Para

8 mld lekë kursime më shumë në korrik. Kryesojnë depozitat në euro

Shqiptarët kursyen gjatë muajit korrik 2021 8 miliardë lekë më shumë se korrikun e 2020-s, një rritje prej 9.3%.

5 miliardë nga totali i përkasin depozitave në valutë, duke mbajtur si gjithmonë vendin e parë për depozita.

Euro ngelet valuta e preferuar për depozitat e shqiptarëve duke zënë 54% te depozitave totale për muajin korrik. Depozitat në valutë të huaj arritën vlerën 622.9 miliardëve lekëve, me një rritje vjetore prej 10.2%. Depozitat në lekë kishin vlerën e 531.6 miliardë lekëve, në rritje me 8.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vlera totale e depozitave arriti në 1.154 trilionë lekë ose gati 9.5 miliardë euro. Në muajin qershor, rritja vjetore e depozitave u raportua rreth 8.6%, duke bërë të qartë ecurinë pozitive dhe tendencën për të vazhduar njësoj.

Që nga politikat monetare të lehtësuara të BSH-së me normat e ulëta të interesit, depozitat me afat janë bërë pothuajse të papërfillshme dhe individët apo bizneset i kanë përqendruar kursimet e tyre në llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat.

Rritja e kursimeve si në lekë si në valutë u stimulua më së shumti nga pandemia, kur individët po mendonin për pasiguritë e të ardhmes, por dhe mungesën e aktiviteteve ku mund të shpenzonin para. Njësoj edhe për bizneset të cilat u mbyllën dhe ngelën me para stok.

Sipas statistikave, shqiptarët kursyen më së shumti në cash nëpër shtëpi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë