Politike

8 viktima në dy ditë, Çuçi “zhvishet” nga përgjegjësia: Faji i gjyqtarëve dhe prokurorëve

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi e zhveshi veten dhe Policinë e Shtetit nga përgjegjësia kryesore e 8 viktimave dhe 5 të plagosurve në dy ngjarjet e fundit të rënda që tronditën vendit, fillimisht aksidenti në Fier-Vlorë dhe më pas përplasja me armë zjarri në plazhin e Velipojës.

“Unë nuk mund të kem përgjegjësi morale për një gjë që është e zakonshme, jo në kuptimin negativ të fjalës, por e zakonshme sepse ndodh pavarësisht nga ne. Nuk ndjejë përgjegjësi morale. Në fund të mandatit tim unë do punoj që ky trend të jetë në ulje nga aksidentet rrugore, do ndjehesha mirë që si Ministër i Brendshëm ta ulja këtë, por gjërat nuk varen të gjitha nga ministrat”, deklaroi në një konferencë të gjatë për shtyp ministri i Brendshëm.

Gishtin e përgjegjësisë kryesore, Çuçi e drejton nga institucionet e tjera, që nga gjyqtarë e prokurorë e deri tek pushteti vendor dhe ai qendror që menaxhon hapësirat bregdetare publike.

“Policia e Shtetit nuk ndan parcela plazhesh për administrim, po vetëm zbaton ligjin për mosprekjen e hapësirave të plazheve publike të cilat janë rikthyer njësoj si edhe mbrojtja policore ndaj ndërtimeve pa leje, pas dekadash xhungëlizimi të zonës bregdetare”, deklaroi ai.

Akuzat se rendi publik në vend është përkeqësuar, Çuçi i cilësoi si të pavërteta.

“Kam vënë re se disa flasin me të madhe për rritjen e kriminalitetit apo të fataliteteve në qarkullim. Por kjo është thjeshtë e pavërtetë dhe faktet e shifrat pohojnë krejt të kundërtën”, u shpreh ai.

Policia e Shtetit, tha Çuçi, nuk ndjek dot çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit me shpejtësi dhe as nuk mund të parandalojë një sherr në orën 1 të natës mes dy fqinjëve. Megjithatë, vijoi duke thënë se Policia e Shtetit ka nevojë për një reformë, që brenda javës do të ndryshojë drejtorët e qarqeve.

“Po përgatitemi për një fazë të re të reformës dhe të forcës parandaluese dhe goditëse të Policisë së Shtetit. Brenda kësaj jave, do të nisë një ndryshim i thellë me titullarët e strukturave të policisë së shtetit në nivel qarku, që do të shtrihet hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat të territorit”, paralajmëroi Çuçi.

Më tej, akuzoi gjykatësit dhe prokurorët që nuk kanë kaluar ende vettingu, që sipas tij me parimin “Kap ça të kapësh” po lirojnë kriminelët. Këtu foli me emra.

“Ne kemi shtrënguar masat kundër armë mbajtjes pa leje, ku vetëm këtë muaj, pra në Qershor, në tri raste si ai i Shkodrës, Vlorës dhe Fierit, janë ndaluar në flagrancë nga strukturat e Policisë së Shtetit për armëmbajtje pa leje, tri shtetas, madje në një rast arma e zjarrit që mbahej pa leje kishte fishek në fole gati për qitje. Por fatkeqësisht, prokurorët dhe gjyqtarët, si rasti i prokurores Edlira Cufi në Shkodër, apo dyshja e prokurores Elona Alvora dhe gjyqtari Albert Spiro në Vlorë, si dhe prokurori Erind Rahovica dhe gjyqtari Pirro Sota në Fier, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës, kanë dhënë masa lehtësuese duke i çuar në shtëpi të pandehurit, megjithëse minimumi i dënimit për këto vepra penale është 3 vjet heqje lirie”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë