“Shkëmbimi i territoreve është i nevojshëm”. Kjo ishte e vetmja gjë për të cilën ranë dakord Presidentët e Serbisë dhe Kosovës pas një debati të ashpër publik fundjavën e kaluar, i cili tregoi sa e vështirë do të jetë që ata të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje, dy dekada pas luftës.
Si Hashim Thaçi ashtu edhe Aleksandër Vuçiç thanë se shkëmbimi i nevojshëm, sepse do të “varroste” çdo konflikt të hapur mes Beogradit dhe Prishtinës. Megjithatë, ata përballen me presione të forta si të jashtme ashtu edhe të brendshme.
Në diskutimin e tyre në Konferencën e Sigurisë në Munih, Vuçiç dhe Thaçi sulmuan njëri-tjetrin për luftën dhe prishjen e dialogut të udhëhequr nga BE-ja.
Por si Brukseli ashtu edhe Uashingtoni po i nxisin udhëheqësit që të kthehen në tryezën e bisedimeve. Në zemër të mosmarrëveshjes është statusi i Kosovës. Për BE-në, një marrëveshje do të zvogëlonte gjasat e një konflikti të ngrirë midis Serbisë dhe Kosovës do të ishte mëse e nevojshme. Si BE-ja dhe SHBA-të janë gjithashtu të etura ta thithin Ballkanin Perëndimor më afër Perëndimit, duke reduktuar kështu ndikimin e Rusisë, Turqisë dhe fuqive të tjera rivale në rajon. Perëndimi shpreson se fundi i mosmarrëveshjeve afatgjata midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut do të inkurajojnë Kosovën dhe Serbinë që të ndjekin të njëjtat hapa.
Në Mynih, Johannes Hahn, komisioneri i BE për marrëdhëniet me fqinjët e saj, i kërkoi Vuçiçit dhe Thaçit që të arrijnë një marrëveshje përpara se mandati i Komisionit aktual të përfundojë në vjeshtë.
Gazeta europiane “Politico” ka intervistuar katër liderët që kanë tanimë në duar fatin e Kosovës, Vuçiçin, Thaçin, Kryeministri Ramush Haradinaj si dhe Presidenti malazez Milo Gjukanoviç, vendi i të cilit kufizohet me Kosovën dhe Serbinë.
Kritikët e të katër udhëheqësve thonë se ata pretendojnë të mbështesin vlerat perëndimore, por janë autoritarë dhe të korruptuar. Vuçiç dhe Gjukanoviç po përballen me protesta masive anti-qeveritare, ndërsa Kosova është përballur kohët e fundit me greva të shumta. Por asnjë prej tyre nuk ka të ngjarë të dalë nga skena politike rajonale së shpejti.

Aleksandar Vuçiç në kërkim të një trashëgimie politike
Gjatë intervistës me gazetarët europianë në dhomën e tij të hotelit në Mynih, zëri i Vuçiçit u drodh disa herë teksa fliste për Kosovën.
I pyetur mbi qëndrimin e kryeministrit Haradinaj se Kosova nuk do të kthehet në tryezën e bisedimeve derisa Prishtina të heqë tarifat e vendosura ndaj mallrave serbe në nëntor, ai thotë se: “Nëse tarifat hiqeshin që sot, nesër do të shkoja menjëherë në Bruksel për të rifilluar dialogun”.
Ai u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë të ushtronin “presion pozitiv” në të gjitha anët, duke e bërë të qartë se duan të shohin arritjen e një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës. “Por për t’ju thënë të vërtetën e di që është më shumë në dorën tonë, të serbëve dhe shqiptarëve”, pëshpëriti ai.
Presidenti serb thotë se të dyja palët duhet të jenë të lira për të diskutuar se ku duan ta vendosim kufirin e ri të përbashkët, edhe nëse flasin për një shkëmbim të mundshëm të territoreve.
Vuçiç ka hedhur poshtë entuziazmin e BE për idenë se marrëveshja e Maqedonisë së Veriut mund të lehtësojë arritje e një marrëveshjeje të ardhshme mes Serbisë dhe Kosovës.
“Kjo tregon se Europa kishte nevojë për një lajm të mirë, por nuk është shumë relevante në lidhje me situatën midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai. “Nuk mund të krahasohen, pasi mosmarrëveshjet mes nesh janë100 herë më të vështira. Por duhet arritur një marrëveshje, përndryshe do të përballemi me një katastrofë.”
Vuçiç tha se ai është i motivuar nga një qëllim më i lartë se sa politika e përditshme, edhe pse e di se arritja e një marrëveshjeje me Kosovën kundërshtohet nga shumica e serbëve. “Unë besoj në trashëgiminë që një udhëheqës lë pas dhe kjo është ajo që unë do të doja të arrija” tha ai.

Hashim Thaçi, ndërmjetësi mes Beogradit dhe Prishtinës
Si ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Thaçi e gjen veten në një pozicion mjaft të vështirë.
Vitin e kaluar, ai ngriti idenë e “korrigjimit të kufijve”, sipas të cilës disa nga territoret e Kosovës mund t’i kalojnë Serbisë në përpjekje për të siguruar një marrëveshje. Por marrëveshja nuk ka ndodhur dhe tanimë “rivali” i tij më i madh Haradinaj, ka fituar mbështetje të madhe popullore falë imponimit të tarifave ndaj Serbisë.
Duke folur për një grup të vogël gazetarësh në hotelin e tij në Mynihut, Thaçi bëri të qartë se ai mban një qëndrim më fleksibël se Haradinaj. Ai sugjeroi që ato të mund të trajtohen në një proces paralel, pasi të nisin bisedimet mbi marrëveshjen e paqes.
“Politika ka të bëjë me të qenit fleksibël”, tha ai.
I pyetur nëse Kosova po fliste me dy zëra, ai u përgjigj nga anglishtja në shqip duke thënë se: “Ne kemi një zë, të gjithë janë për dialog, për negociata dhe për marrëveshje”.
I pyetur për marrëdhënien e tij me Haradinaj, ai tha se edhe brenda familjes, njerëzit kanë dallime. “Ne ishim bashkëluftëtarë, fituam luftën dhe punuam për pavarësinë së bashku dhe tani punojmë po së bashku për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”.
Megjithëse ekipi negociator i Kosovës ka prezantuar tanimë një platformë që përjashton ndryshimet kufitare, Thaçi nuk pranoi të thoshte se ideja është jashtë tryezës së bisedimeve.
“Ne duhet të arrijmë një marrëveshje për kufirin, i cili duhet të njihet nga të dyja palët”, tha ai.
Sa i përket retorikës së ashpër të presidentit Vuçiç, Thaçi tha se ishte mësuar me dramën e dhe aktrimin e tij.
Thaçi deklaroi se shpresonte se presioni ndërkombëtar do ta bindte Haradinajn për të hequr tarifat. “Ne duhet të dëgjojmë këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së,” tha ai.

Ramush Haradinaj: Rreshteri i fortë
Beteja midis Haradinajt dhe Thaçit ka komplikuar më tej përpjekjet për të arritur një marrëveshje. Të dy udhëheqësit po lobojnë shumë për mbështetjen e politikanëve europianë dhe amerikanë.
Haradinaj nuk u ndal, duke sulmuar shefen e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini për mos përjashtimin e idesë së ndryshimeve kufitare dhe tha se Thaçi nuk ka zgjidhje tjetër përveçse ta heqë dorë nga ky skenar. Ai tha se Serbia duhet të konsiderojë njohjen e Kosovës si një detyrë morale, për shlyerjen e vrasjeve dhe krimeve të tjera të luftës nga forcat serbe.
“Njohja duhet të vijë si falje për tragjeditë e shkaktuara në vendin tonë dhe ndaj njerëzve tanë,” tha ai.
Haradinaj tha se do të ishte “e paligjshme dhe jokushtetuese” për Thaçin që të vazhdojë të lobojë për ndryshimet kufitare tani që parlamenti ka rënë dakord për qëndrimin që do të mbajë ndaj negociatave.
“Ai nuk ka shumë hapësirë për të manovruar,”shprehet Haradinaj.
Ai sulmoi sërish Mogherinin për qëndrimin e saj ndaj ndryshimit të kufijve, të cilin e cilëson si një “gabim i madh”.
“Ajo dëmtoi jo vetëm rajonin tonë, por edhe Europën,” thotë ai, duke sugjeruar se ky skenar do të përdoret nga Vladimir Putin.
Por pavarësisht retorikës së tij të ashpër, Haradinaj përfundoi se nëse ka “vullnet politik”, marrëveshja me Serbinë mund të arrihet brenda këtij viti.

Milo Gjukanoviç: Fqinji i shqetësuar
Gjukanoviç ka qëndruar në pushtet shumë më gjatë sesa Vuçicc dhe Thaçi. Kohët e fundit ai i bëri thirrje bashkësisë të bllokonte çdo tentativë për ndryshime kufitare në rajon, pasi sipas tij janë tabu. Disa vende, të tilla si Gjermania, mbajnë këtë qëndrim, por SHBA-ja dhe BE-ja i kanë dhënë Beogradit dhe Prishtinës dritën jeshile.
“Historia e ndryshimit të kufijve është tanimë në tavolinë dhe unë do të thosha se ka marrë legjitimitetin e bashkësisë ndërkombëtare,” tha Gjukanoviç.
Ai iu referua luftërave të viteve 1990, gjatë së cilës nacionalistët mbështetën vendosjen e kufijve përgjatë vijave etnike.
“Të gjitha palët duhet të jenë shumë shumë të kujdesshme kur flasin për zgjidhje që përfshijnë ndryshimin e kufijve në rajonin tonë”, tha Gjukanoviç.
Ai tha se marrëveshja e Maqedonisë së Veriut tregon se çfarë mund të ndodhë kur dy liderë arrijnë një marrëveshje që është në interesat e tyre. Por presidenti malazez thotë se arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë pasoj atë errëta për rajonin.
“Pas kësaj zgjidhjeje, do të mbetet një problem më serioz në rajon: Bosnja,” tha Gjukanoviç. “Marrëveshja e paqes që i dha fund luftës në Bosnje-Hercegovinë e ka lënë Sarajevën me një sistem politik keqfunksional. Do të jetë shumë e komplikuar të gjejmë një zgjidhje për Bosnjën dhe serbët që duan t’i bashkohen Beogradit, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




