Nëse do të kërkonim një lojtar që të ketë fituar më shumë trofe në çdo kampionat që ka luajtur do të ishte shumë e vështirë. Fernando Torres, ose “El nino”, i ka dhënë fund futbollit të luajtur. Lajmi i bujshëm ka trishtuar pa masë tifozët e tij të shumtë në të gjithë botën.
Elegancë me topin, por edhe teknikë në shërbim të lojës së bukur dhe tifozëve. Ishte një kohë kur Europa ishte i magjepsur nga një djalë, që të gjithë e thërrisnin “El nino”. Spanjolli ishte i aftë për të shënuar gola fantastikë dhe vendimtarë në çdo mënyrë. Fernando Torres në pjesën qendrore të karrierës së tij ishte sigurisht një nga sulmuesit më të fortë të futbollit europian, nga viti 2002 deri më 2011. Një sulmues vrasës, pothuajse i pamëshirshëm kur luante me Atletikon e Madridit dhe me Liverpulin. Në verën e nxehtë të këtij qershori, ai vendosi të thotë mjaft pas shumë lëndimeve dhe duket se ka ardhur koha për sfida të reja jashtë fushës.

I rritur në akademinë e Atletiko Madrid, ku shumë shpejt debutoi me ekipin e parë, Torres kontratën e tij të parë profesionale si futbollist e nënshkroi në maj 2001, pasi kishte debutuar kundër Leganes. Paradoksalisht, dy sezonet e para si futbollist profesionist ishin të komplikuara për të, deri sa erdhi promovimi me Atletikon në “La Liga” kjo falë përkushtimit të tij gradual dhe të paepur. Asnjëherë nuk shënoi më pak se 13 gola në ligë në pesë sezonet me Atletikon, që do të ishte trampolina për në ekipin kombëtar.

Por do të ishte në Liverpuli, ekipi ku “el Nino” dha më të mirën dhe ku e njohu e gjitha bota. Kalimi i tij në Premier Ligë ishte rekord për kohën, pasi “the Reds” paguan rreth 20 milionë paund në vitin 2007. Torres te Liverpuli i tregoi botës versionin më të mirë të mundshëm, duke u bërë ikona e sulmuesve elegantë dhe efektivë. Nëse me klubet Torrres u kthye në emblemën e golit e njëjta gjë mund të thuhet edhe për paraqitjen e tij me kombëtaren spanjolle duke fituar dy kupa Europe në vitet 2008 dhe 2012 dhe Kupën Botërore në Afrikën e Jugut në 2010-ën.

Pas këtyre sukseseve të mëdha, Torres bëri një kalim historik si për nga paratë e shpenzuara edhe për rivalitetin mes dy ekipeve, duke firmosur për Çelsin. Në “Stamford Bridge” “El Nino” asnjëherë nuk lulëzoi ashtu siç pritej. Lëndimet dhe problemet jashtë fushës bën që të harrohej shpejt imazhi vrasës i Torresit para portës. E njëjta gjë për Fernando Torresin do të vazhdonte edhe me fanellën e Milanit me vetëm një gol të shënuar për 5 muaj qëndrim në Serinë A. Torresi provoi të rikthehej në Atletiko Madrid për të gjetur shkëlqimin e së kaluarës dhe atë buzëqeshje që gjithmonë do të mbetet në kujtesën e tifozëve, por sërish dukej që dielli kishte perënduar për “El nino”. Kalimi në Japoni me Sagan Tosu u duk sikur ishte një përgatitje për pushimet përfundimtare. Në një farë mënyrë ai njoftim i të premtes në mëngjes i gjeti të përgatitur të gjithë tifozët e Fernando Torres në botë, pasi nuk do mund ta shikojnë më duke vrapuar në fushën e lojës buzëqeshjen e “El nino”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




