Ngjarje

84 vjet nga vdekja e At Gjergj Fishtës

Si sot 84 vjet më parë do të ndërronte jetë nga sëmundja e pneumonisë poeti kombëtar dhe një nga intelektualët  më të rëndësishëm shqiptar të Rilindjes kombëtare , At Gjergj Fishta.

Gjergj Fishta lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës, ku dhe u pagëzua nga misionari françeskan dhe poeti Leonardo De Martino (1830-1923). Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe Shkodër, ku që fëmijë u ndikua mjaft nga i talentuari De Martino dhe nga misionari boshnjak Lovro Mihaçeviq, i cili i ushqeu këtij djali të zgjuar dashurinë për letërsinë dhe për gjuhën amtare.

Kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç, Fishta u dërgua nga françeskanët në Bosnjë për t’u bërë meshtar, si shumë djem të tjerë shqiptarë aty ku Gjergji i ri studioi teologji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinisht, italisht e serbo-kroatisht.  Më 1894 Gjergj Fishta u shugurua meshtar. Me t’u kthyer në Shqipëri në shkurt të atij viti, filloi punën si mësues në kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famullitar në fshatin Gomsiqe.  Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane ‘Hylli i Dritës’, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë. Lahuta e Malcís konsiderohet si kryevepra e Gjergj Fishtës të cilën autori filloi të e shkruante nga vitit 1905 duke e përfunduar në vitin 1937. 

Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik e, sidomos, si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta. Si poet kombëtar, Atë Gjergj Fishta është nderuar me diploma, çmime e tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro-hungarez më 1911, është dekoruar nga Papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze Feniks nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lector jubilatus honoris causae nga urdhri françeskan dhe është bërë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve më 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

Pak para se të ndahej nga jeta Fishta e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.  Vdiq më 30 dhjetor 1940 në spitalin civil të Shkodrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë