Kanë mbërritur në Tiranë 8 ton pajisje mjekësore, veshje, syze, maska dhe helmeta mbrojtëse që do të shkojnë për spitalet, qendrën e urgjencës kombëtare, ISHP dhe të gjitha njësitë e kujdesit shëndetësor në vend.
“Tashmë është një fazë e dytë e luftës kundër këtij virusi. Është shumë e rëndësishme që në këto momente që do të fillojë edhe një çlirim me pikatore i masave, të tregohemi akoma edhe më shumë vigjilentë, që nga stafet dhe ekipet tona në terren deri tek qytetarët, duke filluar nga distancimi social i cili në asnjë moment nuk do të duhet të neglizhohet, tek higjiena personale, tek dezinfektimi i ambienteve, tek të gjithë elementët e tjerë të cilët synojnë të mbrojnë qytetarët për t’i bërë ballë këtij virusi të rrezikshëm, i cili humbet fuqinë e tij nëse nuk lejohet transmetimi”, tha gjatë inspektimit në Doganën e Tiranës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastiliu. Para dy ditësh ishte Kryeministri ai që bëri të ditur lajmin se pikat e shitjes së produkteve ushqimore me pakicë e shumicë, farmacitë dhe bankat duke filluar prej ditës së sotme mund ta ushtrojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 17:30.
Gjithashtu, në urdhër thuhet se deri në një periudhë të pacaktuar të mëvonshme do të vijojë edhe izolimi total në fundjavë. Duke filluar nga e premtja në orën 17:30 minuta e deri të hënën ndalohen të gjitha lëvizjet në qendrat urbane të vendit, me përjashtim të mjeteve të transportit të mallrave dhe produkteve ushqimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




