Ekspozite

“88 dritëhije dhe ngjyra”, një evoluim personazhesh nga mjeshtri i pikturës, Sali Shijaku

Nga Luljeta Nelallari - Dritëhije, ngjyra e forma të shumta, dritë dhe plot figura e personazhe... janë të gjitha këto që të impresionojnë sapo futesh në hollin kryesor të Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri.

Gjendesh përballë shumë veprash arti, të cilat vijnë në disa kategori artistike, një mozaik që fsheh pas një rrugëtim të gjatë dhe një kthim të veçantë të mjeshtrit të pikturës shqiptare, Sali Shijaku.

Nën këtë mozaik vizatimesh, në 88-vjetorin e lindjes, mjeshtri Sali Shijaku sjell ekspozitën “88 Dritëhije dhe ngjyra”, ekspozita e parë vetjake e piktorit në ambientet e COD, e cila vjen nën kurimin e Eridana Çanos, njëkohësisht drejtoresha e COD.

Piktori Sali Shijaku gjatë prezantimit të ekspozitës

Në hollin kryesor dhe në korridor endesh në vizatime, e teksa vështron tablotë një nga një, të bie në sy që çdo figurë e personazh të vjen në trajta të ndryshme, me gjendje emocionale të ndryshme të personazheve, apo siç thotë vetë kuratorja Eridana Çano “na sjell një evoluim të personazhit”.

Një moment i veçantë në hollin kryesor është cikli i abstrakteve që vjen me 16 punime, e pikërisht është tabloja qendrore, e cila është edhe pikënisja e ekspozitës, tema që hap ekspozitën prej 112 punimesh.

Cikli i Abstrakteve

Prezente në këtë ekspozitë janë edhe figurat homerike, të trajtuara shpesh nga autori përgjatë jetës së tij artistike. Një personazh i veçantë është Kreshniku, i cili zë një vend kryesor në hollin e COD, dhe vjen i ekspozuar në 10 vizatime dhe 1 qeramikë.

Kreshniku

Një tjetër cikël i rëndësishëm në korridor është Cikli i Nudove ku për herë të parë ekspozohen 12 vepra në vizatim të realizuara në harkun kohor 2000-2010. Nudot në vizatime dhe skica i shohim në kontraste të ndryshme që profesor Shijaku i sjell nëpërmjet krijimtarisë së tij disavjeçare, vizatime të cilat na transmetojnë shumë ndjenjë, pasion, vrull, ngjyra e emocion.

Vizatimet nudo

Ndërkohë te salla e artistit, ndeshemi me zadrimoren e trimen si figura të rëndësishme të trevave të veriut që piktori i sjell me dritëhije në momente të ndryshme.

Një cikël i rëndësishëm është edhe “I habituri”. Sipas kuratores Çano është profesori që autoportretizon veten e tij.

I habituri

“Profesor Shijaku e ka portretizuar veten si në autoportret dhe vjen i habitur nga jeta, nga shoqëria, nga fenomenet, nga konfliktet. P.sh i habituri në një moment vjen i shoqëruar edhe me personazhe të tjera, vjen si një plak me qeleshe, një figurë abstrakte, vjen edhe si një fytyrë vajze, apo edhe me tipare folkloristike. Të gjithë këtë cikël e ka quajtur lojë, një lojë personazhesh, një lojë ngjyrash, lojë gjendjesh shpirtërore”, thotë kuratorja.

Në një kënd të veçantë qëndron monumenti i “Lirisë”, si statuja e lirisë shqiptare, me një detaj të rëndësishëm, sepse piktori e ka ripunuar bocetin e statujës monumentale pak ditë përpara ekspozimit, duke krijuar një cikël pune që nga viti 1976 e deri më 2021. Boceti vjen i shoqëruar nga tre vizatime, që shoqërojnë atë periudhë. “Por boceti është i riprekur, pasi ishte dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit”, thotë kuratorja.

Monumenti i Lirisë

“Është një projekt në fakt në skulpturë, për të cilin ka punuar duke filluar në vitet ’70, ishte planifikuar të vendosej në mesin e Muzeut Kombëtar aso kohe. U fitua si projekt, por nuk u finalizua asnjëherë pasi në vitin ‘85 vdiq diktatori”, shprehet Çano për Gazetën "Si".

Një tjetër figurë që piktori Shijaku e ka sjellë në këtë ekspozitë është edhe dordoleci që sipas kuratores është një figurë që ekziston vërtet, pasi profesori e ka si personazh në shtëpinë e tij në Mullet.

Por pse ekspozita vjen pikërisht me këtë titull? Kuratorja Eridana Çano tregon për Gazetën “Si”, se ekspozita vjen si një lojë me ngjyrat dhe me kontrastet e ndryshme.

“Pikë së pari janë motivet që vijnë në këtë ekspozitë të para në këndvështrime të ndryshme, pra kemi personazhe të cilat vijnë ndryshe. I njëjti motiv me kontraste të ndryshme, prandaj quhet dritëhije. Ndërkohë, ngjyrat sigurisht janë të gjitha vizatimet që ne sjellim në këtë ekspozitë, baza është ngjyra, pra është loja me ngjyrat”, thotë ajo për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “profesori gjithmonë e thotë duhet me lujt, çdo gjë është një lojë dhe jeta është një lojë në të vërtetë”.

Ajo thekson se risia e kësaj ekspozite është ekspozimi i punimeve që nuk kanë qenë të njohura më parë për publikun dhe vjen pikërisht me vizatimin që është gjeneza e çdo vepre. 

Eridana Çano, drejtoresha e COD dhe kuratorja e ekspozitës

“Kur ne erdhëm me idenë për të ekspozuar Sali Shijakun në COD, e kishim të qartë që nuk do të sillnim të njëjtën gjë të ekspozuar, të njëjtën tematikë p.sh të ekspozuar në ambientet e Galerisë Kombëtare. Donim të sillnim diçka që ishte ndryshe dhe çfarë më mirë se sa vizatimi që është gjeneza e çdo vepre, dhe duke parë së bashku me djemtë e profesorit dhe profesorin në përzgjedhjen e punëve vendosëm që të kishim një kolazh të mirëpërfaqësuar midis punimeve që nuk janë të njohura më përpara nga sytë e publikut”, shprehet ajo.

Kuratorja shton se e veçanta e ekspozitës është transformimi i personazheve.

“Krijimi i personazhit nga artisti nuk vjen i vizatuar vetëm një herë, nuk e ka pikturuar vetëm një herë, i është rikthyer disa herë jo vetëm me ngjyra të ndryshme, por edhe me gjendje emocionale të ndryshme. Madje profesori vetë ka thënë ndërsa unë pikturoj një personazh, kur i rikthehem nuk pikturoj të njëjtin personazh, del një qenie tjetër nga ai personazh, duke pasur parasysh gjendjen, dhe duke vendosur edhe dritëhijen tek i njëjti motiv, shihet transformimi i personazhit, duke reflektuar transformimin e vetë artistit”, thotë ajo, ndërsa shton se pas viteve ’90 piktori ka eksperimentuar, por dhe i ka zhvilluar më tej personazhet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë