Greqia ka dëbuar ambasadorin e Libisë në Athinë pas marrëveshjes kontraverse të Tripolit me Athinën, që zgjeron ujërat territoriale të dy vendve në Mesdhe deri në brigjet e ishullit grek të Kretës.
Lajmi është konfirmuar nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias. Ai tha se pasi ka thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme kryediplomatin libian i ka komunikuar vendimin për ta dëbuar. Pas këtij vendimi të Athinës zyrtare, diplomati libian ka 72 orë kohë për t’u larguar nga Greqia, ndërkohë që Dendias deklaroi se ky vendim nuk nënkupton domosdoshmërisht shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Athina i kishte kërkuar Libisë që deri më 7 dhjetor t’i dorëzonte tekstin e marrëveshjes së arritur me Turqinë, në të kundërt do të dëbonte ambasadorin e saj.
Teksti i marrëveshjes së plotë u publikua nga mediat turke përgjatë fundjavës, kur ishte miratuar si në Ankara, ashtu edhe në Tripoli. Pakti ngre një korridor rreth 30 kilometra i gjerë, që përshkon tejpërtej Mesdheun nga brigjet libiane tek ato turke, duke kaluar në një distancë të afërt me brigjet e Kretës.
Turqia thotë se memorandumi është miratuar mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare, ndërsa Presidenti Recep Taip Erdogan deklaroi se vendimi i Athinës për të dëbuar ambasadorin libian do të shkaktojë një valë dënimi ndërkombëtar ndaj Greqisë dhe në intervistën e dhënë për televizionin shtetëror turk zbuloi edhe një tjetër objektiv të paktin me Libinë.
“Pas kësaj marrëveshjeje, askush nuk mund të ndërtojë linja transmetimi të gazit nëpër Mesdhe pa u konsultuar më parë me Turqinë”, tha ai. Erdogan nuk përmendi emra shtetesh, por qarkullon një projekt mes Greqisë dhe Izraelit për ndërtimin e një linjë transmetimi gazi që do të lidhë dy vendet dhe do të kalojë nëpër Mesdhe.
Greqia thotë se do t’i kërkojë OKB-së vlerësimin si nul të marrëveshjes mes Turqisë dhe Libisë, ndërsa kundër marrëveshjes ka dalë edhe Egjipti dhe Qipro, madje as vetë brenda Libisë nuk ka një zë të unifikuar sa i takon marrëveshjes.
Një admiral i forcave detare, që vepron nën komandën e Gjeneralit Khalifa Haftar, trupat e të cilit kontrollojnë pjesën më të madhe të territorit të Libisë tha se kishte marrë një urdhër që të godiste çdo anije turke, që mund të kërkonte për naftë në zonën e pretenduar sipas marrëveshjes mes dy vendeve.
Ndërkohë, ekspertët ndërkombëtarë të sigurisë lëshojnë alarmin se mes Greqisë dhe Turqisë rrezikohet një përballje ushtarake, duke iu referuar faktit se Athina ka urdhëruar forcat e saj të Marinës Detare që të patrullojnë në zonën jug-lindore të Kretës, aty ku kalon vija kufitare e vendosur nga Turqia dhe Libia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.