Përveç frontit ballor përmes protestave para Kuvendit sa herë që socialistët mblidhen në seancë plenare, opozita po përpiqet që të tërheqë në kauzën e saj për largimin e Edi Ramës edhe grupet e shoqërisë mosbesuese, jo vetëm ndaj premtimeve të saj, por ndaj klasës politike në tërësi.
Një prej grupeve më mosbesuese janë të rinjtë, sidomos studentët. Në dhjetor të vitit të kaluar, përmes protestës masive ata dërguan një sinjal të fortë pakënaqësie ndaj qeverisjes në përgjithësi, por mosbesimi ndaj klasës politike u kufizoi kërkesat në një grusht pikash që lidheshin ekskluzivisht me arsimin e lartë, pika që u pranuan nga Edi Rama, përveç asaj që kërkonte shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë.
Për realizimin e këtyre pikave u vendosën edhe afate konkrete. Por sot, kur kanë kaluar më shumë se 3 muaj për një pjesë e mirë e pikave që duhej të ishin përfunduar nuk ka nisur ende zbatimi, siç është rasti i kartës së studentit. Kjo ka rindezur pakënaqësinë në radhët e studentëve dhe Kryemininstri është vënë në dijeni duke shpeshtuar takimet me të rinjtë, ku për mosrealizimin e tyre bëntë po aq, në mos më shumë fajtorë universitetet.
Në bashkëbisedimin e fundit me ta, Rama përjashtoi sërish mundësinë e shfuqizimit të ligjit për arsimin e lartë, ndërsa akuzoi rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni si pengesa kryesore e zbatimit të “Paktit për Universitetin”.
Ashtu si Rama, edhe Basha ka organizuar disa takime me të rinjtë, ku megjithëse nuk e ka shqiptuar, propozon një pakt tjetër për universitetin. Pika e parë e propozimit të Bashës është anulimi i ligjit për arsimin e lartë dhe hartimin e një ligji të ri me konsultime me studentët dhe pedagogët e universiteteve. Pika e dytë është dyfishimi i buxhetit për arsimin, duke e konsideruar nivelin prej 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto si niveli minimal.
Sa i realizueshëm është ky premtim? Shfuqizimi i ligjit aktual dhe miratimi i një ligji të ri për arsimin e lartë është një proces që kërkon vetëm vullnet politik dhe mund të realizohet, mjafton që Basha të ketë vullnetin, e mbi të gjith mazhorancën në Parlament.
Në 2018, 2.49 për qind e PBB-së shkoi për arsimin në tërësi, ndërsa në 2019 është parashikuar një buxhet me 1.1 mld lekë më shumë. Por, për nevojat e këtij sektori nga ekspertët kjo shumë konsiderohet si shtesë e papërfillshme. Për arsimin e lartë shkon vetëm 0.4 për qind e PBB-së. Basha premton dyfishimin e buxhetit për arsimin në tërësi, pa hyrë në detaje teknike për arsimin e lartë.
Nisur nga këto, a është i mundshëm dyfishimi i buxhetit për arsimin? Teorikisht po, por praktikisht kërkon kohë dhe kohën ka kërkuar edhe Edi Rama në bashkëbisedimet me studentët, kur ua ka bërë të qartë se dyfishimi i buxhetit për arsimin, aktualisht është e pamundur. Si përgjigje, Rama premton rritjen e buxhetit vit pas viti.
Basha nga ana tjetër nuk jep një afat se kur do të realizojë dyfishimin e buxhetit për arsimin e lartë, por e konsideron këtë premtim si të realizueshëm brenda një kohe të shkurtër përmes dy masave kryesore. Së pari, ai citon luftën ndaj korrupsionit dhe abuzimeve me tenderat publikë, sidomos sa i takon infrastrukturës. Kreu i PD-së citon koston e rindërtimit të Unazës së Re dhe skandalin e DH Albanias si shembull tipik të korrupsionit dhe abuzimit në këtë rast.
Së dyti, Basha thotë se të ardhurat do të sigurohen përmes rritjes së buxhetit të shtetit në tërësi, që do të pasojë, sipas tij, çlirimi i ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët.
Ka një tjetër premtim të Lulzim Bashës, por që nën presionin e protestës së studentëve u realizua pjesërisht nga Edi Rama. Në nëntor të vitit të kaluar, një muaj para se të niste protesta studentore, Lulzim Basha premtonte përgjysmim të tarifave për arsimin e lartë dhe pagesa e stazheve për të sapodiplomuarit.
“Do të hartojmë ligj të ri në mënyrë që çdo i ri dhe e re shqiptare të ndjekë studimet pavarësisht nga mundësitë ekonomike të familjes”, thotë Basha.
Pra, kreu i PD-së premton gjithashtu edhe një arsim të lartë universal. Në ndryshim nga Basha, Rama mendon të kundërtën dhe i qëndron orientimit që ka ndjekur që prej fillimit duke u dhënë përparësi shkollave profesionale. Nuk ka ende një masë konkrete, por në deklaratat e fundit, Kryeministri ka nënkuptuar rritjen e kriterit të mesatares dhe përforcimin e kritereve të tjera për pranimet në universitete.
Të nxitura nga sinjalizimet për një rindezje të protestës së studentëve, apo premtime që vërtet u besojnë, këto janë dallimet kryesore mes paktit për universitetin që po përpiqet të zbatojë Edi Rama dhe paktit për universitetin dhe arsimin e lartë që premton Lulzim Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





