Para

Borxhi arrin deri në 62.7 % të PPB-së

Shqipëria ka një stok të borxhit të jashtëm bruto prej 8,3 mld eurosh në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2019 i cili është 2.8% më i lartë në terma vjetorë.
Sipas bankës së Shqipërisë rritja e stokut është shkaktuar nga zgjerimi i borxhit të qeverisë .

Stoku aktual është sa 62.7% ndaj PBB-së nominale, ose rreth 4.2 pikë përqindje më i ulët krahasuar me atë të të njëjtës periudhe të një viti më parë.

Qeveria mbetet sektori me peshën më të madhe në totalin e stokut të borxhit të jashtëm, me rreth 45.5%. Ky stok u zgjerua me rreth 7.8% në terma vjetorë, duke arritur vlerën 3,8 mld euro. Në raport me PBB-në nominale, stoku u vlerësua në nivelin 28.5%, rreth 0.5 pikë përqindje më i ulët krahasuar me një vit më parë.

Stoku i borxhit të jashtëm bruto të korporatave depozituese (përjashtuar bankën qendrore) rezultoi në 1,4 mld euro, në rritje me rreth 0.4% krahasuar me një vit më parë. Stoku vlerësohet në nivelin 10.7% ndaj PBB-së nominale, rreth 1.0 pikë përqindje më i ulët me një vit më parë.

Kurse stoku i borxhit të jashtëm të sektorëve të tjerë raportohet në rreth 1,4 mld euro, duke shënuar një rënie prej 3.0% me vit mbi vit. Pesha e tij në totalin e stokut të borxhit të jashtëm ishte 16.3%, rreth 1.0 pikë përqindje më e ulët krahasuar me një vit më parë.
Në fund të gjysmës së parë të vitit 2019, 80.0% e stokut të borxhit vlerësohet të jetë borxh afatgjatë (përfshirë IHD-të), kryesisht në formën e huave. Borxhi afatshkurtër vlerësohet në rreth 20.0% ndaj totalit, i marrë kryesisht në formën e monedhave dhe depozitave nga sektori i korporatave depozituese (përjashtuar bankën qendrore).

Sa të aftë jemi të përballojmë borxhin ?

Referuar asaj mbi bazën se si monitorohet qëndrueshmëria në kohë e ekonomisë kundrejt borxhit të jashtëm bruto; me aftësinë ripaguese të vazhdueshme dhe me mjaftueshmërinë e likuiditetit, në kushtet e domosdoshmërisë së ri pagimit të detyrimeve afatshkurtra, treguesi i borxhit të jashtëm bruto kundrejt eksportit të mallrave dhe të shërbimeve ka shfaqur tendenca përmirësimi prej tremujorit të tretë të vitit 2016. Në fund të tremujorit të dytë 2019, vlera e këtij treguesi ishte rreth 160.1%, duke u zvogëluar me rreth 7.7 pikë përqindje në nivel vjetor.

Megjithë këtë përmirësim , kjo vlerë ndodhet ende lehtësisht mbi pragun teorik maksimal prej 150%.

Sipas BSh-së, flukset hyrëse vjetore të të ardhurave prej eksportit të mallrave e të shërbimeve arrijnë të mbulojnë tërësisht stokun e borxhit të jashtëm afatshkurtër. Raporti midis eksportit të mallrave dhe të shërbimeve dhe borxhit të jashtëm afatshkurtër ka shfaqur prirje rritëse të vazhdueshme. Raporti ndërmjet tyre u vlerësua në 313.3% në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2019, rreth 14.7 pikë përqindje më i lartë krahasuar me një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë