Sabina Veizaj- Hipotekat e qindra shqiptarëve kanë dalë jashtë vendit dhe fati i pasurive të tyre të paluajtshme nuk dihet. Bëhet fjalë për garancitë e lëna në formë hipotekore të debitorëve të Veneto Bank Shqipëri pas shitjes së kësaj të fundit në 2017-ën 100% tek Intesa San Paolo.
Këto hipoteka janë aktualisht në zotërim të shoqërisë italiane shtetërore SGA (Shoqëria për Menaxhimin e Aktivitetit) në Itali e cila ka pajtuar për mbledhjen e detyrimeve të debitorëvë të ish Veneto Bank shoqërinë Tranzit SHPK në Shqipëri me seli në ishujt Cayman.
Ish punonjës të Veneto Bank Shqipëri, njëkohësisht dhe klientë të saj si depozitues dhe kredimarrës, kanë denoncuar në Prokurori këtë skandal sipas tyre, të transferimit të hipotekave nga Shqipëria jashtë kufijëve.
Historia ka nisur një vit më parë, kur Veneto Banka Shqipëri u shit në formën e bashkimit me përthithje 100% tek Intesa San Paolo Shqipëri dhe shkarkoi kolektivisht nga puna gati 70 punonjës të Veneto Bank.
Nga ai moment punonjësit kanë krijuar një llogari në rrjetin social Facebook me emër Sindikata Veneto Banka ku prej një viti denoncojnë çdo ngjarje financiare-bankare në vend, mbi të gjitha zhvillimet që kanë rrjedhur si pasojë e falimentimit të Veneto Banka.
Sindikata Veneto Bank ka denoncuar transferimin e dyshimtë të portofolit të kredive me probleme nga Intesa San Paolo tek kompania shtetërore italiane SGA e cila me anë të një prokure ka autorizuar për vjeljen e detyrimeve shoqërinë ruso amerikane me seli në ishujt Cayman e regjsitruar në Shqipëri si Tranzit Shpk.
Sindikata Veneto Bank ngre pikëpyetje se si ka mundësi që një shoqëri shtetërore italiane si SGA që paguhet nga taksat e italianëve, e paregjistruar në QKB në Shqipëri, pa njoftuar klientët e Veneto Bank merr vendime arbitrare për transferimin e pasurive të tyre jashtë kufijëve përmes një shoqërie off shore. Për më tepër klientët e prekur deklarojnë se kreditë e përcaktuara si të këqija të marra në administrim nga SGA, nuk janë tërësisht të tilla. Sipas tyre janë futur në to edhe kreditë me disa ditë deri në një muaj vonesë.
Për këtë çështje ka nisur në Itali një investigim. Hulumtimi po kryhet nga bankileaks.com i rrjetit VicenzaPiù, platformë dedikuar investigimit dhe publikimit të fakteve e dokumenteve të vështira për tu gjendur, veçanërisht në fushën financiare dhe bankare.
Investigimi, citon rrjeti italian, ka lindur nga denoncimi i peripecive që po përjetojnë ish klientët dhe ish punonjësit e Veneto Banka të Shqipërisë.
Këtë platforma e mbështet mbi një dokument që e bën publik (dhe të tjera që do ti bëjë publike në ditët në vazhdim, siç thotë ) ku shoqëria SGA e përfaqësuar në Shqipëri nga Tranzit SHPK njofton klientin X se është në vonesë të pagimit të këstit të kredisë .
Rrjeti italian ngre dyshime për rrezikun e lartë të paraqitur nga "kontrata e shërbimit" ndërmjet SGA dhe Tranzit shpk (shoqëria për grumbullimin e borxheve, regjistruar në Ishujt Cayman dhe me origjinë ruso-amerikane përmes NCH Capital). “Siguria e Italisë është në rrezik! "- citon në artikullin e saj bankileaks duke shtuar se në këtë mes mund të jenë në rrezik shumë komunitete. Rrjeti italian hedh dyshime mbi marrëdhëniet trepalëshe Trazit, Intesa Sanpaolo dhe SGA, por kjo, thotë rrjeti, mbetet për tu vërtetuar.
Edhe pse kjo odise vijon prej një viti, deri më tani nuk ka asnjë reagim prej institucioneve përgjegjëse si Ministria e Financave, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, Autoriteti i Konkurrencës, etj.
Gazeta “Si” kërkoi informacion mbi çështjen pranë Bankës së Shqipërisë e cila është rregullator dhe mbikqyrës i bankave të nivelit të dytë në vend dhe për rastin në fjalë e ka miratuar shitjen e Veneto Bank bazuar mbi ligjet dhe rregulloret në fuqi.
Banka e Shqipërisë bëri me dije se në ditët në vazhdim do të ketë një reagim për çështjen në fjalë.
Referuar ekstraktit të Veneto Banka SHA në QKB e cila identifikohet me NIPT J71928004K , referuar edhe vendimit të Asamblesë së Jashtëzakonshme të Aksionerëve të Intesa San Polo Bank Albania Sh.A për miratimin e bashkimit me përthithje të VB Albania dhe ISP Albania, në dokumentet respektive vërtetohet se VB Albania kalon 100 % tek ISP Albania sëbashku me aksionet, borxhet, detyrimet, marrëveshjet, etj, të cilat nuk mbeten të kufizuara në atë listë. (dokumentet bashkëlidhur më poshtë).
Vendimi Asambleja Intesa San Paolo
Ekstrakt Historik Veneto Bank Albania
Projektmarrëveshja e bashkimit me përthithje të dy bankave
Nuk dihet ende se me çfarë marrëveshjeje apo kontrate Intesa San Paolo i ka kaluar menaxhimin e kredive me probleme SGA dhe pse dhe si, mbi ç’bazë ligjore kjo e fundit e ka autorizuar Tranzit Shpk për mbledhjen e detyrimeve dhe sekuestrimin e transferimin e pasurive të klientëve të Veneto Bank jashtë kufijëve pa i vënë ata në dijeni.
“A duhet kallëzuar penalisht Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti Konkurencës që dhanë OK për përthithjen mes Bankës Intesa Sanpaolo dhe Veneto Banka? Ja ku vijmë sot në konkluzionin që kjo procedurë ishte e paligjshme. Falimentimi i “bankave popullore” në Itali i diktuar nga Bashkimi Europian. Dhe këtë e thotë Gjykata Europiane! Klientët në Shqipëri të Veneto Banka humbën kolateralet e tyre të transferuara tashmë në Itali tek SgA spa dhe punonjësit e Veneto Banka humbën vendet e punës. Po Ministria e Financave dhe Qeveria Shqiptare a duhet të alarmohen për shqiptarët klientë të këtyre bankave?”-citohet në një prej statuseve të Sindikata Veneto Banka.
Në një tjetër status sindikata shkruan: “E çuditshme se si pronat e mira me vlera të mëdha financiare të Veneto Banka në Shqipëri, nuk kaluan në Itali tek SGA spa, por tek Intesa Sanpaolo Bank? E kemi thënë edhe më parë që dy bankat Intesa Sanpaolo dhe ABI Bank nëpërmjet TRANZIT shpk merreshin vesh shumë mirë me njëra-tjetrën. Madje kemi edhe ca fakte të tjera në lidhje me këtë biznes, tek cila bankë ka qenë borxhi përpara se të blihej nga Veneto Banka. Këto fakte janë depozituar në Prokurorine e Tiranës, dhe së shpejti do bëhen publike. Presim më shumë shprese nga organi i akuzës të zbardhë të vërtetat që disponon!”
Sindika e Veneto Bank bën me dije se po bëjnë tashmë gati dosjen që çështjen ta shpien në Gjykatëne e Strasburgut dhe atë të Venezias me objekt padie “zhdukjen nga Bilanci i kredive, hipotekat e tyre”. Arbitrazhi Ndërkombëtar, thonë ata, do ta lëshojë faturën shumë të lartë për këtë dëm financiar me përgjegjës kryesor Qeverinë Shqiptare dhe Bankën e Shqipërisë.
Shitja e Veneto Bank
Grupi Intesa San Paolo Bank në Itali bleu pjesën e mirë (good Bank) të aktiveve të Bankave të provincës së Veneto-s (Veneto Banca dhe BancaPopolare di Vicenza), në një lëvizje, që së bashku me dekretin e qeverisë italiane për likuidimin e pjesës së keqe të tyre, (bad Bank) i dha fund një krize që po vazhdonte të paktën prej dy vitesh dhe që po testonte sistemin financiar italian, të zhytur në barrën e kredive të këqija.
Menjëherë më pas, Banka e Shqipërisë njoftoi se për sektorin bankar shqiptar, kjo do të thotë që “Banka Veneto sh.a”, deri më parë e zotëruar plotësisht nga grupi bankar “Veneto Banca”, tani do të zotërohet nga grupi bankar “Intesa Sanpaolo” dhe aktiviteti i saj do të bëhet pjesë e këtij grupi bankar. Ndryshimi i aksionerit do të ruajë treguesit e mirë të bankës dhe do të përmirësojë administrimin e saj. Si edhe në raste të tjera të ngjashme, ndryshimi i aksionerit do të jetë një proces i pandjeshëm për veprimtarinë e përgjithshme, për depozituesit dhe për klientët e tjerë të bankës.
Autoriteti i Konkurrencës do të njoftonte në shtator 2017 se miratonte përqëndrimin e realizuar nëpërmjet blerjes së disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhenieve ligjore të ndërrmarjes Veneto Banca S.p.A nga Intesa Sanpaolo S.p.A. Ky përqëndrim kishte të bënte me blerjen nga Intesa Sanpaolo S.p.A. të disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhënieve ligjore të Banca Popolare di Vicenza S.p.A. ( BPVI) dhe Veneto Banca S.p.A., të dyja në likuidim administrativ të detyrueshëm. Në tregun bankar shqiptar transaksioni do të prekte vetëm Veneto Banka SHA, nëpërmjet blerjes nga ana e Intesa Sanpaolo Bank të disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhënieve ligjore të Veneto Banka SHA.
Përfitimi i kontrollit të Banca Popolare di Venecia S.p.A dhe Veneta Banca nga Intesa San Paolo Bank në Itali do të ishte një transaksion i detyrueshëm për të shmangur pasojat serioze sociale që do të kishin rrjedhur nga procedurat e likuidimit të detyrueshëm administrativ për këto dy banka. Transaksioni që do të realizohej për çmimin simbolik prej 1 euro do të kishte si qëllim të shmangte pasojat në rastin e likuidimit të këtyre dy bankave për rreth 2 milion depozitues si dhe aktivitetet e rreth 200,000 bizneseve të mbështetura financiarisht, vendet e punës së të punësuarve të të dy grupeve bankare dhe në përgjithësi krizën në ekonominë italiane dhe vendet ku këto banka janë prezente nëse do të ishte lejuar likuidimi i dy bankave.
Intesa San Paolo është banka e katërt më e madhe në Shqipëri, sipas aktiveve.
Referuar të dhënave të saj të 2018-ës banka ka :
Aktive LEK 168.00 miliard
Depozita LEK 134.45 miliard
Kredi LEK 42.15 miliard
Personeli 583*
Njësi bankare 32
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.