjë marrëveshje ndërmjet dy partive që dolën të parat në zgjedhje, Lëvizjes Vetëvendosja dhe LDK. Kjo e ka komplikuar situatën e mëtutjeshme për arritjen e një koalicioni të mundshëm qeverisës për formimin e qeverisë së Kosovës. Vet lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kuti një ditë para seancës konstituive, informoi se nuk ka marrëveshje koalicioni me LDK-në. Kurti ka thënë se LDK-ja e ka refuzuar ofertën e Vetëvendosjes, e cila i ofronte LDK-së pozitën e kryetarit të Kuvendit, një post zëvendëskryeministri dhe pesë ministri në qeveri.
“Është obligimi im moral dhe politik, shtetëror dhe kombëtar, qytetar dhe njerëzor që t’ju njoftoj se në seancën inauguruese të legjislaturës së shtatë, do të shkojmë pa pajtimin për qeverinë. Marrëveshjes për programin qeverisës nuk kemi mundur t’ia bashkëngjitim edhe atë për ndarjen e përgjegjësive. Oferta ime e parmbrëmshme e datës së 23 dhjetor 2019, u refuzua dje nga LDK”, tha Albin Kurti.
Sipas tij, në rast se insistohet që LDK ta ketë edhe pozitën e presidentit, atëherë ai tha se i ka ofruar LDK-së që ta caktojnë një kandidat konsensual dhe jo partiak. Sipas Albin Kurtit, ky është kompromisi i fundit që mund të bëjë lëvizja Vetëvendosje.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se për LDK-në, negociatat nuk kanë dështuar por “ka dështuar vetëm strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”. “Asnjë prej kërkesave tona nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si kërkesë ndaj Vetëvendosjes, për shkak se Vetëvendosja nuk i ka fituar të gjitha përgjegjësitë. Ajo ka fituar rreth 1/4 e votave dhe jo më shumë, pra gati sa ka fituar dhe LDK-ja. Prandaj kërkesat tona kanë konsistuar dhe do të konsistojnë në ndarjen e balancuar të përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit”, tha Isa Mustafa.
Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës çështja tash kalon tek Presidenti i Kosovës, i cili në bazë të Kushtetutës e obligon atë që të nisë bisedat me partinë fituese të zgjedhjeve për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë. Vet Presidenti në një reagim të parë pas konstituimit të Kuvendit, i uroi të gjithë deputetët e Legjislaturës së Shtatë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Versioni i shumë diskutuar mes dy partnerëve që synonin të arrinin koalicion ishte ndarje barabartë e ministrive (5+5), Lëvizja Vetëvendosje merrte kryeministrin, ndërkohë LDK përveç kryetarit të Kuvendit kërkonte edhe postin e presidentit.

Kërkesa e LDK’së për të propozuar emrin për president dhe mbështetja që kërkonte nga VV, ka bërë që dy partitë të shkojnë në seancën konstituive të 26 dhjetorit pa marrëveshje për bashkëqeverisje.

E rrjedhat në seancën konstituive dhe zgjedhja e Glauk Konjufcës në postin e kryetarit të Kuvendit kanë prishur gjithë mozaikun dhe parashikimet për një marrëveshje të mundshme, duke e lënë tashmë situatën në rrethana plotësisht të paqarta.


“Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara, që kërkojnë nivel të lartë të përgjegjësisë për t’i tejkaluar. Nda të gjithë të zgjedhurit e popullit duhet t’i lënë anash interesat politike dhe të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shkroi Thaçi.
Tani pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Presidenti ka në dispozicion vetëm 15 ditë kohë që t’ia ofrojë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeverisës. Në rast se kjo dështon herën e parë, atëherë Presidenti bazuar në Kushtetutë ka të drejtë që të mandatojë një kandidat tjetër për mandatar për themelimin e qeverisë. Dhe nëse edhe herën e dytë dështon që të marrë votat e nevojshme në Kuvend, atëherë Kosova serish shkon në zgjedhje të parakohshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë