Ngjarje

9 vatra zjarri aktive në vend, situata më problematike në Dukat të Vlorës dhe te Liqeni i Luleve në Dibër

Nga Gazeta Si- Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar gjithsej 21 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive dhe 1 është në monitorim.

Ndër zonat më problematike është Parku Kombëtar i Lurës, ku zjarri po vijon në tre vatra mbi fshatin Gurë Lurë, liqenin e zi dhe Fushën e Pelave. Ndërhyrja është bërë me forca tokësore dhe një avion Canadair nga Italia. Sot janë angazhuar forcat operacionale dhe 30 forca ushtarake të FA-së për shuarjen e zjarrit.

Një tjetër vatër e madhe është në Dukat të Vlorës, ku për shkak të erës situata është përkeqësuar dhe ndërhyrja po bëhet me dy avionë të dërguar nga Greqia, një helikopter të Forcave të Armatosura dhe trupa të shumta në terren.

Zjarre aktive mbeten edhe në Shmil të Elbasanit, Zall Gjoçaj të Matit, në rrugën Shkopet-Burrel, si dhe në disa zona malore të Korçës, Devollit dhe Përmetit. Ndërkohë, një vatër në Strikçan të Bulqizës është futur në fazë monitorimi nga shërbimi zjarrfikës lokal.

Në total, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 684 forca operacionale, 51 automjete zjarrfikëse, 185 forca të ushtrisë me 19 mjete dhe 2 helikopterë.

Zjarret janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, me një total prej mbi 32 hektarësh të djegur.

Sipas IGJEUM, sot nuk priten reshje por është nivel rreziku “I lartë” në të gjitha qarqet, ndërsa në qarkun Durrës pritet nivel rrezik “I moderuar”.

Rreziku pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së nesërme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë