Në fund të korrikut të 2016 –ës, Marianne Ihlen dergjej e vdekur në shtratin e saj në Oslo. Pesëdhjetë e gjashtë vjet më parë, në mars të 1960-ës, ajo e kishte njohur poetin dhe kantautorin jo shumë të njohur, Leonard Cohen, në ishullin grek të Hydra-s dhe përfundoi duke u pavdekësuar në poezitë e tij, në një prej kapakëve të albumeve, dhe në një prej këngëve më të bukura të dashurisë. Atëkohë, 81 –vjeçari ishte në grahmat e fundit të betejës me leuceminë.
Kur mësoi se ish e dashura dhe muza e tij ishte aq shëndetligë, Cohen u mallëngjye aq shumë sa i shkroi një letër. “Epo Marianne, kemi ardhur në këto kohë ku jemi kaq të moshuar, trupat tanë po rrënohen dhe mendoj se do të të ndjek shumë shpejt”, i shkroi. “Dije se jam aq pranë teje sa nëse e zgjat pak dorën, mendoj se e arrin timen.”
“Siç e di të kam dashur gjithmonë për bukurinë dhe për mençurinë tënde, por nuk më lipset të them asgjë më shumë, sepse ti e di. Por tani, dua të të uroj udhëtim të mbarë. Mirupafshim shoqe e vjetër! Dashuri e pafund, mirutakofshim në fund të rrugës.” Pas tre muajsh, Cohen vetë vdiq, me leuceminë që renditej si shkak kontribuues.
Letra e Cohen ishte përgjigje e ndjerë e historisë së tyre, e cila nisi pasi e pa duke ecur në ishull me të shoqin, romancierin norvegjez Axel Jensen. Cohen sapo ishte larguar nga Londra drejt ishullit që ishte një shenjtërore për artistët, bohemët ndërkombëtarë dhe udhëtarët.
Siç do të komentonte ai më vonë “Nuk e kisha idenë se do të kaloja dekadën e ardhshme me gruan e këtij burri.”
Kur modelja, e cila punonte me kohë të pjesshme, u nda nga i shoqi, Cohen e dalloi ndërsa ajo po psoniste në Hydra dhe e ftoi t’i bashkohej atij dhe miqve në tavolinë. Ajo pranoi dhe vite më vonë do të kujtonte “megjithëse e dashurova atë që në momentin që u njohëm, marrëdhënia u zhvillua si “një film i bukur, i ngadaltë”.
Cohen i shkoi tpërtej dhe në nëntor 1960, e prezantoi Ihlen-in me botimin e parë të “Le të krahasojmë mitologjitë”. Këtu, libri i tij i parë me poema, Cohen eksperimentoi me stilet dhe eksploroi imazherinë judeo-kristiane, filozofinë, seksualitetin, vdekjen dhe një botë kontrastesh të dhunshme – tema që do ta përkufizonin karrierën e tij letrare dhe muzikore. Ai e nënshkroi librin “Për Marianne-n me dashuri, Leonard.”
Cohen, Ihlen dhe Axel, djali i saj i vogël me Jensen, u shpërngulën në një shtëpi të vogël në ishull. Ai punonte me poezitë dhe romanet çdo ditë dhe luante në kitarë ndërsa shihte Marianne-n teksa vallëzonte netëve. Kur ajo më në fund vendosi t’i jepte fund martesës me Jensen, Cohen e shoqëroi me makinë 2000 milje drejt Oslos, për të nënshkruar letrat e divorcit.
Pasi u kthyen nga Oslo, Cohen i dha asaj një pasqyrë të vogël Cartier, duke i thënë se kurrë nuk kish parë një fytyrë njerëzore që i kish dhënë atij kaq gëzim. “Nuk e kuptoje se ajo luante me pamjet e saj”, ka thënë ai për të. “Dukej sikur nuk ishte e vetëdijshme sesa bukur dukej.” Cohen i dha asaj edhe unazën e tij të universitetit McGill, të cilin e ndoqi gjatë viteve ’50.
Më 1961, Cohen u detyrua të kthehej në Kanada përpara botimit të “Kutia e Erëzave të Tokës”, përmbledhja e tij e dytë me poema. Ndërsa ndodhej atje, i dërgoi së dashurës një telegram: “Miklohu! Gjithçka dua është gruaja ime me fëmijën e saj.” Ai i dërgoi asaj një kopje të librit, nënshkruar “Marianne-s, me dashuri, Leonard, 8 qershor 1961, Montreal. Më pas Marienne fluturoi drejt Kanadasë me të birin.
Cohen ia dedikoi librin e radhës me poezi “Lule Hitlerit” (1964), Ihlen-it dhe pasi shkroi romanin e tij të dytë e të fundit, “Dështakë të Bukur”, mes një periudhe halucinante nën ndikimin e amfetaminave.
Nuk mundi ta botonte librin në Britani, për shkak të përshkrimeve të gjalla të seksit, homoseksualitetit dhe biseksualitetit, të cilat konsideroheshin shumë të turpshme. “Nuk e kuptuan se nuk po i ndizja njerëzit drejt seksit, duke i hedhur në letër”, vërente ai.
Në mes të viteve ’60, megjithatë, Cohen nisi të dëshpërohej nëse ia kishte dalë si shkrimtar dhe vendosi të provonte fatin si këngëtar-kantautor. Marianne mbeti muza e tij dhe ishte frymëzimi për hitin elegjiak “So Long Marianne”, marrë nga albumi i tij debutues i vitit 1967, “Këngë të Leonard Cohen”
Dy vite më vonë, ajo u shfaq në kopertinën e pasme të albumit tjetër “Këngë nga një Dhomë”., fotografuar mbi një makinë shkrimi në shtëpinë e tyre në Hydra. Albumi kishte brenda këngën klasike të Cohen “Bird on a Wire”, për të cilën Ihlen i dha zemër ta shkruante pasi pa disa zogj në telin elektrik jashtë shtëpisë.
Suksesi i muzikës e gjeti Cohen gjithnjë e më shpesh në Londër dhe Nju Jork. Gjatë kësaj kohe, Marianne vendosi ta marrë Axel-in dhe të përpiqej të jetonte me të në ShBA, por ishte shumë vonë. Cohen ishte bërë pjesë e gjysmë-botës artistike të qytetit, duke festuar me Janis Joplin dhe Joni Mitchell në hotel Chelsea dhe duke u shoqëruar me grupin e Andy Warhol te “The Factory”.
Çifti u largua nga njëri-tjetri dhe Ihlen u kthye në Hydra. “Dëshiroja shumë gra, shumë lloj përvojash, shumë shtete, shumë klima, shumë lidhje dashurie”, do të shpjegonte Cohen vite më vonë.
Thuhet se Cohen vijoi ta mbështeste financiarisht Marianne Ihlen dhe të birin edhe shumë vite pas ndarjes së tyre dhe letra që i shkroi dekada më vonë, ndërsa ajo dergjej në shtratin e vdekjes, është provë e pusit të tij të thellë të dashurisë për të. Ishte “gruaja më e bukur”, siç e përshkruan ai, e cila i dha atij hapësirën, kurajën dhe qëndrueshmërinë që i nevojitej për të shkruar veprat që e vendosën ata në famën ndërkombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.