Futboll

90’ nga fundi, Liverpool, Barcelona dhe Lazio në ‘Top 8’ në Evropë

Kupat e Evropës janë 90 minuta nga mbyllja e fazës së Ligës në të parin edicion me formatin e ri. Të martën dhe të mërkurën Champions League dhe të enjten Europa League luajtën ndeshjet e raundit të 7. Në kompeticion madhor të Evropës, vetëm dy vendet e para siguruan matematikisht kalimin mes 8 skuadrave të para që të mundëson një muaj Shkurt më të qetë.

Liverpool dhe Barcelona me Slott dhe Flick në të parin sezon në drejtim, presin të njohin kundërshtarët, pas mesjavës së ardhshme dhe sfidave Playoff. Bien në sy paraqitjet e dobëta të Bayern, Real Madrid dhe Juventus që në këtë moment janë në zonën Playoff dhe mund të përballen me ndeshje shtesë në Shkurt dhe Finale të parakohshme në Mars. Apo dhe ecuria shkatërruese e Man City-t që mbetet ende në zonën e eleminimit.

Enigma që do të zbardhen në përfundim të ndeshjeve në raundin e 8, i cili do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme, në të njëjtën orë.

Bruno Fernandez feston golin e fitores ndaj Rangers

Ndërkohë në “Europa League” është vetëm një skuadër e kualifikuar mes 8 më të mirave. Po flasim për Lazio-n që pas 6 fitoreve (e fundit mbrëmë, 3-1 ndaj Real Sociedad) dhe një barazimi e sheh në raundin tjetër. Të favorizuar për të shkuar atje janë gjermanët e Frankfurt dhe spanjollët e Bilbao-s. Ndërsa janë një hap më pranë anglezët e Man Utd dhe Tottenham mes të tjerëve.

Djajtë e kuq patën nevojë për Bruno Fernandez që të fitonin derbin britanik ndaj Rangers (me Bajramin në formacion). Kapiteni vendas festoi me gol ndeshjen e 50 në kompeticion. Fitore e rëndësishme për Tottenham në Gjermani ky dy golat e Son dënuan Hoffenheim me një eleminim të mundshëm, ndërsa “gjelat” e Londrës kanë nevojë ende për një fitore që do të garantonte kalimin më tej.

Në Europa League po zhgënjen javë pas jave, skuadra e Porto-s që ka nevojë për një mrekulli për të vazhduar. Raundi i 8 do të luhet të enjten e ardhshme në orën 21:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë