Në pritje të mbërritjes së protestuesve nga rrethet, grupe të rinjsh të Partisë Demokratike kishin bërë gati në Tiranë banderolat dhe simbolikën ku bazohej e gjithë protesta.
Në sheshin “Skënderbej” ata shpalosën të modifikuar “Zonjën Drejtësi”, personifikimin alegorik të drejtësisë; një skulpturë e verbër me një peshore në dorë. Por, në vend të Justices, perëndëshës së drejtësisë sipas mitologjisë romake, në të shfaqej Kryeministri Edi Rama. Peshorja ishte e zhdrejtë dhe anonte nga “droga e paratë”, e jo nga Kushtetuta.
Megjithatë, protesta e opozitës nuk bëri dot të gjithë bashkë opozitarët e Qeverisë, por arriti që të përshëndetet si nga Lulzim Basha, ashtu edhe nga Edi Rama.
I pari përshëndeti dhe falenderoi pjesëmarrësit në tubim dhe premtoi vijimin e protestës deri në largimin e Qeverisë “Rama” – siç tha – jo për të marrë pushtetin për vete,
“Unë nuk jam këtu për të kërkuar pushtet për vete, për të qenë mbi ju. Jam këtu për t’ju dhënë kurajo, për të qenë një nga ju, për të qenë bashkë me ju”, tha ai.
Gjatë fjalës së Lulzim Bashës, një pjesë e protestuesve hidhnin në drejtim të Kryeministrisë tymuese, flakadanë dhe sende të tjera të forta dhe pati disa konfrontime sporadike me punonjësit e policisë.
Pas fjalës së mbajtur para Kryeministrisë, Lulzim Basha ftoi protestuesit që të marshonin në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Këtu përplasja me forcat e rendit ishte më serioze.
Një grup protestuesish çmontuan rrjetat e telit të vendosura para hyrjes dhe duke i përdorur si mburoja u munduan të shtyjnë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, që ishin vendosur për siguri në oborrin e Ministrisë.
Pikërisht në përleshje e sipër gjakoset kryeredaktori i RD-së, Blendi Kasmi. Përmes rrjeteve sociale, Basha dhe Berisha akuzuan policinë për dhunën e ushtruar. Berisha tha se Kasmi u gjakos në përleshje me “bandat me uniformë”.
U desh ndërhyrja e kreut të PD-së që u bëri sërish një thirrje protestuesve, këtë herë për ta ndjekur drejt selisë së Partisë Demokratike. Lëvizja u interpretua si një përpjekje e Lulzim Bashës për të shmangur përshkallëzimin e përleshjeve me forcat e rendit që ndodheshin në oborrin e Ministrisë së Brendshme.
Ndërkohë, duke iu drejtuar në këmbë Ministrisë së Brendshme, aty ku Lulzim Basha kishte ftuar protestuesit për ndalesën e radhës, Sali Berisha u ndal tek një grup punonjësish të Policisë së Shtetit. U kujtoi vettingun që ka nisur në radhët e tyre dhe u dha një garanci.
“Ju të beni vetting dhe ai të mos bëjë! E drejtë ju duket kjo ju?! Rrini të qetë! Asgjë nuk do të ndodhë. Punë të mbarë!”, iu drejtua ai.
Nga Berati, ku ka zhvendosur gjithë kabinetin qeveritar, Edi Rama komentonte përmes rrjeteve sociale. Falenderimin e kishte për demokratët që nuk morën pjesë në protestën e thërritur nga opozita sot. Nuk harron të ironizojë si protestën, ashtu edhe organizatorët e saj.
“Faleminderit të gjithë atyre demokratëve, të cilët nuk duan ta shohin me sy qeverinë, po e refuzuan ftesën për të marrë pjesë në babaleprotestën sa qesharake, aq edhe të pabesë ndaj çdo shqiptari e shqiptareje, që nuk pranon të dëmtojë Shqipërinë për babalepartinë”, shkruan Kryeministri.
Monika Kryemadhi e LSI-së, e pranishme gjatë gjithë kohës në protestë, por që nuk iu drejtua protestuesve në shesh, foli në një deklaratë për mediat pas saj. Protestën e kësaj të shtune e interpreton si provë që vetëm opozita e bashkuar e çon vendin në BE.
“Ishte një protestë qytetare për të treguar që është opozita e bashkuar që e afron Shqipërinë me BE dhe është vetëm qeveria e krimit dhe e drogës e Edi Ramës që e largon më shumë Shqipërinë nga BE”, tha ajo.
Edi Ramës i përsëriti thirrjen e protestuesve dhe thotë se Kryeministri ka mbetur i vetëm dhe është pengesë për hapjen e negociatave.
“Edi Rama t’i thërrasë ndërgjegjes së tij, nëse i ka mbetur sadopak dhe të tërhiqet e largohet se tashmë është vetëm, nuk e ndjek më njeri nga prapa. Nuk ka zgjidhje tjetër! Vetëm të largohet për t’i dhënë mundësi Shqipërisë që të hapë negociatat me BE”, tha Kryemadhi.
Protesta zgjati pak më shumë se dy orë, nga katër orët e lejes që i kishte dhënë Policia e Shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.