Mazhoranca ka miratuar në Komisionin e Medias variantin final të paketës antishpifje. Drafti është ndryshuar me propozim të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, por pa cenuar thelbin e projektligjit që kundërshtohet nga gazetarët, shoqëria civile dhe disa organizma ndërkombëtarë.
Në draftin final nuk ka ndryshuar neni që i jep fuqi ndëshkuese dhe kompetenca gati prej gjykate Autoritetit të Mediave Audiovizive, që të ndëshkojë dhe ekzekutojë vendimet e ndëshkimit përmes zyrave përmbarimore sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Civile pa pritur vendimin e gjykatës.
Po ashtu, nuk ka ndryshuar thelbësisht as niveli i gjobës përmes të cilës ndëshkohen mediat online në rastet kur shkelja nuk përbën vepër penale, por shkelje administrative. Shuma e gjobës së përcaktuar varion nga 100 mijë deri në 600 mijë lek të reja dhe nëse shkelja përsëritet më shumë se 3 herë, gjoba rritet me 50 për qind.
Në variantin e fillestar, niveli tavan i gjobës së parashikuar ishte vendosur 800 mijë lek. Gjithashtu, është ndërhyrë edhe në pikën 5 të nenit 132 që ka të bëjë me masat për shkeljen. Në draftin final projektligji urdhëron që në rastet kur dyshohet se ka përmbajtje që përbën vepër penale, AMA urdhëron heqjen, ose bllokimin e kësaj përmbajtjeje specifike, por jo të gjithë faqen ku është publikuar kjo përmbajtje.
Po, ashtu, në këtë nen janë shtuar në pikën C) fjalën “përbëjnë vlerësimin për dyshimin e kryerjes së një vepre penale” dhe në pikën D) i jepet e drejta AMA-s që të mos dëgjojë median e online të prekur nga një masë e caktuar, nëse vlerëson se vendimi merret për interes publik.
Pra, në thelb në draftin final nuk janë reflektuar asnjë nga vërejtjet e bëra nga komuniteti i gazetarëve dhe as nga Këshilli i Europës, që reagoi këtë të martë përmes Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç.
Megjithatë, Kryeministri Edi Rama thotë se projektligji është dakordësuar 100 për qind me ekspertët e OSBE-së, jo në Tiranë por në Vjenë dhe nën drejtimin e Harlem Desir, përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias. Rama këmbëngul se ligji do të hyjë për votim ditën e mërkurë në Parlament.
“Projekti do të hyjë nesër për miratim në seancë pas një pune të përbashkët thuajse njëvjeçare me OSBE e i dakordësuar 100 për qind me ekspertët e zyrës së Vjenës nën drejtimin e Harlem Desir. I falenderoj për kontributin e çmuar dhe angazhimin në vazhdim për aktet nënligjore antishpifje”, shkroi ai përmes Twitter.
Megjithatë, Komisioni Europian i ka bërë thirrje Qeverisë që të reflektojë në draft shqetësimet e shprehura edhe nga Këshilli i Europës, përmes Komisioneres për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovicc dhe ato të rekomanduara nga OSBE.
“Komisioni u ka bërë thirrje autoriteteve që të marrin në konsideratë komentet e bëra nga OSBE dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, të mobilizuara nëpërmjet fondeve të BE, në mënyrë që të sigurojë përputhshmërinë me standardet europiane në fushën e lirisë së shprehjes. Këto rekomandime përfshijnë, ndër të tjera, kufizimin e qëllimit të rregullimit vetëm në shërbimet e mediave audio-vizive online, duke promovuar vetë-rregullimin, sigurimin e shqyrtimit të pavarur gjyqësor të ankesave të lidhura me median dhe forcimin e transparencës së pronësisë së mediave në vend”, thotë KE.
Më tej, deklarata thotë se në draftin e miratuar ditën e martë, deputetët nuk kishin marrë parasysh këto vërejtje dhe kërkohet që ato të merren parasysh pa u shndërruar drafti në ligj.
Deklarata e Ramës u konfirmua nga zyra për lirinë e medias e OSBE-së, e cila përmes një serie postimesh thotë se ka punuar me Qeverinë shqiptare deri në minutat e fundit për të përmirësuar ligjet e paketës “antishpifje” dhe për t’i përafruar ata me standardet ndërkombëtare dhe parimet e OSBE-së.
Në këto postime, OSBE thekson disa prej përmirësimeve që janë bërë në draft.
“Ka shumë përmirësime në versionin e fundit të publikuar sot në krahasim me draftet e mëparshme. Detyrimi për të regjistruar mediat u hoq, u futën parimet e përgjithshme ndërkombëtare të mbrojtjes së medias, u vendosën limite strikte për heqjen e përmbajtjejve, u vendos e drejta për të reaguar mbi publikimet online, u kufizuan keqpërdorimet e ligjit, u hoqën kompetencat që i jepeshin AKEP”, thotë kjo zyrë, që drejtohet nga Harlem Desir.
OSBE zotohet se do të vazhdojë punën për të reduktuar nivelin e gjobave dhe për të hartuar aktet nënligjore për të garantuar që asnjë gjobë joproporcionale të mos ndërmerret ndaj mediave online.
“Zyra ime do të vëzhgojë nga afër zbatimin e ligjit, që në asnjë mënyrë nuk duhet të ndalojë lirinë e medias dhe të shprehjes. AMA duhet të zbatojë ligjin në një mënyrë të pavarur dhe të drejtë”, mbyllet reagimi i Harlem Desir të OSBE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.