“Një serb dhe një kosovar hyjnë në një bar…”. Jo! Kjo nuk është fjalia hapëse e një barcalete, por sinjali i një sherri në horizont. Shakaja mbërrin më vonë dhe përfshin në të edhe FIFA-n, qeverinë botërore të futbollit.
Tani, imagjinoni 11 serbë që hyjnë në fushë për t’u përballuar me Zvicrën në një ndeshje për Kupën e Botës. Po, serbë nga ata që i njohim mirë, të gjatë dhe hipernacionalistë në zemër, me fansat të karikuar për betejë e sherr, disa prej të cilëve të veshur me portretet e kasapit të Bosnjes Ratko Mladiç, i dënuar për krime lufte. Skuadra është e gjitha homogjene ortodokse me “iç” në fund. Stojkoviç, Tadiç, Milinkoviç-Saviç, Matiç, Mitoviç…etj etj.
Përballë kanë Zvicrën, një skuadër pa “identitet”. Zvicra nuk është më vendi i orëve artizanale dhe përplasjeve të kantoneve, as i prodhuesve të djathit që votojnë për të ndaluar një praktikë që daton që nga koha e William Tell. Zvicra është një skuadër emigrantësh.
Përkrah Lichtsteiner-ave, Zuber-ave dhe Burkis, skuadra ka në krah njerëz nga vende më pak të dashura, përfshirë katër me origjinë shqiptare, nga të cilët tre nga Kosova, tani e pavarur, por që nuk njihet nga Serbia. Serbia e sheh ende si provincë vasale dhe shqiptarët e saj si banorë “të pështirë” në një përrallë fisnikërie serbe.
Ndaj, parashikohej që ndeshja e 22 qershorit me Zvicrën e katër shqiptarëve ishte edhe një lojë për ta mbajtur Kosovën të lidhur pas Serbisë. Serbët gëluan anembanë vendit të tyre, në Rusi dhe në Zvicër ku tregonin se si do të fitonin ndaj Zvicrës. Shënuan të parët me Mitroviç që në minutën e pestë.
Por, zviceranët u ringritën dhe fituan, ashtu siç bënë kosovarët në luftën guerrile, ku nuk pati engjëj dhe në të cilën patën një ndihmë zemërgjërë nga NATO.
Në lojë, Zvicra asgjësoi Serbinë me dy gola kosovarë. Barazuan me Granit Xhakën, një kosovaro-zviceran dhe më pas fituan me Xherdan Shaqirin në minutën e 90-të, një tjetër kosovaro-zviceran. Shaqiri, që tek këpucët e tij ka edhe flamurin e Kosovës, shënoi dhe iu drejtua turmës me një gjest, ashtu si Xhaka, duke ndezur turmën serbe, aq sa skuadra t’i drejtohej FIFA-s me një notë ankese.
Xhaka e Shaqiri bënë gjestin e “Shqiponjës” dykrenare të vendosur në flamurin kombëtar shqiptar. Shqiponja është një emblemë fantastike dhe simbol i ushtarak i Skënderbeut, fisniku i shekullit të 15-të, Hero Kombëtar i shqiptarëve.
Serbët u ankuan se gjesti i “Shqiponjës” ishte një provokim politik me synim nxitjen e turmës dhe FIFA menjëherë mendoi nisjen e një mase disiplinore kundër Xhakës dhe Shaqirit, që të dy të ndëshkuar më vonë me një gjobë modeste.
Serbia është aleati më besnik dhe i afërt i Rusisë në Europë dhe FIFA nuk kishte si ta injoronte këtë fakt në vendimin për të ndëshkuar dy lojtarët kosovarë të Zvicrës. Siç Neë York Times raportoi, tifozët serbë dhe rusë që ndoqën ndeshjen kënduan këngë solidariteti gjeopolitik me njëri-tjetrin. Rusia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sot është organizatore e një Botërori falë ish-Presidentit të korruptuar të FIFA-s, Sepp Blatter, që kujtonte se kishte të drejtën e pamohueshme për të vendosur se kush e ku organizohej një botëror.
Akuzat ndaj Xhakës dhe Shaqirit nuk janë vetëm qesharake, por moralisht ofenduese që mbërrijnë nga një vend që vrau e masakroi një tjetër për ta penguar nga mëvetësia. Mbi 10 mijë shqiptarë të Kosovës, të paktën sipas shifrave më të përmbajtura u vranë në atë luftë. Të dy golashënuesit e Zvicrës janë fëmijë refugjatësh si pasojë e represionit serb ndaj shqiptarëve etnikë të Kosovës dhe gjesti i tyre duhet lexuar si një çlirim emocional dhe një formë hakmarrjeje historike.
Ishin gjeste që dhunuesit e tyre i lexuan si provokative dhe luftënxitëse. Për serbët, pavarësia e Kosovës është ende një tabu, por duhet të mësohen dhe të pranojnë realitetin, që është shteti i Kosovës dhe të mos përfshihen në debate pa vlerë që mbajnë ende gjallë iluzionin se Kosova i përket Serbisë.
Megjithatë, çdo Kupë Bote është një arenë ku shfaqet patriotizmi. A nuk nisin ndeshjet me këndimin e himneve kombëtare? Patriotizmi nuk ka asgjë të keqe dhe nuk përbën asnjë kërcënim përsa kohë nuk shndërrohet në nacionalizëm të sëmurë për një kauzë të çuditshme. Pse patriotizmi i kosovarëve, fituar me kaq sakrifica të vihet në pikëpyetje? Ah po, është i dënueshëm për serbët që masakruan të gjithë fqinjët e tyre dhe u mohuan të drejtën e vetëvendosjes për vite me radhë. A do të ndëshkoheshin lojtarët e Zvicrës nëse do të formimin me duar simbolin e flamurit të Zvicrës? Sigurisht që jo. Bota ka ndryshuar dhe pas shumë lojtarëve të mëdhenj sot qëndron një e shkuar e vuajtur. E shkuara është pjesë e tyre e pandarë dhe ata janë pjesë e Botërorit.
Qeveria zvicerane së bashku me federatën e futbollit duhet t’ja qartësojnë njëherë e mirë FIFA-s dhe Serbisë se nuk do të pranojnë asnjë vendim ndëshkues për Xhakën dhe Shaqirin. Nëse do të ndëshkoheshin, Zvicra duhet ta shpërfillte këtë vendim dhe në ndeshjen ndaj Costa Ricas t’i aktivizonte. Le të sfidohej FIFA. Dy lojtarët krenarë i përkasin fushës së futbollit, budallallëku serb jo!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.