Politike

8 Dhjetori, Basha: Të rinjtë, shpresa për ta nxjerrë Shqipërinë nga mjerimi

Lulzim Basha shprehu mirënjohjen për të rinjtë që në këtë 8 Dhjetor po u japin ndihmë vullnetarisht banorëve të prekur nga tërmeti. “Dhimbja e banorëve të cilët shteti i ka harruar dhe braktisur, është zbutur nga të rinjtë”, deklaroi ai.

Kreu i PD-së thotë se kjo “Ditë e Rinisë” na bën krenarë, pasi ashtu si 29 vite më parë, kur të rinjtë u ngritën të parët në Lëvizjen e Dhjetorit, edhe sot pas tragjedisë, të rinjtë u erdhën të parët në ndihmë njerëzve në nevojë.

“Këtë 8 dhjetor shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë të rinjtë që në këto ditë sprovash dhe dhimbjesh u shndërruan në shpresë dhe forcë për çdo shqiptar”, u shpreh kreu i demokratëve.

Kryeopozitari deklaroi se tragjedia zhveshi nga propaganda gjendjen e vërtetë të vendit, atë të Shqipërisë së varfër, të vjedhur dhe të abuzuar.

“Por sot ky angazhim dhe solidaritet i të rinjve është drita e shpresës që po ndriçon Shqipërinë, është frymëzimi ynë që ta kalojmë si një familje e madhe këtë situatë të rëndë sot e ta nxjerrim së shpejti Shqipërinë nga mjerimi, ta çlirojmë nga kthetrat e korrupsionit që nuk kursen as jetën e qytetarëve e ta bëjmë realitet thirrjen dhe destinin që të rinjtë nisën 29 vjet më parë, Shqipërinë si gjithë Europa”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë