Politike

Basha, Meta, Lleshaj, Gjonaj dhe Balla zhvendosin betejën në Berlin

Kriza politike po kalon në planin ndërkombëtar sa i takon zgjidhjes apo uljes së palëve në tavolinën e dialogut. Tashmë Gjermania është shteti që është përfshirë plotësisht dhe ka marrë një rol kyç, por duke shkaktuar jo pak përplasje edhe ndasi edhe brenda CDU/CSU partisë qeverisëse së kancelares Angela Merkel, në lidhje me daljen nga situata aspak normale në Shqipëri.
Pas protestës së dhunshme të së dielës së 2 qershorit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në orët e para të mëngjesit të sotëm ka udhëtuar drejt Gjermanisë për të zhvilluar takime informale me drejtues të partive të CDU/CSU, pjesë e Partive Popullore Europiane. Lideri i PD-së, sipas burimeve do të qëndrojë dy ditë në Berlin.


Unioni Kristiandemokrat dhe Kristian Social (CDU/CSU), është angazhuar që të zgjidhin krizën politike shqiptare, duke u shprehur të gatshëm për të ndërmjetësuar mes Bashës dhe Ramës, por fillimisht kërkojnë që palët të ulen në tavolinë pa i vendosur kushte njëri-tjetrit.
Por në Berlin nuk do të jetë vetëm kryedemokrati Basha. Gazeta Si ka mësuar se pasnesër presidenti Ilir Meta do të vizitojë Gjermaninë ku do të ketë takime të ndryshme, ku kryetema e bisedimeve do të jetë kriza politike shqiptare. E gjendur jashtë zgjedhjeve lokale, opozita po kërkon një zgjidhje politike, duke kërkuar largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit, zgjedhje të parakohshme parlamentare, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore që të garantojë sipas saj, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Kryedemokrati Basha gjatë takimeve të mëparshme në Parlamentin gjerman (Foto arkivë)


Basha shkon në Berlin pas një paralajmërimi të fortë të bërë një ditë më parë pas protestës, ku theksoi se tashmë koha e fjalëve ka marrë fund dhe se fatet, sipas tij, në dorë do t’i marrë sovrani.
Gazeta Si ka mësuar gjithashtu se në Berlin do të jenë edhe dy ministra të rëndësishëm të qeverisë Rama. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj janë nisur sot drejt Gjermanisë me një agjendë zyrtare ku parashikohen takime të ndryshme, si një përpjekje për të bindur Berlinin për dhënien e një vendimi pozitiv pas rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pjesë e delegacionit qeveritar do të jetë edhe kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla.
Gjermania është një ndër shtetet që ka peshë në vendimin e saj për çeljen ose jo të negociatave, ndërsa nuk mungojnë sinjalet nga Berlini që qëndrimi final mund të mbahet në shtator dhe jo në qershor. Mendohet se ministrat Lleshaj e Gjonaj, si dhe Balla do të lobojnë dhe në Parlamentin gjerman, duke i paraqitur edhe rezultate dhe statistika në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kriza që po bën lëmsh dhe deputetët gjermanë
Dy deputetët, Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, si dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal ishin të parët që mbajtën një deklaratë ku shprehën shqetësimin e tyre për krizën e brendshme politike në Shqipëri dhe për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen pa opozitën.
Në një deklaratë të përbashkët ky grupim politik do të hidhte edhe opsionin e shtyrjes së datës së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

“Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë. Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale”, thuhej në deklaratën e dy deputetëve të 23 majit.

Christian Schmidt dhe Johann David Wadephul

Por do të ishte pikërisht kjo deklaratë që do të nxirrte në pah dhe divergjencat brenda grupit parlamentar CDU/CSU dhe brenda qeverisë gjermane, pasi deputetë të tjerë do të dilnin kundër idesë për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, apo kushtit për dorëheqjen e kryeministrit Rama. Deklaratat ishin të njëpasnjëshme aq sa do të krijohet perceptimi që brenda CDU/CSU janë ndarë dy blloqe, pro dhe kundër qeverisë socialiste, apo janë të nxitur nga Tirana për qëndrimet kundër kërkesave të opozitës.

Dy ditë pas deklaratës së Schmidt dhe Wadephul, deputeti gjerman i CDU/CSU, Nicolas Lobel, do të shprehej në një intervistë për Top Channel se është kundër shtyrjes së zgjedhjeve në Shqipëri. “Jo. Nuk duhet të ketë asnjë diskutim për kohën kur mbahen apo jo zgjedhjet. Ne si Gjermani kemi një qëllim të vetëm. Ne duam vetëm të ndihmojmë Shqipërinë drejt BE. Për ne ka rëndësi vijimi reformës në drejtësi përfshi reformën zgjedhore. Por mendoj se gjithçka varet nga ajo që thuhet në Kushtetutën e vendit tuaj. Kushtetuta është mekanizmi më i mirë që një demokraci mund të ketë në Gjermani, në Francë në Shqipëri, e kudo. Pra kjo çështje mbetet në atë që thotë Kushtetuta. Është në dorë të çdo partie siç edhe kolegët e mi e kanë thënë të gjejnë rrugën e negociatave pa asnjë kusht paraprak si nga qeveria dhe opozita”, ishte përgjigjja e tij.

Më pas do të vinte edhe deklarata e radhës nga ana e deputetit Mark Hauptmann, po nga radhët e CDU/CSU, i cili do të kundërshtonte shtyrjen e zgjedhjeve. “Nuk është e zakonshme për ne të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Si grup parlamentar, ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë shtyrjen e zgjedhjeve në një shtet të pavarur. De facto, kjo do të mund të konsiderohej si një kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin zgjedhor të vendit. Si pasojë do të lindnin pyetje mbi sovranitetin e një shteti të huaj. Stabiliteti demokratik po ashtu përfshin detyrimin për të respektuar rregullat e legjislacionit ndërkombëtar”, do të shprehej deputeti gjerman.

Deklarata në Twitter e deputetit gjerman
https://twitter.com/markhauptmann?lang=en

Përplasje jo të vogla ka edhe për vendimin që duhet të merret për çeljen e negociatave. Ministri gjerman për Çështjet e Integrimit, Michael Roth ka qenë një ndër zyrtarët e lartë që ka deklaruar hapur se Berlini zyrtar duhet të marrë vendimin në qershor për çeljen e negociatave duke mbajtur premtimin ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Qëndrimi i Roth do të kundërshtohej ashpër nga vetë Wadephul, i cili në emër të CDU-së do të shprehej kundër rezultateve të progres-raportit të Komisionit Europain, i cili deklaroi se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht të vendosur nga ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së në qershor të vitit të kaluar ku nuk janë ngritur gjykatat e Posaçme, SPAK, si dhe nuk janë plotësuar vendet bosh të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.

Ministri gjerman Roth


“Në këtë drejtim, Shqipëria ka nevojë për më shumë kohë për t'u përgatitur për negociatat e anëtarësimit. Vendi duhet të bëjë çdo përpjekje për të plotësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE në shtator. Kjo përfshin një dialog të vërtetë midis qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën shtetërore. Grupi parlamentar i CDU / CSU është ende i gatshëm të ndihmojë. Të dyja palët duhet, megjithatë, të përgatiten për një dialog të tillë pa parakushte. Asnjë çështje nuk mund të përjashtohet nga diskutimi”, do të shprehej nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU.

Deklarata më e fundit do të ishte edhe ajo deputetit Olav Gutting, i cili kontestonte qëndrimin e CDU sa i përket arritjeve të Shqipërisë për procesin e integrimit, duke theksuar se ka një progres të prekshëm. “Ne duhet të jemi të ndjeshëm në mesazhet që dërgojmë nga Gjermania në Shqipëri. Problemet e brendshme janë shqetësuese, por ne duhet të jemi të kujdesshëm në këshillat që i japim Shqipërisë, për shembull në lidhje me datën e zgjedhjeve. Ne vetëm mund të themi se largimi nga Parlamenti dhe hedhja e molotovëve nuk është një mundësi. Kjo madje është e gabuar dhe nuk përputhet me vlerat tona. Mosmarrëveshjet politike duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe debateve parlamentare, jo përmes luftimeve në rrugë”, do të shprehej deputeti kristiandemokrat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë