Gazeta Si – Turneu i futbollit 7 kundër 7, i ideuar nga ish-mbrojtësi i Barcelonës, luan aktin final, ‘Final Four’, me numra të jashtëzakonshëm.
Në ‘Camp Nou’ 90 mijë tifozë, një milion e gjysmë persona të lidhur nëpërmjet platformave të ndryshme sociale. Janë numrat fantastikë të ‘Kings League’, turneu i futbollit me 7 lojtarë, i krijuar nga Zherard Pike. Një turne që ka mbërritur në ‘Final Four’ dhe që luhet në stadiumin e Barcelonës.
Një spektakël i pabesueshëm futbolli, me gjysmëfinalet dhe finalen, i shoqëruar me shumë gjëra të tjera.
Lojtarët e katër skuadrave finaliste kanë mbërritur të gjithë me të njëjtin autobus dhe janë pritur nga një turmë e madhe fansash. Një atmosferë si ajo e sfidave të Ligës së Kampionëve për Barcelonën.

Për presidentët e 4 skuadrave finaliste një trajtim special. Të shoqëruar nga Pike, ata kanë mbërritur në ‘Camp Nou’ me helikopter. Më pas kanë hipur në një makinë golfi që drejtohej nga ish-futbollisti katalanas, që mbante edhe trofeun. Në tapetin e blerët ishte dizenjuar një fushë futbollit për 7 kundër 7, presidentet kishin secili një cep, nga ku transmetonin direkt emocionet e tyre.
Sepse bëhet fjalë për ‘streamers’ me më pak apo më shumë publik, që janë zgjedhur pikërisht për aftësitë e komunikimit. Secili në kanalin e vet, në Twitch dhe YouTube, të gjithë nën ombrellën e ‘Kings League’.
Mes spektatorëve të luksit ishin edhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, David Vila, Kun Aguero dhe Iker Kasilas në cilësinë e presidentëve të 2 prej 12 skuadrave që kanë marrë pjesë në edicionin e parë të ‘Kings League’. Skuadrat e tyre janë eliminuar para ‘Final Four’, por të gjithë presidentët ishin të pranishëm në spektaklin final. Lidhje direkt edhe me Nejmar, mik i Pike.
Publiku e ka vlerësuar spektaklin mes muzikës dhe futbollit. Të pranishëm ishin dy këngëtarë argjentinas të njohur, Tiago Pzk e Lali, 4 reperë që organizuan një ‘betejë’ rimash një kundër një me mikrofon në atë që në Spanjë e quajnë “batalla de gallos”.
Pastaj spektakli në kanalet e veta, me numra të jashtëzakonshëm. ‘Kings League’ ka qenë një triumf nga dita e parë tek e fundit. Dhe aventura sapo ka nisur. Në plan është edhe edicioni femëror, ‘Queens League’, por Pike dëshiron të krijojë një Champions me turne në vendet e tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




