Ngjarje

75-vjetori i çlirimit, tërmeti nuk i mban indiferentë njerëzit ndaj historisë

ShqiperiaSolidare ka bërë bashkë komunitetin e muzeologëve, trashëgimisë kulturore dhe miqve të muzeut që tek oborri i brendshëm i Muzeut Historik Kombëtar sjellin ndihma utilitare për të prekurit e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

Por kjo ngjarje e rëndë që pllakosi vendin, nuk e ka ndalur jetën.

Njerëzit nuk kanë mbetur indiferentë ndaj historisë, 75 vjetorit të çlirimit të vendit.
Disa syreshë kanë vizituar sot kryesisht pavionin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

“Ne gjatë ditëve që i paraprinë Ditës së Çlirimit kemi patur një sërë aktivitetesh. Në mesnëntor është celur në mjediset e muzeut ekspozita me fotografi edhe skica "Miss Mary Edith Durham" me rastin e 75-vjetorit të vdekjes. E cilësuar, si "Mbretëresha e Maleve” Edith Durham është ndër të parat gra, që nëpërmjet shënimeve antropologjike shkroi për jetën e Shqipërisë në fund të shek. XIX dhe fillim shekullit XX. Fotografitë kanë në qendër momente të ndryshme të Durhamit gjatë udhëtimeve të saj në viset shqiptare dhe veprimtaria e saj ka luajt një rol të rëndësishëm në prezantimin e shqiptarëve në Ballkan dhe Europë.”- shprehet për gazetën “Si” Dorian Koçi, drejtori i muzeut duke shtuar se “ Po ashtu në kuadër të festave u çel në mjediset e muzeut edhe ekspozita me titull ‘’Shqiptarët në Çeki’’, një bashkëpunim i Ambasadës Çeke në Tiranë, Muzeut Historik Kombëtar dhe fotografit Roland Tasho. Kurse më datën 25 nëntor po për 75-vjetorin e çlirimit të atdheut u mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare me titull “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare-Lufta për liri, pavarësi dhe dinjitet e popullit shqiptar”. Muzeu ka qenë i hapur dhe ka patur vizita.”

Në recepsionin e institucionit më tregojnë se pavarësisht gjendjes së vështirë që po kalon vendi, jeta vazhdon dhe njerëzit janë të interesuar për fushat e jetës.

“Nuk ka pasur shumë vizitorë si çdo vit në këtë ditë, apo siç ka edhe ditë të tjera. Vizitat kanë qenë sporadike dhe të paorganizuara; turistë të huaj, vizitorë shqiptarë, kryesisht të moshuar, por ka patur. Kanë vizituar të gjithë pavionet, por shqiptarët kanë qenë të interesuar kryesisht për pavionin e Luftës Nacional Çlirimtare”- më thotë një prej punonjësve të muzeut.

Pavijoni i Luftës Antifashishte Nacionalçlirimtare në Muzeun Historik Kombëtar është ndër pavijonët e rëndësishëm të Muzeut Historik Kombëtar. Ky pavijon pasqyron kontributin e popullit shqiptar gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pavarësisht marrëveshjeve dhe pakteve politike, ekonomike dhe ushtarake që ekzistonin ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, më 7 prill 1939 Italia fashiste ndërmori agresionin ndaj shtetit shqiptar.

Shqipëria është nga vendet e para në Europë që u bë pre e agresionit të bllokut fashist.
Për unifikimin e veprimeve antifashiste ndërmjet forcave të majta dhe të djathta në Shqipëri, më 16 shtator 1942 u mbajt Konferenca e Pezës. Kjo konferencë pati rëndësi politike dhe ushtarake. Ajo dëshmoi se shqiptarët ishin në gjendje të bashkoheshin për çlirimin e vendit pavarësisht dallimeve politike.

Njohja nga aleatët antifashistë botërorë e luftës antifashiste të popullit shqiptar në dhjetor 1942, ishte një hap pozitiv, sepse Shqipëria u rreshtua përkrah koalicionit antifashist botëror. Ky akt u shoqërua me praninë e misioneve aleate të huaja (britanike) pranë formacioneve të ushtrisë nacionalçlirimtare dhe forcave nacionaliste.

Në këtë pavijon në muze është pasqyruar Mbledhja e Mukjes, një hap tjetër për bashkim ndërmjet shqiptarëve gjatë L.A.N.Ç. Me gjithë vendimet e rëndësishme që patën këto mbledhje, për shkaqe politike nuk u arrit bashkimi i dëshiruar ndërmjet shqiptarëve.

Aty janë ekspozuar gjithashtu objekte të pjesmarrësve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si: violina dhe ditarët e Qemal Stafës, sendet personale të Margarita e Kristaq Tutulanit, të pushkatuar nga fashistët si dhe objektet e drejtuesve të luftës. Në qendër të pavijonit gjendet një statujë e “Ushtarit të Panjohur”, e cila simbolizon luftën antifashiste të popullit shqiptar. Ndërmjet objekteve muzeore është automatiku i Valter Audicios, i cili kreu ekzekutimin e Benito Musolinit. Gjithashtu në pavijon është një kënd i veçantë kushtuar kontributit të shqiptarëve për mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pavijoni mbyllet me çlirimin e Tiranës dhe të Shqipërsisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë