Të enjten e 26 dhjetorit është thirrur seanca e konstituimit të Parlamentit të ri të Kosovës, por dy partitë që pritet të qeverisin në Prishtinë nuk e kanë arritur ende një marrëveshje. Madje duket se Albin Kurti dhe Isa Mustafa jo vetëm që nuk takohen, por as komunikojnë në distancë përmes njerëzve të tyre, apo edhe përmes telefonit. Ata janë në pritje të tërheqjes nga pozicionet që po mbajnë peng marrëveshjen. LDK pret që të marrë Presidentin, ndërsa VV pret që partia e Mustafës të tërhiqet nga kjo kërkesë. Nëse palët nuk lëshojnë, gjasat janë që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.
Nëse nesër shkohet në seancën që ka thirrur Presidenti Hashim Thaçi dhe nuk ka marrëveshje, mund të mos zgjidhet kryetari i parlamentit dhe nënkryetarët, e kjo do të thotë që Parlamenti i ri nuk mund të quhet i konstituuar.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës në një prononcim për “Zërin” ka treguar procedurën e konstituimit të Kuvendit. “Në seancën konstituive të 26 dhjetorit, duke u bazuar në dispozitat e Rregullores së Kuvendit, fillimisht do të krijohet një komision për verifikimin e mandateve, pas të cilit do të bëhet edhe betimi i deputetëve. Më tej duhet të procedohet me propozimet për kryetar dhe për nënkryetarë të Kuvendit, votimi i suksesshëm i të cilëve përmbyll procesin e konstituimit të Kuvendit”, thotë ai.
Por seanca mund të vazhdojë për një ditë tjetër në rast se më 26 dhjetor nuk propozohet emri për kryeparlamentar. “Pa votimin e kryetarit dhe të nënkryetarëve nuk mund të ketë konstituim të Kuvendit, që do t’i hapte rrugë rrjedhjes së afateve dhe procedurave tjera kushtetuese për formimin e qeverisë.
“Praktikat e deritanishme tregojnë që në rastet e mos propozimit të kandidatëve për kryetar të Kuvendit mund të vijë deri te situatat kur seancat shtyhen deri në arritjen e konsensusit për votimin e një kandidati të caktuar për pozitat respektive”, ka shtuar ai. Për formimin sa më të shpejtë të institucioneve ka bërë thirrje edhe KDI-ja. Përmes një komunikate për medat ky institut ka kërkuar nga partitë fituese të zgjedhjeve që sa më parë të arrijnë konsensus për krijimin e institucioneve të reja, pa vonesa.
Sipas tyre, subjektet politike kanë pasur mjaftueshëm kohë për të arritur dakordësinë për udhëheqësin e ri të Kuvendit dhe për nënkryetarët e tij. “KDI-ja u bën thirrje subjekteve politike parlamentare që në përputhje me Kushtetutën dhe me vullnetin e qytetarëve të tregojnë përgjegjësi dhe konstruktivitet në arritjen e konsensusit për formimin e institucioneve të reja. Çdo sjellje politike irracionale dhe bllokuese do ta pengojë konstituimin e institucioneve shtetërore dhe do t’i minojë pritjet e qytetarëve për zhvillim ekonomik, për sundim të ligjit, për mirëqenie e për jetë të dinjitetshme”, thuhet në deklaratën e KDI-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.