Analize

Pesë mite rreth socializmit!

Gati 30 vjet më pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik duket se socializmi është kthyer sërish në modë. Në Amerikë, kemi shembullin e Aleksandra Ocasio-Cortez, anëtare e sapozgjedhur në Kongres, e cila po konsiderohet si “ylli në ngjitje” i socialistëve. Ndërsa në Britani, Jeremy Corbyn, lideri i vijës së ashpër të Partisë Laburiste, i cili ka shumë mundësi që të marrë çelësat e 10 Doëning Street. Socializmi po kthehet sërish, sepse ai ka krijuar një kritikë intriguese të asaj që ka shkuar keq në shoqëritë perëndimore.

Ndërkohë që politikanët e krahut të djathtë kanë hequr shpeshherë dorë nga betejat e ideve dhe janë drejtuar kah politikave shovinste dhe nostalgjisë, krejt e kundërta ka ndodhur me të majtët. Ata janë përqendruar në çështjet e ndryshme të pabarazisë, në ato të mjedisit dhe si t’u japin qytetarëve më shumë pushtet në duart e tyre dhe jo elitave. Megjithatë edhe pse e majta e rilindur mund të ketë një sërë ideologjish të sakta, pesimizmi i saj për botën moderne është i tepruar.

Miti i parë: Socializmi është një ideologji e vetme koherente.

Shumë kritikë të socializmit e marrin të mirëqenë se kjo ideologji është një filozofi e unifikuar. Grupet socialiste mund të kenë emra të ndryshëm (socialistë demokratikë e kështu me radhë), por sipas opinionistes Jenna Ellis dallimet midis tyre janë një iluzion. “Të gjitha lëvizjet socialiste janë pararendëse të marksizmit”, thotë ajo. Ndërkohë, sipas një editoriali të “Business Daily” të gjitha format e socializmit janë të njëjta.

Megjithatë, socializmi ka kuptime dhe interpretime të shumëfishta. Një nga dallimet kryesore përqendrohet në faktin se nëse socializmi është një sistem që duhet të zëvendësojë kapitalizmin ose që mund të shfrytëzojë kapacitetin prodhues të tregut për qëllime progresive. Karl Marx, i cili parashikoi se forcat historike në mënyrë të pashmangshme do të çonin drejt shkatërrimit të kapitalizmit dhe në kontrollin qeveritar të industrisë, ishte mbështetësi më i famshëm i socializmit. Pas tij, Vladimir Lenini nisi një revolucion të përgjakshëm për të shkatërruar kapitalizmin.

Aleksandra Ocasio-Cortez,

Megjithatë, socialistët e tjerë nuk e pranuan natyrën e dhunshme dhe jodemokratike të asaj ideologjie, edhe pse ranë dakord se kapitalizmi ishte i padrejtë dhe i paqëndrueshëm. Roli i të majtëve, në pikëpamjen e këtyre “socialistëve demokratë”, si për shembull, teoricieni çek Karl Kautsky, ishte t’u kujtonin qytetarëve defektet e kapitalizmit dhe të ofroni një sistem ekonomik alternativ që do t’i jepte fund pronësisë private dhe do të ushtronte kontroll popullor mbi mjetet e prodhimit.

Megjithëse shumë liderë të majtë në mbarë botën, apo senatorë amerikane si Sanders kanë vendosur të përqafojnë termin “socialdemokrat”, pasi politikat që ata mbrojnë i vendosin ato shumë më afër një tradite tjetër socialiste: demokracisë sociale.

Socialdemokratët thonë se është e mundur dhe e nevojshme të reformohet kapitalizmi. Kjo traditë mbizotëronte pas Luftës së Dytë Botërore dhe çoi në përhapjen e socializmit në Europë dhe për pasojë edhe atë të komunizmit.

Miti i dytë: Socializmi dhe demokracia janë si dy drejtëza paralele që nuk përputhen

Në një fjalim të mbajtur muajin e kaluar mbi krizën në Venezuelë, Trump argumentoi se socializmi “gjithmonë do të shkaktojë tiraninë”.

Natyrisht, komunistët e kundërshtojnë demokracinë, por ka edhe shumë socialistët që e kanë mbështetur me forcë. Në shumë pjesë të botës, duke përfshirë edhe Europën, ata ishin avokatë të demokracisë. Eduard Bernstein, për shembull, një nga etërit e demokracisë sociale, e përshkroi demokracinë si formë për realizmin e socializmit.

Pas Revolucionit Rus, angazhimi për demokracinë u bë dallimi kyç që ndau socialistët nga komunistët. Bolshevikët u ndanë nga socialistët në vitin 1919, sepse ata nuk u angazhuan për të përmbysur kapitalizmin nga “të gjitha mjetet e disponueshme, përfshirë forcën e armatosur”. Pas Luftës së Dytë Botërore, partitë socialiste dhe socialdemokrate u bënë sistemet qendrore demokratike në Evropë.

Bernie Sanders

Miti i tretë: Të gjithë socialistët duan të shfuqizojnë tregjet dhe pronën private.

Cass Sunstein, një profesor i njohur amerikan shkruan se sapo votuesit të kuptojnë se socializmi nënkupton pronësinë qeveritare të linjave ajrore të kombit, spitaleve, restoranteve dhe dyqaneve dot distancohen nga ai. “Socializmi çon në “sekuestrimin e pronës private dhe diktimin e sjelljes individuale”, thotë ai.

Por, edhe për këtë çështje, traditat ndryshojnë. Socialistët demokratë thonë se në parim shpresojnë që kapitalizmi të zhduket gjatë një periudhe afatgjatë dhe se kanë filluar të punojnë për ndryshime të njëpasnjëshme në pronësinë dhe kontrollin e burimeve ekonomike. (Socialistët demokratë kurrë nuk kanë mbajtur pushtet kështu që programet e tyre mbesin kryesisht teorike.) Dhe socialdemokratët janë përqendruar në rishpërndarjen e fryteve të tregjeve dhe sipërmarrjeve private sesa kontrollin e tyre. Shumica e politikave të mbështetura nga socialistët modernë, duke përfshirë kujdesin shëndetësor universal, arsimin e lirë të kolegjit, dhe pasurinë më të madhe dhe taksat mbi të ardhurat, janë të arritshme brenda një sistemi kapitalist.

Miti i katër: Kur socializmi vihet në jetë, ai dështon

“Socializmi. . . gjithmonë do të dështojë “, shkruan Mark J. Perry, profesor i ekonomisë në Universitetin e Miçiganit.

Komunizmi me siguri ka dështuar, por demokracia sociale ka qenë ndoshta ideologjia ose lëvizja politike e vetme më e suksesshme. Demokracitë e qëndrueshme europiane u ngritën pas Luftës së Dytë Botërore, pas arritjes së një konsensusi social për tregje relativisht të lira dhe ofrimin e pronësisë private të mjeteve të prodhimit, taksimit progresiv dhe formave të tjera të ndërhyrjes së qeverisë në ekonomi dhe shoqëri.

Pa rezultatet mbresëlënëse ekonomike të gjeneruara nga tregu, përmirësimet e mëdha në standardet e jetesës në Perëndim pas luftës nuk do të ishin të mundshme; 30 vitet pas fundit të luftë ishin periudha më e shpejtë e rritjes ekonomike në Europë. Por pa shtetin e mirëqenies, përfitimet nuk do të ishin shpërndarë kaq gjerësisht. Po ashtu abarazia ra në mënyrë dramatike gjatë dekadave të pasluftës.

Hugo Chaves

Për më tepër, shtetet konsiderohen si më “socialdemokratike”, si vendet skandinave, janë të suksesshme pothuajse në çdo drejtim: rritja ekonomike është e fortë, papunësia është e ulët, ekonomitë e tyre renditen vazhdimisht si shumë konkurruese dhe cilësia e jetesës është shumë e lartë.

Miti i pestë: Socializmi ofron një zgjidhje të gatshme për problemet e shumta aktuale.

Mbështetësit e socializmit e promovojnë atë sot si një përgjigje të mundshme ndaj të gjitha probleme, ndryshimeve klimaterike, të drejtat e grave apo të drejtat e njerëzve me ngjyrë.

Por shumë nga socialdemokratët nuk kanë plane të qarta se me çfarë duan të zëvendësojnë kapitalizmin dhe se si ky rend i ri ekonomik do të gjeneronte rritjen, efikasitetin dhe inovacionin e nevojshëm për rishpërndarjen e të ardhurave dhe për të rritur standardet e jetesës. Nuk është e qartë as nëse socialistët modernë kanë plane realiste për t’u marrë me kontradiktat e tjera shoqërore, si emigracionin. Disa argumentojnë se shumë probleme aktuale mund të zgjidhen me versionet e reja të politikave që kanë funsksiounuar gjatë shekullit të 20-të, si një marrëveshje e re e gjelbër; më shumë shpenzime qeveritare për kujdesin shëndetësor, arsimin dhe infrastrukturën.

Republikanët këmbëngulin se këto iniciativa do t’i kthenin Shtetet e Bashkuara në një shportë tiranike ekonomike si Venezuela. Në të vërtetë, konservatorët bënë pretendime të ngjashme edhe në të kaluarën por këto politika ishin mjaft efektive.

Megjithatë, nëse socialistët duan të bindin amerikanët dhe europianët se janë zgjidhja më e mirë për problemet bashkëkohore, duhet të tregojnë se politikat e tyre mund të gjenerojnë pasuri dhe burime të konsiderueshme, si dhe në të njëjtën kohë një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave. /”Washington Post”/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë