Politike

84 votat për Magjistraturën, e hëna shansi i fundit

Shtrëngimi i sforcuar i duarve mes kundërshtarëve politikë në ceremoninë e përurimit të bustit të Pjetër Arbnorit në oborrin e Kuvendit, 12 vite pas vdekjes së tij i la shpejt vendin përplasjes në sallën e seancave plenare.

Në rend të ditës ishte raportimi i Bujar Leskajt për punën njëvjeçare të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pasi iu drejtua të pranishmëve me përshëndetjet zyrtare, kreu i KLSH-së lexoi raportin. Në gjysmën e sallës ku ndodhej opozita nuk munguan reagimet.

“Këtyre drejtohu me hajdutë se kanë vjedhur 1.2 miliardë euro”, deklaronte nga vendi Sali Berisha, duke “këshilluar” kreun e KLSH-së se si t’u drejtohet deputetëve të mazhorancës dhe anëtarëve të Qeverisë.

Leskaj e përfundoi raportimin e tij dhe në sallë vendin e përplasjeve e zunë duartrokitjet e përbashkëta. Në Kuvend hyri Kolinda Grabar-Kitaroviç, Presidentja kroate, e cila prej së mërkurës ka nisur një vizitë zyrtare dyditore në Tiranë. Në agjendën e saj ishte edhe një fjalim para deputetëve.

Foli për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe dy popujve, kujtoi sakrificat e shqiptarëve në luftën e kroatëve ndaj serbëve dhe në fund u zotua për mbështetje të pakushtëzuar të Zagrebit për Tiranën në rrugën e integrimit europian.

Aq sa zgjati fjalimi i saj, aq zgjati edhe qetësia në sallë. Sapo Kolinda Grabar-Kitaroviç mbylli derën dhe u largua drejt Kryeministrisë ku e priste në një takim Kryeministri Edi Rama, në sallë rinisën “përleshjet”.

Opozita iu rikthye çështjes së Teatrit Kombëtar dhe është e bindur se votimi për këtë ligj është i parregullt, pasi për të ka marrë pjesë edhe Vangjel Tavo i LSI-së, megjithëse në seancën e 5 korrikut nuk ishte fare në sallë.

“Ne kemi kërkuar të rivotohet ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar pasi një prej deputetëve të mazhorancës kishte votuar edhe për një deputet të opozitës. Sa kohë që votimi është i parregullt, ai duhet të përsëritet. Për shkak se ju nuk lejoni të korrigjohet ky veprim i gabuar, në shenjë proteste ne do të largohemi nga kjo seancë, sepse nuk mund të qëndrojmë në një Kuvend ku vidhet vota, edhe kur nuk ka nevojë për ta bërë këtë”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edmond Spaho.

Fill pas kësaj deputetët e opozitës u ngritën nga ulëset e tyre dhe iu drejtuan daljes kryesore të sallës. Mazhoranca e quan të konsumuar ankesën e opozitës, pasi e rrëzoi atë në Sekretariatin e përbërë nga Adnor Shameti, Alket Hyseni dhe Enkelejd Alibeaj. Ky Sekretariat hapi kamerat e sallës dhe thotë se ishin dy deputetë të LSI-së që kanë ndryshuar kartën e deputetit Robert Bitri me atë të Vangjel Tavos dhe në momentin që Bitri ka votuar e ka bërë atë me emrin e Tavos.

Vasilika Hysi, që drejtonte seancën ishte në dijeni të këtij vendimi të Sekretariatit dhe pas fjalës së Spahos ajo që bëri ishte vetëm një përshëndetje. “Faleminderit! Ditë të mbarë kolegëve të opozitës. Fjalën e ka e Taulant Balla”, tha ajo.

Largimi i opozitës nga salla dogji edhe një tjetër mundësi për të votuar ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndryshimet synojnë që të mbushin vakuumet e krijuara në sistemin e drejtësisë, sidomos në trupën gjyqësore, ku sot vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe po shkon drejt asgjësimit të plotë edhe Gjykata e Lartë.

Mazhoranca propozon që ndryshimet t’u kalojnë kompetencat e emërimve të prokurorëve dhe gjyqtarëve Prokurorit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, dy organet e parashikuara nga reforma në drejtësi për emërimin dhe promovimin përkatësisht të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Tashmë, mundësia e fundit është që ky votim të ndodhë ditën e hënë, më 23 korrik kur zhvillohet edhe seanca e fundit për këtë sesion. Me klimën aktuale vështirë se do të ketë një marrëveshje, ndërkohë që përflitet për një përpjekje të mazhorancës për të siguruar mbështetjen e LSI-së, nëse jo zyrtarisht, të paktën të një numri deputetësh të saj, mjaftueshëm që të kapet shumica e cilësuar prej 84 votash që kërkon kalimi i këtyre ndryshimeve.

Nga Partia Demokratike thonë se ngërçin e kanë paralajmëruar që në vitin 2016. Oerd Bylykbashi thotë përmes rrjeteve sociale se PD kërkoi heqjen e Shkollës së Magjistraturës nga parashikimet e Kushtetutës, pasi nuk është një institucion kushtetues. Ai fajëson mazhorancën dhe drejtpërdrejtë Kryeministrin Edi Rama për këtë situatë.

“Pasi Rama kapi edhe Shkollën e Magjistraturës, e futi në Kushtetutë vetëm e vetëm që çdo ndryshim më pas të ishte i pamundur pa votën e tij”, deklaron Bylykbashi.

“Faji” mbetet ende jetim, por ajo që është e sigurtë tashmë është se edhe nëse ndryshimet votohen, me ritmet që Vettingu po shkarkon gjyqtarët në sistem, vështirë se boshllëqet e krijuara mund të plotësohen brenda një kohe të shkurtër.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë