Drejtësia

80 për qind e të hetuarve nga SPAK për korrupsion nuk e dinë që janë nën hetim

Tetë nga dhjetë persona që po hetohen për korrupsion të nivelit të lartë nga ana e Prokurorisë së Posaçme nuk janë në dijeni që janë nën hetim nga ana e kësaj strukture.

Shifra u dha gjatë raportimit para Këshillit Kombëtar të Integrimit nga kreu i SPAK-ut, Arben Kraja.

“80 për qind e hetimeve për korrupsion në nivele të larta të SPAK janë hetime proaktive, që do të thotë se të hetuarit nuk e dinë që janë nën hetim”, deklaroi Kraja.

Në këtë seancë të Këshillit Kombëtar të Integrimit deputetët e mazhorancës dhe të opozitës ngritën një set me pyetje për SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Pyetjet do t’u çohen me shkrim drejtuesve të këtyre institucioneve, që do të thirren për t’iu përgjigjur në një seancë të posaçme të Këshillit të Integrimit.

Sa u takon përmbajtjes së pyetjeve, nga mazhoranca dominuan pyetjet që kërkonin përgjigje nga SPAK se përse nuk niste hetimet kryesisht për çështje si 21 Janari, Gërdeci, apo afera CEZ-DIA. Nga opozita shqetësimi u ngrit në lidhje me luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë