Emisioni italian “Le Iene” ka sjellë në qendër të vëmendjes një histori shqiptare. Afrim Berisha një emigrant shqiptarë në Itali, ka treguar për të gjithë historinë e dhimbshme të jetës së tij. Ai për një kohë të gjatë prej 5 vjetësh nuk e ka parë djalin e tij të vogël Alvin, pasi bashkëshortja e tij (nëna e Alvin) e mori për të shkruar në Shtetin Islamik ISIS.
Afrimi tregon mes lotësh se i mungon shumë djali i tij, të cilin e quan kampion dhe kurrë nuk e ka kuptuar se çfarë kishte ndodhur me bashkëshorten, për të marrë këtë vendim. Nga informatat që emisioni invstigativ “Le Iene” ka marrë bëhet me dije se djali gjendet në kampin Al Hol ku qëndrojnë mijëra familjarë të pjesëtarë të grupit ISIS. Kampi ku në të cilin pjesa më e madhe e banorëve janë gra dhe fëmijë, mendohet ende një vend i rrezikshëm, pasi përpara shumë kohësh disa gra realizuan një kryengritje, duke konfirmuar se ideologjia e ISIS ende nuk ka mbaruar.
Teksa mban fotografinë e të birit në duar, Afrimi tregon se gjithë kohës ka punuar për të mbajtur familjen e tij dhe bashkëshortes nuk i ka munguar asgjë. Gjithashtu, ai tregon se kohët e fundit ajo kishte nisur të studionte Kuranin, ndërkohë që shpesh herë përsërit me vete duke thënë “çfarë bëri mamaja jote”.
Në regjistrime duket qartë meraku i një babai dhe impenjimi i madh i gazetarëve, të cilët të gjithë së bashku ishin të vendosur për të gjetur Alvin. Afrimi, gjithë kohës shprehet se e ka marrë malli për kampionin e tij dhe do që ta gjejë sa më parë. E vetmja gjë që ai ka nga i biri është, një album me fotografi dhe një letër që Alvin ia kishte dërguar disa kohë më parë.
“Ç'kemi baba si je? Jam unë djalit jot…më mungon baba. Më merr me vete në shtëpi të lutem, më mungon shumë. Për babain Berisha,”– shkruhej në letër.
Nga kjo letër nisi gjithçka dhe së bashku me gazetarët e emisionit, Afrimi shkoi nga Italia për në Turqi, për të hyrë më pas në kampin Al Hol, ku mendohet të ishte gruaja dhe djali i tij. Filmimet tregojnë se pas shumë përpjekjesh Afrimi arriti të futet në kamp dhe përpara se të takonte djalin e tij, ai ndalon në një pazar të vogël për t’i blerë disa rroba. Kur arriti atje, Afrimi u befasua kur pa gjendjen se si rrinin njerëzit në kamp.
“Nuk e di si janë, nuk e di si kanë jetuar këtu pa ujë, në gjithë këtë diell,” shprehet ai.
Afrimi trishtohet kur merr vesh se bashkëshortja e tij ka vdekur, ndërkohe që pret të takojë Alvin. Momenti kur u takuan ishte i veçantë për të gjithë, si për gazetarët dhe teleshikuesit. Biseda e Afrimit me të birin ishte vetëm në shqip, pasi ai nuk kuptonte italisht dhe fjalia e parë që Alvin i tha të atit ishte “Dua të shkojmë të gjyshi”, ndërkohë që Afrimi shpërtheu në lot. Alvin dukej i hutuar dhe tashmë ndjehej i mbrojtur e gjithë kohës e pyeste babin e tij nëse do të iknin nga kampi.
Por vështirësitë e Afrimit, nuk do të mbaronin me kaq. Autoritetet e kampit, i thanë se nuk do mund ta merrte djalin e tij, pasi duheshin kryer një sërë procedurash për sa i përket nxjerrjes nga kampi. Duke qenë se Alvin ishte me shtetësi shqiptare në certefikatë, duhej që nga kampi ta nxirrnin autoritetet shqiptare. Babai kthehet pa djalin e tij në Itali, ndërkohë që gazetaret e emisionit investigativ, gjatë gjithë kohës kontaktojnë me ambasadorin e Shqipërisë në Turqi, i cili është personi i duhur që mund të kryejë procedurat për kthimin e Alvinit. Djaloshi ndodhet ende në territorin sirian, në mes të rrezikut të madh për jetën, ndërsa herën e fundit që gazetarët, kontaktuan me ambasadorin, ai nuk denjoi as të vazhdonte bisedën. Në filmime tregohen të gjitha me detaje, ndërkohë që gazetari italian Liugi Pelazza gjatë prezantimit të emisionit bën thirrje edhe ndaj Xhuzepe Kontes, kryeministrit të Italisë, për të zgjidhur këtë çështje dhe për të rikthyer Alvinin në krahët e babait të tij.
Prej ditësh aeroplanët turq kanë bombarduar pozicionet kurde dhe përveç sulmeve ajrore, janë raportuar edhe një sërë shpërthimesh në qytetin Ras al Ain, ndërkohë që në kampe ndodhen qytetarë nga shtete të ndryshme, mes tyre shumë gra dhe fëmijë. Për sa i përket kësaj çështje një tjetër gazetar i emisionit “Le Iene”, shqiptari Taulant Kopliku, iu bëri thirrje medieve pak ditë më parë për të ndihmuar 60 shqiptarët që ndodhen në kampin Al Hol dhe janë të rrezikuar nga sulmet e vazhdueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.