Mentor Kasa – Që prej mbrëmjes se të mërkurës, politika ja ka dalë mbanë që të zhvendosë debatin e grabitjes së miliona eurove brenda ambienteve të Aeroportit të Rinasit tek ligjshmëria e vendimit të Ministrisë së Mbrojtjes për të ruajtur me trupa ushtarake perimetrin e sigurisë së këtij aeroporti.
Vendimin e njoftoi ministrja Olta Xhaçka, e cila pasi akuzoi koncesionarin se kishte dështuar krejtësisht në garantimin e sigurisë në këtë objekt me rëndësi strategjike për vendin, njoftoi ndërhyrjen përmes Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave të Armatosura.
Kushtetuta ua ndalon si trupave ushtarake ashtu edhe Policisë Ushtarake që të marrin në dorë sigurinë e objekteve, qofshin këto të rëndësisë së veçantë pa u miratuar më parë nga Kuvendi gjendja e jashtëzakonshme. Kjo gjendje mund të vendoset në një pjesë ose në të gjithë territorin. Por edhe pasi vendoset gjendja e jashtëzakonshme duhet plotësuar një tjetër kusht që të vihet në lëvizje ushtria.
“Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërhyrja e Forcave të Armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje që të rivendosin rendin”, thuhet në pikën 2 të nenit 173 të Kushtetutës.
Pra, në këndvështrimin kushtetues, urdhri i Olta Xhaçkës për të marrë në mbrojtje aeroportin, megjithë zhurmën që shkaktoi nuk përligjet, pasi as gjendja e jashtëzakonshme nuk është vendosur më parë në këtë pjesë të territorit të Shqipërisë dhe as policia e shtetit nuk kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë nga pamundësia për të vepruar.
Këto kishte parasysh edhe Presidenti Ilir Meta kur kërkoi bazën ligjore mbi të cilën ishte mbështetur urdhri i nxjerrjes së Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave të Armatosura në aeroportin e Rinasit.
Olta Xhaçka iu përgjigj se vendi nuk ishte në gjendje lufte dhe se Kushtetuta nuk është shkelur. Xhaçka thotë se detyron vendin tonë, që të garantojë në çdo moment përdorimin e aeroporteve, rrugëve dhe infrastrukturës tjetër të nevojshme për Aleancën. Pra, sipas kësaj fjalie, rreziku qënka aq i madh se ndërhyrja e ushtrisë është e domosdoshme për të mos nxjerrë aeroportin jashtë pune, por jo aq i madh se të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Edhe vetë citimi i ligjit në fjalë nuk përkon plotësisht me rastin e fundit të Rinasit. Ligji rregullon më së shumti anën teknike të lëvizjes së trupave të Aleancës në territorin.
Kryeministri Edi Rama solli me foto në rrjetet sociale ushtarë duke patrulluar në aeroportet më të mëdha të Europës, mes të cilave edhe në Paris për të mbrojtur vendimin e tij për nxjerrjen e trupave ushtarake në Rinas.
Por, as analogjia e Kryeministrit nuk qëndron. Është e vërtetë që ushtria del herë pas herë në patrullime në objektet civile në Francë, por kjo ndodh brenda mekanizmit të një kuadri ligjor që është ngritur që në vitin 1978 nga Presidenti Valery Giscard d’Estaing dhe përditësuar tre herë që prej asaj kohe.
Bëhet fjalë për një sistem “vigjilence dhe mbrojtjeje kundër atentateve terroriste me bombëvënie” të pagëzuar me emrin “Vigipirate”. Deri në 2014, sistemi parashikonte katër nivele rrezikshmërie. Në nivelin më të lartë, ushtria u bashkohej forcave të policisë përmes patrullimeve në rrugë dhe objekte të rëndësisë së veçantë.
Në 2014, nivelet u thjeshtuan në dy, në “gjendje gatishmërie” dhe “alarm për sulme”. Ndryshimet u argumentuan nga ligjvënësit francezë me nevojën për t’iu përshtatur evoluimeve të sulmeve dhe celulave terroriste. Në gjendjen e gatishmërisë patrullimet e ushtrisë nëpër rrugë dhe objekte janë thuajse zero, ndërsa në gjendjen “rrezik sulmi” ajo merr në mbrojtje pikat kyçe të zonës ku lëshohet alarmi.
Gjithsesi, në asnjë rast ndërhyrja dhe patrullimet në masë nëpër aeroporte dhe stacione trenash e autobusash nuk bëhen pa shpalljen më parë të gjendjes së jashtëzakonshme, si në rastin e 14 nëntorit 2015, pas sulmeve terroriste në Paris. Kjo gjendje e jashtëzakonshme u vendos në të gjithë Francën dhe zgjati deri më 1 nëntor të 2017.
Ky është modeli i zgjedhur nga francezët, thuajse unik në botë, ndërsa në vende të tjera të Perëndimit, nxjerrja e trupave të ushtrisë në rrugë është akoma më e ndërlikuar dhe kërkon më parë përmbushjen e disa kritereve më të forta. Në Gjermani, Itali, e Spanjë ndërhyrja kryhet vetëm kur forcat e policisë e kanë të pamundur që të ushtrojnë detyrën e tyre në ruajtjen e rendit.
E përbashkëta e të gjitha rasteve europiane është se ushtria ka ndërhyrë gjithmonë kur i është kanosur rrezik një i jashtëm, ose i ndikuar nga jashtë dhe asnjëherë kur bëhet fjalë për grabitje parash, apo sulme të tjera më të rëndomta.
Në vendin tonë, mekanizmi sesi dalin në rrugë ushtarët është më kompleks. Sipas Kushtetutës, ushtria del vetëm në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme, qoftë të pjesshme qoftë në gjithë territorin. Gjendja e jashtëzakonshme duhet të miratohet nga Kuvendi, pra kërkon një vendim kolegjial. Në Francë, si shembull, kjo gjendje vendoset nga Presidenti.
Kur dha urdhrin e marrjes në dorë të sigurisë së aeroportit, Ministria e Mbrojtjes duhet të ketë qenë në dijeni të këtij fakti dhe në fjalimin e saj u kujdes të përforconte se ushtria do të vendosej në perimetrin rrethues të objektit dhe jo brenda tij. Rrethimi është është vija që ndan përgjegjësitë dhe detyrimet për secilën palë, si për shtetin, ashtu edhe për kompaninë koncesionare. Pra, rrethimi është ‘burimi’ i gjithë kësaj tymnaje politike.
Prandaj, vendosja brenda mund të shkaktonte një përplasje të ashpër, jo vetëm me kompaninë kineze. Ndërhyrja e ushtrisë në këtë territor është e sanksionuar edhe në kontratën koncesionare të nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe koncesionarit në vitin 2004.
Sipas kësaj kontrate, koncesionari ka të drejtën ekskluzive të garantimit të sigurisë në ambientet e brendshme të aeroportit dhe e kryen këtë mision përmes pajtimit të një kompanie private të sigurisë, në këtë rast ICTS-së. Pra, siguria brenda ambienteve të aeroportit teorikisht rregullohet në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar përmes një kontrate të nënshkruar mes dy kompanive private, e para kinezja që menaxhon aeroportin dhe e dyta ICTS-ja. Sa zbatohen detyrimet që burojnë nga ligjet shqiptare në terren? Kush mbikëqyr respektimin e kësaj kontrate dhe për më tepër të kuadrit ligjor shqiptar?
Këtu hyn në lojë Autoriteti i Aviacionit Civil. Ky i fundit ka për detyrë dhe kompetencë që të verifikojë nëse kompania kineze që ka me koncesion aeroportin garanton sigurinë sipas ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar. Këtë detyrë e realizon përmes inspektorëve në terren dhe hartimit të raporteve dhe strategjive të sigurisë që janë të detyruara të zbatohen nga koncesionari. Ky rol që i jepet nga ligjet shqiptare, i njihet autoritetit edhe në kontratën koncesionare, të ratifikuar përmes ligjit Nr.9312, date 11.11.2004. Në pjesën “Detyrimet e Përgjitshme të Shoqërisë”, pika “K” garanton aksesin e inspektorëve të AAC në të gjitha ambientet e aeroportit për të përmbushur detyrën e tyre.
Ndërsa pika “L” ngarkon kompaninë me ruajtjen e aeroportit përgjatë gjithë afatit të koncesionit. Në këtë pikë parashikohet edhe kur mund të ndërhyjë ushtria. “Në rastin e Forcës Madhore, Qeveria e Shqipërisë do të sigurojë personel policor, ushtarak si dhe pajisje shtesë sipas nevojës për ruajtjen e sigurisë në Zonën e Koncesionit”, thuhet në kontratë.
Pra, kushti është një “forcë madhore”, ose një gjendje e jashtëzakonshme me termat e sotëm. Pika 23.3 e kontratës përkufizon se çfarë cilësohet forcë madhore dhe mes tyre gjenden edhe “aktet e terrorizmit dhe terrorizmi”. Tani debati është nëse dy grabitjet brenda ambienteve të aeroportit plotësojnë kushtin e “forcës madhore”, apo jo.
Si përfundim, më shumë sesa për të garantuar sigurinë në aeroport, lëvizja e ushtrisë duket se ka për qëllim shpërqendrimin nga problematika e vërtetë dhe ndezjen e një debati që devijon nga thelbi i problemit. Thelbi është kush e ka fajin? Deri më tani ai mbetet “jetim”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
















