Analize

Si mund të luftohet “kapja e shtetit” në Ballkan?

Vala e madhe e protestuesve që kanë mbërthyer së fundmi Ballkanin, nga Tirana në Beograd dhe deri në Podgoricë, ka bërë që shumë ekspertë të politikave të rajonit të tregojnë problemin më të madh me të cilin përballen sipas tyre qytetarët e këtij rajoni: kapjen e shtetit.

“Sot, vendet e Ballkanit Perëndimor tregojnë elementë të qartë të kapjes së shtetit”. Me, këtë fjali Komisioni Europian mori për herë të parë guximin një vit më parë për të folur hapur kundër strategjive të liderëve rajonalë për të kontrolluar të gjithë mekanizmat demokratike të shteteve.

Për vite me radhë, burokratët e Brukselit kanë ngritur alarmin se kapja e shtetit pengon përparimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Europian dhe kërcënon të ardhmen e qytetarëve. Por deri më tani, BE-ja nuk ka marrë ende masa, duke bërë që pakënaqësia e qytetarëve të rajonit të rritet dita-ditës. Por çfarë është kapja e shtetit dhe cilat janë “simptomat” e tij?

Sipas Bankës Botërore, “kapja e shtetit ndodh kur elita qeverisëse /ose biznesmenët e fuqishëm “kapin” ose përcaktojnë politika për të ndryshuar ligjet dhe rregullat në avantazhin e tyre. Kapja e shtetit është forma më e lartë e korrupsionit e karakterizuar nga aleanca sekrete. Ai mund të shfaqet në dy forma: kapjen e korporatave shtetërore për përfitime private dhe kapjen e partive politike po për përfitime private.

Një nga protestat e opozitës në Tiranë

Pavarësisht angazhimit të dyanshëm, një pjesë e madhe e masave teknike dhe normative të zbatuara nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor për hir të përparimit të vendeve të tyre drejt BE-së nuk kanë sjellë reforma thelbësore. Në të vërtetë, standardet demokratike të vendeve të rajonit mbeten po njësoj. Bashkimi Europian është i vetëdijshëm për këtë, por deri më tani ka vendosur të bëjë një “sy qorr”.

Retorika e Komisionit Europian në vitin 2018 ishte më e guximshme se zakonisht, veçanërisht, pasi deklaroi se problemi i kapjes së shtetit do të ndikonte në hyrjen e rajonit në BE. Sidoqoftë, ai nuk caktoi asnjë vend në mënyrë specifike, gjë që i mundësoi çdo qeverie të përjashtojë veten nga kjo shuplakë. Për më tepër, Komisioni nuk ka përcaktuar as “simptomat” që çojnë drejt kapjes së shtetit, duke bërë që shumë ekspertë të ngrenë shqetësimin se Brukseli duhet në ndryshojë mënyrën e raportimit dhe qasjes ndaj problemeve të rajonit.

Shumë ekspertë rajonalë thonë se Ballkani ka nevojë për një BE që nxjerr në pah publikisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë problemet e rajonit. Ata thonë se kapja e shtetit nënkupton një gjendje të korrupsionit të përhapur dhe shfrytëzimin e burimeve publike për përfitime private, duke neutralizuar mekanizmat e kontrollit, qoftë me mjete ligjore qoftë në mënyrë të paligjshme.

Jelena Pijic, analiste serbe thotë se megjithëse raportimi brenda procesit të pranimit në BE tashmë është mjaft voluminoz dhe kompleks, disa nga raportet nuk janë në dispozicion të publikut dhe ato që publikohen përdorin fraza diplomatike dhe formulime të kujdesshme që nënkuptojnë kapjen e shtetit, por nuk i referohen në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Liderët e Ballkanit Perëndimor

“Në Serbi partia në pushtet po shet interesat e saj si interesa publike (dhe kombëtare); proceset themelore demokratike, si zgjedhjet dhe puna e parlamentit kontrollohen nga shteti, drejtësia dhe administrata publike janë bërë gjithnjë e më të politizuara; politikanët në pozita të larta akumulojnë kompetenca diskrete; liria e mediave nuk ekziston; përfaqësuesit e opozitës, shoqëria civile, institucionet e pavarura, akademia dhe gazetarët që shprehin kritika ndaj politikave zyrtare anashkalohen dhe sulmohet”, thotë ajo. “Më alarmues është fakti se këto sulme ndaj demokracisë ndodhin ndërkohë që negociatat vazhdojnë, edhe pse nuk ka pasur reforma thelbësore. Përkundrazi, qeveria duket se po vepron nën maskën e negociatave”, thekson Pijic.

Ndërkohë të tjerë ekspertë thonë se BE duhet të veprojë më të gjitha vendet e rajonit ashtu siç veproi në Maqedoni, pas kapjes së shtetit nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Pas përgjimeve të urdhëruara nga qeveria, të cilat zbuluan shumë praktika korruptive të partisë në pushtet, duke përfshirë ndërhyrjen në punën e gjyqësorit, manipulimin e procesit zgjedhor, shtrëngimin e kontrollit mbi mediat dhe mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë, BE-ja mori masa të rrepta.

Së bashku me ndërmjetësimin diplomatik midis aktorëve politikë në Maqedoni, Brukseli mblodhi një grup ekspertësh të pavarur, të udhëhequr nga ish-drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian, Reinhard Priebe për të identifikuar çështjet sistematike të Sundimit të Ligjit në vend. Ky hetim çoi në të ashtuquajturin “Raporti Priebe”. Ekspertët e pavarur nga vendet anëtare të BE-së ishin më të sinqertë në identifikimin e problemeve të demokracisë dhe nuk ishin aq formal sa raportet e zakonshme të BE-së. Sidoqoftë, fakti që “Raporti Priebe” u porosit dhe publikua nga Komisioni Europian i ka dhënë autoritet të madh.

Protesta në Serbi

Dokumenti identifikoi sektorin e sigurisë si një levë e rëndësishme e kapjes së shtetit. Ai vuri në dukje përqendrimin e fuqisë në shërbimin e inteligjencës maqedonase i cili vepronte në mënyrë të shfrenuar dhe pa mbikëqyrje. Autoritetet përgjegjëse nuk kishin përdorur kompetencat e tyre të kontrollit dhe mbikëqyrjes, sepse ishin politizuara.

Për Pijic raportet si ai Priebes, janë të domosdoshme për çdo vend të Ballkanit Perëndimor dhe mund të shërbejë si një model për të tejkaluar monitorimin teknik të BE-së. Një raport i pavarur i ekspertëve i mbështetur nga Komisioni Evropian mund të jetë një përgjigje adekuate ndaj nevojës për një monitorim më efektiv të reformave të sundimin e ligjit në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Bosnje.

“Synimi i një monitorimi të tillë nuk duhet t’u kërkojë palëve të marrin përgjegjësi politike, por të identifikojë mangësitë kritike të sistemeve të demokracisë në Ballkan dhe të ofrojë mbështetje për t’i kapërcyer me sukses. Ky proces duhet të përfshijë dialog kombëtar të hapur dhe të sinqertë mbi reformat e nevojshme për hyrjen në BE”, thotë analistja serbe.

Duke qenë të vetëdijshëm për elementet e kapjes së shtetit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, BE duhet të përdorë levave të saj në politikën e zgjerimit në mënyrë që të përmbysë kapjen e shtetit dhe për të parandaluar rikthimin e krize të re të ngjashme me atë që e tronditi Maqedoninë katër vjet më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë