Teater

80 vjet Teatër – Aktorët në Shqipërinë e vogël që standardin e patën botëror

Ndriçim Xhepa, Alfred Trebicka, Suela Bako dhe Laert Vasili rrëfejnë për Gazetasi.al jo vetëm përjetimet e ethshme të skenës por edhe sfidat me të cilat po përballet teatri...

Nga Gazeta “Si”- Prej tetë dekadash, Teatri Kombëtar ‘ka luajtur’ shqip.

Nga oborri i Artturbinës, shumë personalitete të cilët kanë ushqyer me artin e tyre publikun shqiptar, kanë ndarë me Gazetasi.al jo vetëm disa nga përjetimet e bukura të skenës, por edhe krizat me të cilat po përballet teatri.

Përçarja që shkaktoi shembja e godinës së vjetër duke u zhvendosur tek Artturbina, një godinë e improvizuar me dy salla e cila mban dhe peshën kryesore në një qytet me thuajse një milion banorë, mbetet thelbësorja.

Ndriçim Xhepa ne ceremoninë e 80 vjetorit të Teatrit Kombetar

I pranishëm në ceremoni, këtë fakt e vë në dukje edhe aktori Ndriçim Xhepa i cili thotë për Gazetasi.al se nuk ka luajtur prej pesë vitesh në teatër për shkak edhe të godinës e cila nuk i plotëson parametrat e duhura për një teatër dinjitoz.

“Unë nuk kam luajtur në teatër që kur është zhvendosur këtu të Artturbina. Fillimisht sherret e teatrit, pastaj pandemia. Janë bërë gati pesë vitë që unë nuk luaj më në teatër. Kjo sallë ka defekte të jashtëzakonshme që nisin nga sallat dhe më kryesorja akustika, ndaj dhe s’më jep ndonjë dëshirë të veçantë të luaj këtu.”

Në këtë përvjetor Xhepa kujton me nderim themeluesit e teatrit shqiptar por edhe kritikon mënyrën e edukimit akademik të sotëm të regjisorëve dhe aktorëve të rinj.

“Për mendimin tim duhet vlerësuar gjenerata e parë fare, të cilët me brishtësine, sinqeritetin kanë qenë iniciatorët për ta ndërtuar këtë bërthamë të parë duke pasur më pas gjenerata të tjera.  Dhe pastaj me profesionin e regjisorit qe avancoi duke punuar me regjisorë të huaj, rus edhe rumun.

Ndriçim Xhepa

Shkollimi regjisorëve tanë jashtë shtetit, asokohe ishte edhe një vlerë e cila solli ato prurje, dhe që sot është një nga të metat sipas meje. Defektet e teatrit të sotëm lidhen me këtë fakt. Vetë shteti duhet të kishte menduar prej kohësh jo të krijonte ato artificiet qe ka krijuar me shkollën e aktorëve, me sistemin tre plus dy master për regji. Praktika që nuk e di se ku i kanë parë që i aplikojnë.

Pak a shume si final four që ne bëjmë në futboll. Janë shkolla të nivelit të parë në botë dhe e kanë aktrimin dy vjet ose tre vjet. Regjisura duhet të ishte menduar shumë më seriozisht në shkolla më cilësore jashtë” përfundon Ndriçim Xhepa.

Një tjetër aktor simbol i teatrit shqiptar Alfred Trebicka, thotë se ndihet mirë që është pjesë e historisë së teatrit. Për Gazetasi.al ai analizon edhe raportin mes brezave të aktorëve dhe paragjykimet me të cilat, aktorët e rinj përballen në hapat e parë.

“80 vjet nuk janë pak. Nuk diskutohet që ndjehem mirë që jam pjesë e asaj gjeneratë e cila nuk është më por edhe e asaj gjenarate qe po vjen.

Çdo brez ka objektivin e vet. Unë sigurisht nuk jam nga ata që them se ishim ne dhe s’ka të tjerë. Brezi i ri ka vlerat dhe prurjet e veta. Por ndjesia e gjykimit mes brezave të aktorëve do të jetë e përhershme. Gjithmonë një brez që është më i elaboruar do të ketë pretendime ndaj një brezi tjetër që vjen. Por unë duke qenë edhe pedagog dhe që i prek brezat që dalin, jam optimist dhe them që ka një gjeneratë shumë të mirë. Mungon vetëm vullneti për ta mbështetur financiarisht. Nuk kam dyshime që ka një brez shumë të mirë. Ata po luajnë me ne në skenë tashmë.”

Ai shton se përtej respektit të publikut, aktrimi në Shqipëri është një profesion i vështirë në terma financiarë.

“Në terma respekti publiku më ka dhënë mbrapsht të gjithë sakrificën dhe mundin e pasionit si aktor. Pastaj në terma financiare ky profesion në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar” e mbyll Trebicka.

Alfred Trebicka

Suela Bako është një nga ata aktore fatlume e cila skenën e ka ndarë edhe me kolosët e aktrimit por edhe me brezin e ri. Duke i krahasuar, ajo për GazetaSi.al , vë në dukje se teatri sot, është më i hapur ndaj të rinjve edhe pse duket sikur skena e teatrit e ka humbur solemnitetin e dikurshëm.

“Unë i përkas atij brezi ku oborri i teatrit pas kangjellave ishte një vend i shenjtë. Aty luanin aktorë të mëdhenj të  cilët për ne studentët e sapodiplomuar , ishin kolosët e skenës. Ndërsa sot teatri është më i hapur për të rinjtë të cilët diplomohen për aktrim.

Dua t’i konsideroj kolegë artistët e nderuar që kanë dalë nga ky teatër por dua të them se ka edhe artistë të rinj të cilët janë shumë të talentuar dhe që mundësitë i kanë më të mëdha. Kur diplomoheshim ne, mundësitë e hyrjes në teatër ishin shumë të pakta. Pra hapësirat janë më të mëdha sot por shenjtëria e skenës teatrore sikur ka rënë paksa sepse sot konsiderohet teatër edhe rruga edhe ambiente të tjera” thotë Bako.

Suela Bako

Edhe Laert Vasili, një aktor i cili e ka ndarë jetën dhe skenën mes Greqisë dhe Shqipërisë, jep gjykimin e tij në lidhje me brezin e ri të aktorëve.

“Brezi i ri është shumë më kërkues se ç’kemi qënë ne dikur, ose më saktë ka më tepër informacion se  ç’kishim ne dikur sepse është një brez i rritur me internetin dhe informacionin.

Unë i përkas brezit që leksionet i merrnim më shënime, se nuk kishte as libra. Shënimet e mija përcilleshin nga viti në vit. Pra koherenca sot botërore e artit që mundësohet nga teknologjia, si filmat që shihen sapo dalin apo shfaqje të ndryshme, e bëjnë këtë brez më koherent”

Sipas Vasilit nuk ka asnjë dallim mes aktorëve shqiptarë dhe atyre europian. Duke marrë shembull Margarita Xhepën, dhe kohën kur ata luanin së bashku në teatrot greke.

Laert Vasili

“Për mua shembulli më i mirë është Margarita Xhepa, e cila kur pata nderin të luaja me të në Epidaur, në vitin 1998 kur unë luaja Orestin te Elektra, nuk kishte asnjë dallim nga Katina Paksinou, aktorja greke e cila është vlerësuar dhe me Oscar. Apo edhe Irene Papas e cila buqetën e saj në festivalin e Selanikut, ia dhuroi Xhepës. Në aspektin njerëzor nuk kemi asgjë mangut nga aktorët e mëdhenj europianë. Në aspektin e logjistikës pastaj kemi mangësi të shumta” – e mbyll Laert Vasili.

Mes premtimeve për kushte më të mira dhe pritjes së ndërtimit të godinës së re, teatri shqiptar duket sikur përpiqet me çdo kusht të mos e humbasë publikun.

Në këtë 80 vjetor përkujtimi por edhe reflektimi, ajo çka mbetet bindje është se aktorët shqiptarë edhe pse kanë luajtur dhe luajnë në Shqipërinë e vogël, standardin e patën botëror. Prandaj teatri shqiptar qoftë edhe brenda një godine të improvizuar, mbetet hapësira më përfaqësuese e një publiku i cili i deshi aktorët dhe ata ia kthyen duke i falur shpirtin dhe pasionin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë