Nga Hannah Beech- Nëntë kombe zotërojnë armë bërthamore, të cilat mund të shkatërrojnë dhe të rrezatojnë qytete në një çast. Por vetëm dy herë janë përdorur: 80 vjet më parë, kur kjo teknologji shkatërruese ishte ende në fillimet e saj dhe në duart e një vendi të vetëm, Amerikës.
Më 6 gusht 1945, në një veprim drastik që besohet se përshpejtoi dorëzimin e Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara hodhën një bombë atomike mbi qytetin perëndimor japonez të Hiroshimës. Një bombardues amerikan i quajtur “Enola Gay” lëshoi armën që peshonte 9,700 paund e cila shpërtheu rreth 600 metra mbi tokë, duke krijuar një re të madhe në formë kërpudhe dhe duke djegur qytetin me temperatura deri në 4,000 gradë Celsius. Shpërthimi dhe pasojat e tij morën rreth 140,000 jetë deri në fund të atij viti.
Tre ditë më vonë, një tjetër bombardues amerikan hodhi një bombë të dytë atomike në Nagasaki, në jugperëndim, duke vrarë edhe 70,000 njerëz të tjerë. Shkatërrimi i dy qyteteve u pasua nga dorëzimi i Japonisë disa ditë më vonë, duke i dhënë fund dekadave të pushtimeve të saj brutale. Por bombardimet gjithashtu shpallën fillimin e një epoke më të tmerrshme, në të cilën inovacioni njerëzor mund të shkaktonte vdekje dhe shkatërrim në një shkallë të paimagjinueshme më parë.
Ndërsa qyteti i rrafshuar i Hiroshimës u rindërtua, ai iu përkushtua promovimit të paqes. Të mbijetuarit e bombardimeve atomike kanë bërë fushatë për një botë pa armë bërthamore. Por, 80 vjet më vonë, kjo ëndërr po venitet.

Tre fqinjë të Japonisë , Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut janë fuqi bërthamore, dhe Tokio varet nga ombrella bërthamore amerikane e mbrojtjes. Me rritjen e tensioneve në Paqësor dhe me zbehjen e kujtimeve të drejtpërdrejta për shkatërrimin bërthamor, gjithnjë e më shumë japonezë po e vënë në pikëpyetje angazhimin kombëtar ndaj paqes .
Pse Japonia u përkushtua ndaj pacifizmit pas Luftës së Dytë Botërore?
Sepse amerikanët e detyruan. Pushtimi i ashpër nga forcat e armatosura perandorake japoneze në pjesën më të madhe të Azisë, sulmi i papritur ndaj Pearl Harbor-it dhe gatishmëria për të sakrifikuar një brez të tërë ushtarësh të rinj për hir të perandorisë, i bëri amerikanët fitimtarë të vendosur që Japonia të mos kishte më kurrë mundësinë të zhvillonte luftë.
Kushtetuta e ashtuquajtur “paqësore” e Japonisë, u hartua nga amerikanët që pushtuan vendin për gati shtatë vjet duke mohuar përgjithmonë të drejtën për të bërë luftë. Neni 9 i saj e ndalon që Japonia të ketë ndonjë ushtri me kapacitete ofensive.
Në këmbim, Shtetet e Bashkuara premtuan të mbronin Japoninë nëse do të sulmohej. Traktati i sigurisë e bëri Japoninë përfituese të teorisë së ndalimit bërthamor.

Atëherë pse Japonia ka ushtri?
Duke marrë parasysh kufizimet kushtetuese, ushtria japoneze quhet Forcat e Vetëmbrojtjes. Ajo nuk mund të marrë pjesë në role luftarake në konflikte ndërkombëtare. Por kjo nuk e ka ndaluar Japoninë të zgjerojë arsenalin e saj për t’u përballur me kërcënime të mundshme nga fqinjët aziatikë si Kina, të cilët nga ana e tyre shqetësohen për riarmatimin japonez, për shkak të historisë së saj gjatë luftës. Nëse rritjet e buxhetit vazhdojnë, Japonia do të bëhet së shpejti një nga shpenzuesit më të mëdhenj ushtarakë në botë. E gjithë kjo pajisje me armë moderne thuhet se është vetëm për qëllime mbrojtëse, megjithëse debati brenda Japonisë për profilin e saj ushtarak global po bëhet gjithnjë e më i fortë.

Çfarë mendojnë japonezët për riarmatimin e vendit të tyre?
Ndërsa shumë nga brezat më të vjetër shqetësohen për zbehjen e përkushtimit të Japonisë ndaj pacifizmit, japonezët më të rinj priren të jenë më të qetë. Mbështetësit e zgjerimit ushtarak thonë se Japonia nuk duhet të detyrohet të qëndrojë gjithmonë në një qëndrim mbrojtës, veçanërisht me rritjen e kërcënimeve të sigurisë në Paqësor. (Përveç përplasjes së superfuqive, Japonia ka mosmarrëveshje territoriale me Kinën, Rusinë dhe dy Koretë.) Ata shqetësohen se Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë gjithmonë një garantues i qëndrueshëm i sigurisë për Japoninë, veçanërisht nën Presidentin Trump, i cili e ka kritikuar Japoninë për mbështetjen e tepërt ndaj pranisë së bazave ushtarake amerikane.
Dhe me zbehjen e kujtimeve të drejtpërdrejta për bombardimet e Hiroshimës dhe Nagasakit, shumica e japonezëve tani janë të shkëputur nga dëshmitë tronditëse që përforcuan dikur qëndrimin pacifist kundër armëve bërthamore të vendit. Nippon Kaigi, një bllok politik ultranacionalist që synon të rishikojë Nenin 9 të Kushtetutës, ka mbështetje të konsiderueshme mes ligjvënësve të Partisë Liberal Demokratike në pushtet. Ndryshimi i Kushtetutës që dikur ishte i paimagjinueshëm; sot është një temë e debatit politik.
Burimi: “The New York Times“
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



