Analize

“Furtunë” e re në Itali

Presidenti i Italisë krijoi një furtunë të re zgjedhjesh ditën e sotme, duke emëruar Carlo Cottarellin, një ish-zyrtar të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si kryeministër të përkohshëm dhe duke i caktuar detyrën e planifikimit të zgjedhjeve të parakohshme. Gjithçka erdhi pasi Presidenti Sergio Mattarella ka vënë veton ndaj propozimit të partive euroskeptike për ministrin e ardhshëm të ekonomisë, duke bërë që Partia Lëvizja Pesë Yjet dhe Lega Nord të akuzonin presidentin për tradhti ndaj votuesve italianë dhe se po përpiqej t’i merrte pushtetin nga duart.

Perspektiva e zgjedhjeve të reja ka tronditur tregjet financiare, ndërkohë që investitorët janë të shqetësuar se votimi mund të bëhet referendum de facto për anëtarësimin në euro të Italisë. Vlera e euros ishte më e ulëta gjashtë muajt e fundit dhe rendimentet mbi obligacionet e qeverisë italiane u ngritën edhe më shumë. Pesë Yjet po rishqyrton fushatën së bashku me Lega Nord, në rast se Italia shkon sërish në votime. Partia e qendrës së djathtë Forza Italia tha gjithashtu se nuk do të votonte në favor të një qeverie të udhëhequr nga Cottarelli.

Në një fjalim në televizion, Mattarella tha se kishte refuzuar kandidatin e koalicionit për ministër të Ekonomisë, 81-vjeçarin Paolo Savona, sepse ekonomisti kishte kërcënuar të nxirrte Italinë jashtë eurozonës.

Carlo Cottarellin dhe Matarella

“Pasiguria mbi pozicionin tonë ka alarmuar investitorët në Itali dhe jashtë vendit- tha Mattarella- Anëtarësimi në euro është një vendim themelor. Nëse duam ta diskutojmë atë, atëherë duhet ta bëjmë këtë në mënyrën më serioze të mundshme”.

Lega dhe 5 Yjet, të cilat kishin kaluar ditë të tëra duke hartuar një pakt për koalicionit qeveritar, u përgjigjën me tërbim ndaj Mattarellas, duke e akuzuar për abuzimin me zyrën. Kreu i Lëvizjes Pesë Yjet, Luigi Di Maio, i bëri thirrje parlamentit të shkarkonte Mattarellan, ndërkohë që Matteo Salvini kërcënoi se do të organizonte protesta masive nëse presidenti e çonnte vendin drejt zgjedhjevë të menjëhershme.

“Nëse nuk merr vulën e Berlinit, Parisit apo Brukselit, asnjë qeveri nuk mund të formohet në Itali. Kjo është çmenduri! U kërkoj italianëve të qëndrojnë pranë nesh, sepse dëshiroj ta kthej demokracinë në këtë vend, “u tha Salvini gazetarëve. Megjithatë, ai uli tonet disa orë më vonë, duke thënë se italianët duhet të ruanin qetësinë.

“Disa gjëra nuk mund të bëhen në zemërim … Unë nuk dua të flas për fajtorin- tha ai në një intervistë radiofonike.

Vendimi për të emëruar Carlo Cottarelli për të formuar qeverinë, e vendos Italinë sërish në zgjedhje, të cilat ka gjasa të bazohen përsëri në anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në zonën euro, një perspektivë që po trondit tregjet financiare globale. Cottarelli u tha gazetarëve pas emërimit të tij si kryeministër i përkohshëm se zgjedhjet do të do të mbahet në vjeshtë ose në fillim të vitit të ardhshëm. Pas Brexit, Italia është ekonomia e tretë më e madhe në Bashkimin Evropian dhe e teta më i madh në botë me një GDP nominale prej afro 2.2 trilionë dollarë, një popullsi prej 60 milion banorësh, anëtare e NATO-s dhe e G7-ës. Po të mos mos paguante në kohë, borxhin publik prej më shumë se 2.6 trilionë dollarësh, as ajo nuk do të mund të shpëtohej si Greqia. Por tanimë, çështja e shpëtimit të Italisë (nga vetvetja) është kthyër në përparësinë më të madhe të anëtarëve të tjerë të BE-së, pasi frika për krijimin e një qeverie euro-skeptike në Itali është padyshim mankthi më i madh i kontinentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë