Reforma zgjedhore është një nga kushtet e ndërkombëtarëve për t’u realizuar përpara marrjes së vendimit për çeljen e negociatave më Bashkimin Europian. Sistemi aktual proporcional rajonal me 12 zona zgjedhore për 140 mandate që po aplikohet prej vitit 2008 në Shqipëri si pjesë e marrëveshjes PS-PD që u pasua me ndryshimin e Kushtetutës nga Berisha dhe Rama në atë kohë është vënë në shenjëstër për shkak të asaj çfarë prodhoi në këto vite, ku listat e mbyllura sollën një nivel të ulët në Parlamentit shqiptar si dhe deputetë me rekorde kriminale. Sistemi politik po kërkohet të ndryshohet pas 11 vitesh, e tashmë këto nuk po e kërkojnë partitë politike dhe pse jo një pjesë e faktorit ndërkombëtar.
Me një Parti Demokratike jashtë Parlamentit, ndryshimi i sistemit po kërkohen nga ajo pjesë e deputetëve që cilësohet si Opozita e re, ku si kusht të sajin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor ka përcaktuar ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Kushti i vendosur i opozitës së re është kalimi i një sistemi me listat e hapura, ku zgjedhësit do të përzgjedhin se cili do të jetë deputeti i Parlamentit dhe jo kryetari i partisë. Një propozim që synon të sfidojë monopolin e dy kryetarëve të partive që prej një dekade kanë përzgjedhur në lista kandidatët për deputetë, e sigurisht që një pjesë e tyre janë katapultuar pa asnjë lloj kontributi në partitë politike. Një sistem që po synohet të adaptohet siç e ka Kosova, shteti më demokracinë më të re në Ballkan dhe që nxjerr rezultatin e fituesit brenda 24 orëve dhe jo si në Shqipëri, që mbahet peng i kalkulimeve të minutave të fundit.

Ky propozim i paraqitur nga Rudina Hajdari duket se nuk do të mbështet nga ana e liderit të PD-së, Lulzim Basha, i cili në një intervistë televizive dha opsionin e tij se si mendon të ndryshojë sistemin. “Absolutisht jam i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Personalisht, kam shprehur preferencën time për sistemin mazhoritar, për lidhjen e drejtpërdrejtë të deputetit me zgjedhësit. Kjo i jep shumë mundësi zgjedhësit dhe deputetit që të përfaqësojnë interesin publik drejtpërdrejt në parlament, pavarësisht, nëse partia e tyre është në qeveri apo jo, ku të mos shohin faktin, që kur partia është në qeveri, deputetët kthehen në kukulla dhe ngrenë dorën për çfarë t’u thotë kryeministri, sepse e kanë të lidhur fatin me kryeministrin dhe, shpeshherë, me interesa korruptivë që vijnë nga qeveria, por ta lidhin ekzistencën e tyre politike me fatin e votuesit”, deklaroi Basha. Sistemi që po propozon Basha është aplikuar përpara 2008-ëa, por se duhet të përcaktohet nëse është për mazhoritar puro, apo për një sistem miks me proporcional.

Në këtë propozim Basha duhet të llogarisë edhe aleatët, ku përveç LSI-së që ka një peshë elektorale, partitë tjera janë futur tashmë nën ombrellën e PD-së, që presin “dhuratat” e liderit të opozitës, i cili do t’i përfshijë ato në lista apo jo dhe sa vende do t’i japë në Parlament. PD-ja së bashku me aleatët e saj, LSI, PR, PLL, PDIU, PDK dhe PAA kanë ngritur grupe pune për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, e ku nuk përjashtohet as diskutimet për ndryshimin e sistemit. Në këtë proces PD-ja duhet të llogarisë dhe faktorin LSI, parti e cila ka peshën elektorale dhe se në historikun parlamentar ka ndikuar në vendosjen e balancave politike, duke krijuar mazhoranca fraxhile dhe të konsoliduara, e kjo pasi ka kaluar levën e pozicionimit një herë me PD-në dhe një herë me PS-në.
Përballë fluksit të propozimeve për sistemin Partia Socialiste ndjehet më komode në këtë çështje, për faktin se ajo është më pranë këtij sistemi dhe mban shpresat që PD-ja të mos dalë pro ndryshimit të sistemit, pasi ai kontrollon dhe pushtetin me rotacion mes dy palëve. Bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri është shprehur i hapur për kërkesën e ndryshimit sistemit e paraqitura nga opozita e re, por se ka theksuar se kjo do të vendoset me rivalin historik, PD-në. Si praktikë historike të gjitha ndryshimet e reformës zgjedhore, me ndërmjetësimin e OSBE-së janë kryer pas një pakti politik mes PS-së dhe PD-së. Nevojën e ndryshimit të sistemit zgjedhor e kanë shprehur dhe shoqatat si Instituti i Studimeve Politike, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim; Instituti Shqiptar i Shkencës dhe Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.

Vlerësimi i tyre është se ndryshimi i vazhdueshëm i sistemeve zgjedhore nuk ka çuar në rritjen e standardeve të përfaqësimit, në garantimin e llogaridhënies nga Parlamenti dhe as në stabilitet qeverisës. Pothuajse të gjitha sistemet janë vendosur nga vetë aktorët kryesorë politikë, pa konsultim dhe vendimmarrje transparente e publike dhe në interes të strategjive të tyre afatshkurtra elektorale. Mungesa e legjitimitetit të gjerë, e produktit përfaqësues, llogaridhënies, efektivitetit, kontrolli dypartiak i administrimit zgjedhor dhe kontestimet e vazhdueshme kanë pasur dhe kanë pasoja të shumëfishta negative për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri. Këto katër shoqata kanë propozuar pranë komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore dhe variantet që mund të hidhen për diskutim si: Sistemi proporcional me lista të hapura shumëemërore të partive (ku zgjedhjet e votuesve përcaktojnë rendin në listë), me një zonë zgjedhore (kombëtar), me prag elektoral 2.5 për qind për partitë dhe 4 % për koalicionet. Sistemi miks i aplikuar më 1992 në Shqipëri, me 100 zona në mazhoritar dhe formulë kompensuese me 40 mandate në proporcional kombëtar me prag elektoral 2.5 për qind. Reforma zgjedhore më tepër se për sistemin duhet të fokusohet më tepër në zhveshjen politike të procesit, në krijimin e komisioneve të pavarura të administrimit të zgjedhjeve, gjë që për të cilën në Shqipëri duket ende e largët që të realizohet.
Sistemet politike në Shqipëri në këto 30 vite
Shqipëria gjatë viteve 1991-2017 ka eksperimentuar me disa sisteme elektorale të ndryshme,
Në 1991 – sistem mazhoritar me shumicë absolute;
Në 1992 – sistem miks, 100 zona në mazhoritar me 2 raunde dhe 40 mandate me formulë kompensuese në proporcional kombëtar;
Në 1996 – sistem miks, 115 zona në mazhoritar me 2 raunde dhe 25 mandate në proporcional kombëtar
Në 1997 – sistem miks, 115 zona në mazhoritar me 2 raunde dhe 40 mandate në proporcional kombëtar
Në 2001 – sistem miks, 100 zona në mazhoritar me 2 raunde dhe 40 mandate në proporcional kombëtar
Në 2005 – sistem miks, 100 zona në mazhoritar me 1 raund dhe 40 mandate në proporcional kombëtar
Në 2008 – sistem proporcional rajonal me 12 zona zgjedhore për 140 mandate
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




