Disa javë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve denoncoi 72 subjekte që mashtronin me faturat e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe i akuzuan në prokurori për veprën penale.
Vlera e blerjeve fiktive llogaritej rreth 2 miliardë lekë ose rreth 16 milion dollarë.
Në media u zbuluan edhe emrat e subjekteve që figuronin tek dokumentet hetimit nga prokuroria. Mes tyre figuronte edhe kompania Integrated Technology Services, koncesionari i inceneratorëve për djegien e plehrave në Tiranë, me blerje përmes 164 faturave, që arrijnë në 987 milionë lekë (rreth 8 milionë euro), ose gjysma e shumës totale të identifikuar. Por mësuam se pavarësisht këtyre akuzave të rënda dhe provave që I shpallën me kaq bujë tatimet asnjë nga subjektet nuk është detyruar nga agjencitë shtetërore që për shkak të kësaj çështje të mbyll aktivitetin.
Ky rast u bë objekt I gazetës pasi ne kemi dyshime tona ende të konfirmuara saktë se mes bizneseve të akuzuara për mashtrim me TVSh-në, ka kompani që po punojnë me fondet publike. Ndaj pyetëm edhe në prokurori e cila na konfirmoi faktin se ndaj bizneseve që akuzohen për mashtrim nuk ka asnjë vendim për pezullim të aktivitetit.
Kur pyetëm se pse nuk ka një vendim pezullimi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve I tha gazetës “Si” se “vijimësia e çështjes nuk është më kompetencë e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, por e prokurorisë e cila ka lëshuar edhe fletë arrestet”. “Sigurisht ne do të jemi të informuar për çështjen, por masat që merren janë tagër i prokurorisë”- u shprehen nga Tatimet .
Ky moment është I dyshimtë pse nuk ka shumë kohë që ka mbaruar aksioni antiifromaliteti. Tatimet dhe qeveria u hodhën në vrull për të ndëshkuar apo mbyllur çdo biznes që kapej se shiste pa kuponë. Ministrja e Financave Anila Denaj për gjatë gjithë gushtit dilte para kamerave çdo ditë përmes një retorike të paprecedentë terrori për t’i treguar çdo biznesi tjetër se asnjë nuk do të tolerohej qoftë edhe për një kuponë të pa lëshuar. Kamerat si toga e pushkatimit, tregonin live se si mbylleshin bizneset, e shkuleshin çadrat e plazhit në mes të sezonit turistik.
Por kur pyetëm sot në Ministrinë e financave se pse bizneset e kapura në mashtrim mund të vazhdojnë akoma aktivitetin burime zyrtare të këtij dikasteri thanë se “kjo nuk është kompetencë e Ministrisë, por e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”.
Atëherë pse ku standard I dyfishtë?! Pse ndaj biznesit të vogël ministrat bëhen “trimosha” dhe tek të mëdhenjtë që kanë edhe akses tek fondet publike, fshihen pas “procedurave”?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.